Si  Churchill dhe Stalini vendosën fatin e Europës

Ndarja e zonës qendrolindore europiane dhe i asaj ballkanike në Konferencën e Moskës në tetorin e 1944. Qe cinizëm i vërtetë (siç besojnë shumë historianë) apo realpolitikë?

Dy të mëdhenjtë u takuan 75 vite më parë për të caktuar kufijtë e ardhshëm e asaj gjysme të kontinentit tashmë të pushtuar nga Ushtria e Kuqe. Marrëveshja u arrit, në një klimë përzemërsie ekstreme, mbi bazën e përqindjeve të sakta të influencës dhe pa i pyetur vendet e përfshira.

“Përqindjet që kam propozuar unë duan të jenë vetëm indikacione të metodës falë së cilës ne mund të kuptojmë mendërisht për afërsinë e pozicioneve tona dhe, për pasojë, të vendosim rreth hapave të nevojshme për të arritur në një marrëveshje të plotë. Siç kam pasur rast të them, nëse do t’i nënshtroheshin shqyrtimit të funksionarëve të ministrive të jashtme dhe të diplomatëve nga e gjithë bota, do të konsideroheshin tregues të sipërfaqësisë dhe deri cinizmi. Ama mund të shërbejnë dobishmërisht si guidë për kryerjen e punëve tona. Nëqoftëse ia arrijmë t’i sistemojmë mirë këto, ndoshta mund të pengojmë mjaft luftëra civile dhe shumë gjakderdhje e të vdekur në vendet e vogla të interesuara. Kriteri jonë i përgjithshëm duhet të jetë ai  që t’i mundësojë çdo vendi që të ketë formën e qeverisjes që dëshiron populli. […] Jemi shumë të lumtur që jeni deklaruar personalisht kundër tentativave për ta ndryshuar më forcë apo me propagandë komuniste sistemet tradicionale ekzistuese në vendet e ndryshme ballkanike”.

Është teksti i një promemorieje që Winston Churchill i shkroi Stalinit më 11 tetor 1944. Prej dy ditësh, Kryeministri i Madhërisë së Tij gjendej në Moskë për të përfunduar atë që do të hynte në histori si “pakti i përqindjeve”. Një marrëveshje që sipas shumë historianëve – dhe, siç edhe lë të kuptohet nga këto rrjeshta vetë Churchill – ka qenë fruti i një cinizmi të paparë, i siguruar duke zbatuar metodat e një diplomacie tip ancien regime dhe duke zgjidhur në harkun e pak minutave me një ndarje të sferave të influencës të Europës Qendrolindore dhe të Ballkanit. Me pak fjalë, sipas shumë vëzhguesve, dy shtetarët, duke shkarravitur mbi një copë letër përqindjet respektive të “influencës” në Hungari, Bullgari, Rumani, Jugosllavi e Greqi, vendosën gurin e parë të ndarjes bipolare të botës dhe Luftën e Ftohtë pasuese. Një “dokument i mbrapshtë”, kështu e quajti Kryeministri britanik.

Në vjeshtën e 1944 rezultati tashmë ishte vulosur. Rënia e Rajhut ishte vetëm çështje kohe. Por në frontin ushtarak operacionet po kalonin një fazë fluiditeti ekstrem. Ndërsa në Itali e në Francë aleatët po ecnin me hapa të vegjël, në frontin lindor ushtria sovjetike dukej e papërmbajtshme. Pas ofensivës gjiganteske të verës, që dukej se duhet të çonte drejtpërsëdrejti në Berlin, manovra ishte spostuar drej zonës ballkanike. Bukureshti dhe Sofja u pushtuan me shpejtës, Varshava dhe Beogradi ishin gati të binin, Budapesti do të vendosej nën rrethim pak kohë më pas.

Siç ka vërejtur historiani amerikan D. S. Clemens, Ushtria e Kuqe po ua kalonte në kohë aleatëve, duke realizuar ëndrrën e përkëdhelur për një kohë të gjatë nga Churchill: atë të një lëvizjeje të shpejtë nëpërmjet Ballkanit për të shkatërruar nazistët në territoret satelite. “Vendimi sovjetik u korrespondonte vendimeve të mëparshme aleate – të gjitha të motivuara politikisht – të prirura që të luftonin gjermanët në avampostet më të largëta naziste në Afrikë, në Siçili dhe në Italinë jugore. Tani, në vitin 1944, Perëndimi asistonte i pafuqishëm ndaj së pashmangshmes: trupat sovjetike u siguronin suksesin forcave vendore politikisht të pëlqyera, pikërisht siç kishin bërë aleatët në sferat e tyre të luftimit”.

