Si dëshmia e Moisi Habiljat në Itali nxjerr mashtrimin e Tahirit

Vendimi me të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, është një dokument me 33 faqe. “Report TV” i cili ka publikuar një pjesë të këtij dokumenti shkruan se Prokuroria në këto 6 muaj ka arritur të zbulojë më shumë detaje rreth lëvizjeve të ish-ministrit të Brendshëm në periudhën 2015-2017. Organi i akuzës ka dorëzuar në Gjykatë një pjesë të mirë të përgjimeve të kryera nga Guardia di Finanza italiane për të arrestuar Moisi Habilajn, kushëri të ministrit dhe vëlla i Artan Habilajt, i kërkuar edhe ai aktualisht për trafik droge.
Në ato përgjime Moisi Habilaj u shpjegonte bashkëfajtorëve të tij se kishte blerë dy byzylykë me diamante “për gruan e Saimirit” dhe se kishte paguar një kostum Hugo Boss, të cilin vetë ministri e paskësh zgjedhur në një dyqan të Romës.
Një tregtar, ka konfirmuar se Habilaj bleu dy byzylykë (edhe pse me një vlerë më të ulët se ajo e deklaruar nga bosi), por pa e ditur se për kë ishin marrë ato. Ndërsa tregtari i rrobave në Romë, i pyetur nga Guardia di Finanza, ka mohuar të ketë takuar ndonjëherë ministrin.
Për herë të parë dalin në dritë edhe deklarimet, që Moisi Habilaj i ka bërë Prokurorisë së Catanias. Kushëriri i ministrit ka pranuar përgjegjësinë e tij për trafikun e drogës, por ka përjashtuar që ato dhurata apo pagesa në para, për të cilat flet gjatë përgjimeve, të jenë bërë për Saimir Tahirin.
Moisi Habilaj ka thënë se, dhuratat ishin blerë për një nga furnizuesit e kanabisit në Shqipëri. Madje, ai deklaron se nuk e ka takuar kurrë kushëririn-ministër personalisht, pasi ai që e njihte dhe takohej shpesh Tahirin ishte Artan Habilaj, të cilit ministri i kishte shitur makinën e tij “Audi A8”.
Moisi Habilaj hedh poshtë në këtë mënyrë deklarimet e Tahirit që këmbëngul se ai nuk kishte pasur asnjëherë kontakt personal me Artan Habilajn.
“Prokuroria ka gjetur prova se të dy mund të kenë pasur kontakt të paktën dy herë në Greqi në gusht të vitit 2014, në qytetin bregdetar të Lefkadas në ishullin e Korfuzit, kur Tahiri së bashku me gruan, prindërit dhe një çift miqsh kanë kaluar dy javë pushime në një shtëpi dykatëshe të marrë me qira”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Artikulli paraprakNjë pajisje italiane me lazër që zbulon ushqimet e falsifikuara
Artikulli tjetërNgrohja e Arktikut që solli ftohjen e Europës