Pasi një draft paraprak i faljes fiskale, i hartuar në korrik, nuk gjeti konsensusin e FMN-së, financat po punojnë tashmë për një projektligj tjetër për fshirjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura dhe gjobave të vëna gabim në qershor për të vetëpunësuarit.
Lajmi është bërë i ditur për “Monitor” nga drejtoresha e Tatimeve, Vasilika Vjero.
“Ministria e Financave është duke punuar për draftimin e një projektligji për fshirjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura. Në këtë kuadër, parashikohet që të bëhet edhe fshirja e gjobave për personat e vetëpunësuar, të cilët nuk kanë bërë në afatin e caktuar deklaratën e tyre”, ka pohuar ajo.
Një pjesë e madhe e bizneseve, kryesisht të reja, u gjobitën masivisht më 22 qershor me 10 mijë lekë për vonesa në deklarimin e administratorit, pas përditësimit të sistemit të e-tax. Vetëm pak ditë më vonë, më 1 korrik, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, pohoi publikisht se këto gjoba do të faleshin, pavarësisht se këmbënguli se ato ishin vënë me të drejtë.
Pavarësisht kësaj, në tetor, tek bizneset u shkaktua konfuzion pasi morën një shkresë nga organet tatimore për detyrimet tatimore të papaguara, ku përfshiheshin dhe gjobat, të cilat u vunë automatikisht nga sistemi në qershor për vonesë në deklarimin e punonjësve dhe për të cilat bizneset ishin në pritje të faljes.
Si ndryshoi projekti për faljen fiskale
Drafti paraprak i faljes fiskale, i propozuar në korrik, parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatëvonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve.
Në shtator, drafti i faljes u la pezull, pas kundërshtimeve të FMN-së, e cila kërkoi me forcë që të fshiheshin vetëm ato detyrime që ishin të pamundura për t’u mbledhur dhe të bëhej maksimumi për të arkëtuar detyrimet e mbledhshme. Edhe ministri i Financave, Ahmetaj, u tërhoq dhe tha se nuk ka falje të detyrimeve, por “nga viti 2010 deri në vitin 2014 do të ketë lehtësi për ata që paguajnë detyrimin e plotë. Ata që paguajnë detyrimet do të kenë lehtësi në interesa dhe në gjoba, ndërsa ata që nuk i paguajnë, do t’i mblidhet detyrimi me forcë me anë të gjithë instrumenteve”.
Tashmë pritet të shohim se çfarë do të përmbajë drafti i ri i faljes fiskale.