Churchill e kuptoi se rusët po përhapeshin si një baticë në Europë dhe se kjo do të kishte reperkusione ndaj politikës britanike e mesdhetare të Mbretërisë së Bashkuar. Një bashkëpunëtor i tij kujton se në ato javë Winston nuk fliste kurrë për Hitlerin, por për rreziqet e komunizmit në Europë; shikonte edhe se “Ushtria e Kuqe po përhapej si kanceri nga njëri vend tek tjetri. I është bërë një makth dhe duket se nuk mendon për gjë tjetër”.  Nga ana tjetër, ishte para syve të të gjithëve sesi pjesa më konsistente e përpjekjes ushtarake në kontinent ishte  mbi shpatullat e Ushtrisë së Kuqe. Henry Stimson, këshilltari i Roosevelt pranë Departamentit të Mbrojtjes, ia kishte nënvizuar rreziqet e shumta në mesin e 1943: duke u lënë rusëve pjesën më të madhe të operacioneve ushtarake në Europë “mendoj se do të jetë një çështje e rrezikshme për ne në përfundim të luftës. Sigurisht që Stalini nuk do të ketë një mendim të mirë për njerëzit që kanë vepruar kështu dhe nuk do të ishim në gjendje të ndanim me të pjesën më të madhe e botës së pasluftës”.

Por edhe në kulmin e përpjekjes aleate, anglo – amerikanët impenjonin vetëm 1/3 e totalit të forcave gjermane. 2/3 e tjera përballoheshin nga rusët. Qysh nga fillimi i luftës, Stalini kishte thënë se pjesa më konsistente e përpjekjes luftarake binte mbi shpatullat e Bashkimit Sovjetik. Megjithëse Stalini ruhej mirë nga përmendja e ndihmave të konsiderueshme në mjete dhe mallra të dorës së parë të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, pohimi i tij ishte në thelb korrekt. Edhe Churchill i ishte dashur ta pranonte. Në Dhomën e Komuneve, shpjegoi se kishte qenë Ushtria e Kuqe ajo që kishte goditur e para në zemër makinën luftarake gjermane dhe kishte impenjuar pjesën shumë më të madhe të forcave armike.

Kështu, aleatët qenë tmerrësisht në vonesa karshi rusëve. Një zgjidhje do të kishte qenë hapja, të paktën disa vite përpara zbarkimit në brigjet francezem e një fronti më afër zemrës së Europës. Stalini e kishte kërkuar qysh në muajt e parë e 1942. Vetë Churchil e kishte përkrahur në atë kohë një aksion ushtarak në zonën ballkanike, duke ripropozuar kështu një prej bindjeve të tij më të rrënjosura stratetgjike: në fakt, qysh gjatë Luftës së Parë Botërore, si Lord i Parë i Admiraliatit, kishte qenë idhtar i një manovre të madhe lehtësimi (më pas e dështuar) në Dardanele. Atëhere, ashtu si në vjeshtën e 1944, në lojë nuk ishin vetëm fatet supreme e konfliktit, por edhe nevoja për të ruajtur interesat britanike në sektorin lindor e basenit të Mesdheut.

Për Churchill, hapja e një fronti të fuqishëm juglindor duhej të ishte një alternativë ndaj zbarkimit në Normandi. Në optikën e tij, njëherazi politike dhe ushtarake, prania e forcave aleate që nga fronti ballkanik do të marshonin drejt zemrës së Europës do ta kufizonte ndjeshëm influencën sovjetike në zonë. Me fjalë të tjera, siç ka vërejtur historiani anglez William Deakin, në planet e Kryeministrit të Madhërisë së Tij mund të kapej ideja e rindërtimit të kordonit të vjetër sanitar të viteve ’20 apo të ravijëzohej ajo që pas pak vitesh do të bëhej e ashtuquajtura Perde e Hekurt.

