Këshilli i Lartë i Prokurorisë, institucioni i ri që është duke u ngritur do të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të plotë, 7-vjeçar.
Arta Marku është zgjedhur nga socialistët, Prokurore e Përkohshme, por ekziston një skemë e pastër se si znj.Marku mund të ‘blindohet’ me mandat të plotë.
Si mund të ndodhë?
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka 6 anëtarë që zgjidhen nga mbledhja e prokurorëve (veç 5 anëtarëve që zgjidhen nga Kuvendi).
Përzgjedhjen e prokurorëve e organizon Prokuroria e Përgjithshme, lidhur me rregulloren, fletët e votimit, plotësimin e kritereve paraprake për dy kandidatura që duhen ende nëse tërhiqen etj.
Sipas ligjit 115 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, prokurorët e interesuar shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërsa neni 279 përcakton se është Prokurori i Përgjithshëm që verifikon përmbushjen e kritereve ligjore.
‘Në rast se kandidati nuk i plotëson kriteret, Prokurori i Përgjithshëm njofton kandidatin dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit’, thuhet në ligj dhe jo më vonë se 3 ditë pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm listën me emrat e kandidatëve prokurorë që e kaluan me sukses procedurën e rivlerësimit.
Pasi mbërrin lista nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), është pikërisht Marku që thërret Mbledhjen e Përgjithshme të prokurorëve, e cila drejtohet prej saj.
Pra, është zonja Marku që organizon prokurorët që zgjidhen në KPK. Që do të thotë, fare thjeshtë, se nëse e organizon Znj.Marku zgjedhjen e prokurorëve, ajo mund të zotërojë shumicën që në një të ardhme të afërt ta propozojnë dhe ta zgjedhin si Prokurore të Përgjithshme me mandat të plotë.
Për ta votuar duhen 3/5 e votave në Kuvend, por nëse nuk arrihet shumica, kemi një mekanizëm zhbllokues në Kushtetutën tonë: kush renditet i pari nga KPK-ja, del fitues.
Me një skemë të pastër dhe të thjeshtë ekziston mundësia që znj. Marku të jetë Prokurore e Përgjithshme për 7 vitet e ardhshme.









