Si dështoi komploti i organizuar nga Ismail Qemali për të rrëzuar sulltan Abdylhamidin II

Nga dr. Hasan Bello

Në janar të vitit 1901 kundërshtarët politikë të Abdylhamidit II, duke përfshirë dhëndërrin dhe dy nipat e tij, Princ Sabahedinin dhe Lutfullahun filluan përpjekjet për organizimin e një kongresi, i cili kishte si qëllim bashkimin e të gjith lëvizjes xhonturke. Ftesën për të marë pjesë në këtë kongres, Ismail Qemali e kushtëzoi me të drejtën e përfaqësimit të të gjitha kombësive dhe që të mereshin në konsideratë kërkesat e tyre.

Kongresi xhonturk u hap në Paris më 4 shkurt 1902, ku merrnin pjesë përfaqësues të të gjithë popujve të perandorisë. Ndërsa nga pala shqiptare përveç I.Qemalit, ishte edhe Ibrahim Temo, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Jashar Erebara etj. Kongresi i mbylli punimet më 9 shkurt pa arritur të unifikonte të gjithat rrymat dhe kundërshtarët e Abdylhamidit II.

Pas këtij kongresi I.Qemali vijoi të bashkëpunonte me Princ Sabahedinin. Kjo rrymë brenda lëvizjes xhonturke dallohej nga pjestarët e tjerë për dy qëndrime:
1) Ajo ishte e gatshme që për arritjen e objektivave të saj, të përdorte çdo instrument, duke nënkuptuar përdorimin e forcës dhe bashkëpunimin me shtetet e huaja. Kjo e fundit do të bëhet shkak që ky grupim të përçahet me emrat dhe intelektualët më të njohur të lëvizjes xhonturke.
2) Pjestarët e këtij grupimi konsideroheshin nga pjesa tjetër e xhonturqve si filobritanikë.

Gjatë dhe pas kongresit të Parisit, në takimet që I.Qemali pati me emra të njohur të lëvizjes xhonturke, theksoi nevojën e organizimit të një grushti shteti, si rruga më e shkurtër për rrëzimin e sulltanit. Për realizimin e këtij qëllimi, ai së bashku me Princ Sabahedinin përpiluan një plan, i cili parashikonte përdorimin e ushtrisë. Kjo do të bëhej e mundur duke shfrytëzuar influencën dhe reputacionin e komandantit të ushtrisë osmane në vilajetin e Tripolit, shqiptarit Rexhep Pashë Mati. Ky i fundit njihej si personalitet në radhët e ushtrisë dhe si funksionarë i cili i kishte trajtuar me dashamirësi shumë xhonturq që sulltani herë pas here i internonte në këtë vilajet.

Në një takim që këta tre personalitete patën në ishullin e Maltës ranë dakord, që Princ Sabahedini dhe I.Qemali të merreshin me aspektet politike dhe financiare, ndërsa Rexhep Pashë Mati me aspektin ushtarak. Sipas planit, forcat osmane që ishin nën komandën e Rexhep Pashës në Tripoli do të niseshin drejt Selanikut gjoja për të zhvilluar një stërvitje ushtarake dhe prej aty në Dardanele ku do merrnin nën kontroll Çanakalanë për t`i diktuar më pas Abdylhamidit II kushtet e dorëheqjes.

I.Qemali i cili mendonte se ky plan mund të realizohej vetëm nëse sigurohej përkrahja britanike, i premtoi ambasadorit britanik në Paris, se qeveria që do të vinte pas grushtit të shtetit do të forconte marrëdhëniet dhe pozitat politike dhe ekonomike të Anglisë në Perandorinë Osmane. Për këtë qëllim, në korrik 1902 ai zhvilloi një tur takimesh në Londër ku me ndihmën e Kontrollorit të Përgjithshëm të Egjiptit, Lord Croner kërkoi mbështetje në Forin Ofis. Nga britanikët ai kërkoi gjithashtu të ndihmonin njërin nga djemtë e tij, që në këtë periudhë ishte i internuar në Bitlis.

I.Qemali kërkoi mbështetje edhe nga Khedivi i Egjiptit, Abasi II, i cili për të mbështetur këtë komplot derdhi në llogarinë e një banke angleze 4000 stërlina. Pas dështimit të këtij plani, kjo do të bëhet shkak që Abasi II ta akuzojë për shumë kohë I.Qemalin për përvetësimin e kësaj shume.

Lidhur me shkaqet se përse dështoi ky grusht shteti ka disa hipoteza. Por më kryesoret prej tyre janë:

1-Pasi mori një letër nga Princ Sabahedini, I.Qemali u nis drejt Athinës për të nënshkruar një marrëveshje me tre pronarët e anijeve greke, që ishin marrë me qira për tu përdorur për transportimin e forcave ushtarake osmane nën komandën e Rexhep Pashë Matit. Por kur mbërriti atje, nuk gjeti asnjë anije dhe koha në dispozicion për Rexhep Pashën kaloi. Kjo u bë shkak që një nga anëtarët e Komitet Qendror Xhonturk, Reshid Sadi të vinte në Athinë për të hetuar dhe ndrequr situatën. Ai konstatoi se I.Qemali ishte vendosur në shtëpinë e njërit prej ndihmësve të mbretit të Greqisë. Pas disa bisedimesh u vendos që I.Qemali të nisej drejt Napolit për të siguruar anijet e nevojshme në Itali. Vonesa në fjalë ngjalli skepticizëm si te Rexhep Pasha ashtu dhe te shumë pjesmarrës në këtë komplot.

2-Në kujtimet e disa prej aktorëve dhe dëshmitarëve të këtij komploti thuhet se, Greqia e informuar nga I.Qemali nuk ishte e përgatitur për të nxjerrë maksimumin e përfitimeve politike nga këto zhvillime. Prandaj, ajo vendosi të ndiqte një politikë servile duke informuar Abdylhamidin II mbi këtë komplot.

Kjo do të bëhet shkak që pas Revolucionit Xhonturk kur Rexhep Pashë Mati emërohet ministër i Luftës dhe vdes brenda një kohe të shkurtër, xhonturqit ta akuzojnë Abdylhamidin II si shkaktar të vrasjes së tij. Por një komision i përbërë nga mjekët e ambasadave europiane që morën pjesë në autopsinë e kufomës së Rexhep Pashës konstatuan se ajo ishte një vdekje natyrale si pasojë e një ataku kardiak.

Komploti i vitit 1903 dështoi. Por ai pati si protagonist kryesorë dy shqiptarë të njohur, Ismail Qemalin dhe Rexhep Pashë Matin.

Në foto İsmail Qemali në vitin 1890 dhe Rexhep Pashë Mati (1842-1908).
FB IMG 1700987148608

Exit mobile version