Të hyrë këto projekte në historinë e qëllimeve të mira, realiteti me të cilin forcat aleate duhet të ndesheshin në gjysmën e dytë të 1944 ishte shumë më komplekse. Le t’ia japim akoma fjalën Churchill: “Me avancimin e vjeshtës, gjithça në Europën Lindore bëhej më e vështirë. Ndjeja nevojën e një takimi tjetër personal me Stalinin, që nuk e kisha parë më pas Teheranit dhe me të cilin, pavarësisht tragjedisë së Varshavës, ndjehesha më shumë i lidhur pas sukseseve të Operacionit “Overlord”. Ushtritë ruse po ushtronin akoma një presion gjithnjë e më të madh në teatrin ballkanik dhe Rumania e Bullgaria qenë tashmë nën kontrollin e tyre. Pasi fitorja e Aleancës së Madhe ishte bërë vetëm një çështje kohe, ishte e natyrshme që ambiciet ruse të rriteshin. Komunizmi kishte ngritur kokën, i riparuar nga forcave e armëve në frontin e luftës rus. Rusia ishte çliruesja dhe komunizmi Ungjilli që ajo sillte me vete”.

Nëse ishte krejtësisht e natyrshme që ambiciet ruse të qenë rritur, është po aq paqësore që nga pikëpamja e realpolitikës të ishte absolutisht normale që Stalini të kërkonte të impononte një “pax sovietica”, duke i vendosur aleatët në një pozicion të disfavorshëm në aktiv e traktativave të paqes. Ajo që po luftohej ishte një lloj i ri lufte. Vetë Stalini do t’ia rrëfejë Titos në muajt e para të 1945: “Kjo luftë nuk është si në të kaluarën; kush pushton një territor imponon mbi të edhe sistemin e tij shoqëror. Secili imponon sistemin e vet deri ku mund të arrijë ushtria e tij. Nuk ka sesi të mos jetë përveçse kështu”. Qe pikërisht për këtë motiv që Churchill vendosi të bëjë një takim kokë më kokë me Stalinin përpara se të ishte shumë vonë: “Isha i bindur se do të mund të arrinim marrëveshje pozitive me Rusinë derikur do të ishim të lidhur me detyrime kametratizmi armësh prej ekzistencës së një armiku të përbashkët. Hitleri dhe hitlerizmi tashmë qenë të dënuar, por çfarë do të ndodhte pas Hitlerit?”.

Më 9 tetor Kryeministri britanik dhe Ministri i tij i Jashtëm Anthony Eden u ulën në Moskë. Gjetën një mot të bukur dhe një atmosferë politike patjetër të përzemërt. Presidentit amerikan Roosevelt, i ftuar që të merrte pjesë në konferencë, ju desh që mos marrë pjesë për shkak të impenjimeve të fushatës elektorale presidenciale. Në vend të tij u dërgua ambasadori Harriman, por që e kufizoi praninë e tij në rolin e vëzhguesit të thjeshtë. Por tema e diskutimeve i ishte dhënë Presidentit amerikan disa kohë përpara edhe se vetë Churchill. “Kohët e fundit, i kishte shkruar, ka pasur shenja preokupuese rreth një divergjence të mundshme politike midis nesh dhe rusëve për sa i përket Ballkanit dhe sidomos Greqisë. Prandaj i kemi sugjeruar ambasadorit sovjetik në Londër se do të ishte oportune të vendosej një marrëveshje sipas së cilës qeveria sovjetike mund të ketë një rol drejtues në çështjet rumune dhe ne në Greqi. […] Natyrisht, nuk synojmë që ta ndajmë Ballkani në sfera influence […], por shpresojmë që marrëveshja e propozuar të rezultojë një instrument i dobishëm për të parandaluar çdo divergjencë politike midis nesh dhe jush në Ballkan”. Kësaj Roosevelt i ishte përgjigjur me një ftohtësi të caktuar, duke e kontestuar në thelb projektin, pasi kontribuonte në fakt që të krijonte zona të përcaktuara influence. Por përballë vrullit të Kryeministrit mbetej pak për t’u bërë. Roosevelt, që nuk kishte ndërmend të merrte pozicione zyrtare në thelb, preferoi kështu të hezitojë. Lufta do të zgjaste ende për disa muaj dhe shpresa e tij ishte ajo që të mund ta zgjidhte çështjen e sistemimit të ardhshëm global në një konferencë paqeje të veçantë. Jo rastësisht, megjithëse duke e refuzuar ftesën, u kujdes që ta paralajmërojë liderin sovjetik se nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara ishte e rëndësishme që të mund të ruhej liria e plotë e veprimit edhe pas përfundimit të konferencës.

Në mbrëmjen e mbrritjes së tyre, Churchill dhe Eden u ftuan për darkë në Kremlin nga Stalini dhe Molotovi. Qe nga fundi i darkës, e kaluar sipas asaj që lihet të kuptohet nga dokumentat e delegacionit anglez në një atmosferë gastronomike pantagruelike, që Churchill hyri menjëherë në zemër të problemit. Stalini u deklarua i gatshëm që të diskutojë për gjithçka. Tha se e kuptonte nevojën britanike për të risiguruar kontrollin e rrugëve mesdhetare dhe se donte të kishte zë në Greqi. Nga ana e tyre, anglezët duhej t’i kuptonin nevojat ruse në Rumani e Bullgari. Pasi mori një cope letër, Churchill i shkarraviti sipër termat e marrëveshjes, duke treguar përqindjet e influencës angloamerikane dhe ruse në vende të ndryshme të Europës Qendrore dhe Juglindore: Hungari 50 me 50; Rumani 10 me 90; Bullgari 25 me 75; Greqi 90 me 10; Jugosllavi 50 me 50. Stalni e lexoi pa bërë komente dhe me një laps blu shënoi një shenjë miratimi, që qëndronte për “parë”, por edhe si për një pranim thelbësor të metodës së përqindjeve. “Çështja, rrëfeu Churchill, u sistemua aq shpejt sa nuk mund të thuhet. […]. Pasoi një heshtje e gjatë. Letra e shënuar me laps ishte aty, në qendër të tavolinës. Në fund unë thashë: “Nuk do të konsiderohemi cinikë për faktin që kemi vendosur çështje kaq shumë të barsura me pasoja për miliona njerëz në mënyrë kaq të pëpritur? Le ta djegim letrën”. “Jo, ruajeni ju”, më tha Stalini. Dhe kështu bëra”.

Churchill nuk ishte i panjohur me këtë diplomaci “grafike”, të përbërë nga skema thjeshtëzuese dhe shkarravina. Gjatë takimit të tyre të parë në Moskë, në 1942, i kishte vizatuar Stalinit pamjen e një krokodili me bark të madh për t’i shpjeguar strategjine e sulmimit të forcave të Boshtit nga jugu. Por tani argumenti luftë ishte pothuajse i tejkaluar. Sigurisht, gjatë punimeve të konferencës u gjend edhe mënyra për përballimin e një teme të vështirë si kërkesa aleate për një sulm rus kundër Japonisë (foli Eden me Stalinin pak ditë më pas: Churchill ishte në shtrat me ethe). Stalini tha se ishte më shumë se i gatshëm në “thyerjen e shtyllës kurrizore Japonisë”, e mirëkuptuar pas humbjes së Gjermanisë dhe me kusht që angloamerikanët t’i siguronin furnizime dhe armë. Por çështja më urgjente për të cilën të eksponentët më të larta të qeverisë angleze qenë lëshuar midis krahëve të diktatorit gjeorgjian ishte e ardhmja e afërt e një pjese të mirë të Europës. Kështu që nuk duhet bësuar Churchill kur me një ton arrogant rrëfen se gjithçka u zgjidh sa hap e mbyll sytë. Nuk ishte në stilin e shumë dyshuesit Stalin, aq më pak në të tijin. Në fakt, diktatori sovjetik kishte shumë pak vlerësim për anglezët dhe sidomos për Churchill: “Gjëja që atyre u pëlqen më shumë është mashtrojë aleatët, i kishte shpjeguar një rrethi të ngushtë të bashkëpunëtorëve. […] Churchill është lloji i njeriut që, po nuk e pate mendjen, të vjedh lekët në xhep”.

Traktativa për përqindjet qe shumë më e gjatë. Zgjati disa ditë. Nga ana angleze, objektivi ishte i thjeshtë (megjithëse në vitet e mëpasme është spekuluar shumë dhe shpesh me tonë moralizuese lidhur me cinizmin e supozuar të marrëveshjes): t’i sqarojë Moskës objektivat – e kufizuara – e Foreign Office në rajon dhe ndërkohë të sigurojë aleatin mosbesues, në mënyrë  që të shmangej një sovjetizim i të gjithë Europës Qendrolindore dhe Ballkanike. Diplomacia angleze ishte e bindur për rrezikun e përfaqësuar nga  ideologjia komuniste, por mendonte se në planin politik Kremlini arsyentonte sidomos në termat e sigurisë të kufijve të tij. Nëse Stalini e kishte neutralizuar Trotskij, kjo donte të thoshte  se ideja e një revolucioni botëror ishte lënë përfundimisht menjanë.

Është me ketë shpirt që, pasi kishte futur në xhep “dokumentin e përqindjeve”, Churchill dëgjoi replikën e Stalinit: Bullgaria kishte dalje në Detin e Zi, një lloj deti i brendshëm rus, kështu që përqindja duhet të ishte me madhe se 75% i shkruar në letër. Churchill e pranoi, edhe pse, siç do të shpjegojë vite  më pas: “Nuk kisha menduar kurrë se marrëdhëniet tona të kaluara me Rumaninë dhe Bullgarinë do të kërkonin nga ana jonë sakrifica të veçanta”. Anglezët kishin më për zemër fatet e Polonisë dhe të Greqisë: “Për Poloninë hymë në luftë; për Greqinë kishim mbështetur përpjekje të mëdha. Qeveritë e të dyja vendeve qenë strehuar në Londër dhe ne e konsideronim veten përgjegjës për restaurimin e tyre, nëse kjo ishte vërtet dëshira e popujve të tyre”.

I sqaruar ky aspekt, detajet e traktativës ju besuan Eden dhe homologut të tij Molotov. Kur i rilexon sot këto përqindje të vjen të pyesësh sesi në realitet mund të përmblidheshin në pak shifra influenca politike, sociale dhe ekonomike e një vendi mbi një vend tjetër apo cilit detyrim i duhet përmbajtur ppër respektimin e kuotave që po përcaktoheshin. Fakti është që dy ministrat e jashtëm diskutuan goxha shumë për fraksione dhe përqindje. Përqindje të ngjashme u diskutuan nga Churchill dhe Stalini në seli të veçantë me të dy përfaqësiesit e qeverisë polake ne mërgim, atë në Londër (properëndimore) dhe atë të Lublinit (prosovjetik). Të parë do të donin një prani në qeverinë e re 80 me 20, Churchill dhe Stalini qenë të gatshëm të lejonin maksimumi 50 me 50. Në fund traktativa për Poloninë, e sapodalë nga mbytja e revoltës antinaziste të Varshavës, u reduktua në praninim e kufijve të rinj, të ashtuquajturën Linjë Curzon.

Pas disa ditësh të shpenzuara në traktativa në sallat e Kremlinit (Molotovi donte diçka më shumë në Hungari e në Jugosllavi, Eden ishte i gatshëm të lëshonte diçka në Bullgari e Rumani, por jo në Jugosllavi) marrëveshja për 5 vendet përfundoi. Aleatët siguronin një influencë prej 90% në Greqi, 50% në Jugosllavi, 20% në Hungari e Bullgari dhe 10% në Rumani. Harriman, vëzhguesi amerikan, tha atëhere dhe e ripërsëriti i dëshpëruar vite më pas në kujtimet e tij se nuk e kishte kuptuar se çfarë dreqin dëshirohej të sigurohej me ato përqindje. Një ndarje territoresh? Një ndarje të sferave të influencës? Një kontroll mbi firmimin e qeverive të reja në vendet në shqyrtim? Ndoshta dëshirohet që t’i referohej rolit të komisioneve aleate të kontrollit në 5 vendet. Por, më shumë akoma, të krijohej “një instrument i prirur që të shmangte rusët nga normalizimi (domethënë nga “komunistizimi”) i territoreve që kontrollonin ushtarakisht, duke i shfrytëzuar pikërisht praninë e trupave të tyre gjatë periudhës së armëpushimit. Dhe instrumenti qëndronte pikërisht në zbulimin Kremlinit në terma lehtësisht të kuptueshëm se cilat qenë planet britanike në secilin prej këtyre vendeve.  Domethënë nuk bëhej fjalë për Anglinë që t’i braktiste në fatin e tyre Bullgarinë, Hungarinë e Rumaninë, që t’ua shiste lirë sovjetikëve në këmbim të qetësisë në Greqi, por të vepronte në mënyrë të atillë që sovvjetikët, gjatë këtyre ditëve kritike, të mos i favorizonin komunistët vendorë as në Greqi, as tjetërkund. […] Domethënë, pakti i përqindjeve nuk synonte që ta ndante Ballkanin, por t’i shmangte një ndarje të pakthyeshme, sipas kufijve politiko ideologjikë”.

Nga ana tjetër, vetë Churchill e shpjegoi me urtësinë e zakonshme në një letër për Londrën pak pas përfundimit të traktativës: “Metoda e përqindjeve nuk synon aspak që të përcaktojë numrin e përfaqësuesve që do të ulen në komisionet për vendet e ndryshmme ballkanike, por më shumë shprehjen e interesit dhe shpirtit me të cilin qeveritë e Britanisë së Madhe dhe të Bashkimit Sovjetik u qasen problemeve të vendeve të tilla; ai synon që t’u mundësojë  të dyja qeverive të shkëmbejnë reciprokisht qëllimet e tyre në mënyrë lehtësisht të kuptueshme. Nuk dëshiron të jetë asgjë më shumë se një orientim dhe natyrisht as nuk i impenjon në ndonjë mënyrë Shtetet e Bashkuara, as kërkon të krijojë një sistem të ngurtë sferash interesi. Megjithatë, mund t’i ndihmohë Shtetet e Bashkuara që ta kuptojnë qëndrimin e dy aleatëve kryesorë të tyre respektivisht këtyre rajoneve kur të konsiderohen në tërësinë e tyre”.

Churchill u nis drejt Londrës më 18 tetor dukshëm i kënaqur. 10 ditët në Moskë, shkroi, qenë shënuar nga festa shumë të gjata deri në orët e para të mëngjesit dhe “nga dolli të shumta e shumë të përzemërta”. Në letrën e dërguar Stalinit, në vërtetë shumë formale, gjysma e dytë e tekstit i kushtohet krejtësisht lavdërimit të mikpritjes ruse, “me të drejtë e famshme”, dhe që e “ka tejkaluar vetveten në rastin e vizitës tonë. […] Sa në Moskë, aq edhe në Krime, ku kemi kaluar disa orë të mrekullueshme, është bërë gjithçka ishte e mundur që unë dhe anëtarët e misionit të ndjeheshim komod”. Nëqoftëse nuk është e vështiirë të imagjinohet një Churchil, hedonist të vlerësojë kënaqësitë e tryezës të ofruara nga regjimi sovjetik, ngjall në fakt ndonjë dyshim një letër tjetër, e drejtuar Roosevelt pak ditë më pas. Aty shpjegohet rezultati i punëve, i konsideruar gjerësisht pozitiv, përjashto çështjen polake ende të hapur. Por më pas letra vazhdon kështu: “Uncle Joe [ishte nofka e dhënë Stalini, shënimi im.] dëshiron që Polonia, Çekosllovakia dhe Hungaria të përbëjnë një seri shtetesh të pavarur, antinazistë dhe prorusë; dy të parët mund edhe të bashkohen. Në kundërshtim me opinionet e shprehura më parë prej tij, do të ishte i gëzuar ta shikonte Vjenën të bëhej kryeqytet i një federate shtetesh jugore gjermane, që përfshin Austrinë, Württemberg dhe Baden”. Në këtë theksim shtetesh “të pavarur, antinazistë dhe prorusë” është ndoshta vetëdija se përtej çdo triumfalizmi konferenca praktikisht kishte bërë më pak se parashikimi: Greqinë dhe asgjë më shumë. Me mbarimin e konfliktit, temperatura midis dy aleatëve do të rritet në mënyrë marramendëse, duke i bërë të kota traktativat e shkëlqyera të përqindjeve. Dhe dokumenti i mbrapshtë për Europën Qendrolindore dhe Ballkanin nuk do të ketë më shumë vlerë se ai që Hitleri i dha Chamberlain në Mynih më 1938.

(nga Storica)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Exit mobile version