Si do të garantohet sigura në zgjedhjet amerikane?

Në Shtetet e Bashkuara, sensorët kibernetikë që monitorojnë sigurinë e sistemeve të votimit nuk kanë zbuluar shenja të ndonjë sulmi ndaj zgjedhjeve për Kongresin që zhvillohen pas një jave, sipas autoriteteve amerikane.
Ka pasur shqetësime të vazhdueshme se Rusia dhe vende të tjera mund të përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet e 6 nëntorit duke depërtuar në bazat e të dhënave të votuesve dhe sisteme ose rrjete të tjera për të shkaktuar konfuzion, për të penguar qytetarët të hedhin votën apo edhe të gjejnë një mënyrë për të ndryshuar votën. Por deri tani, këto shqetësime nuk janë materializuar.
“Ne nuk kemi parë ndonjë gjë alarmante”, u tha gazetarëve të martën në Uashington John Gilligan, kreu ekzekutiv i Qendrës për Sigurinë në Internet. “Nuk ka shenja për ndonjë sulm konkret,” tha ai.
Qendra, duke punuar me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, ka ndihmuar në vendosjen e sensorëve që monitorojnë 90 për qind të sistemeve të votimit në SHBA.
Zoti Gilligan tha se sensorët kanë regjistruar njëfarë aktiviteti, por fjala është për veprime të “palëve të treta të përfshira pa vetëdije”.
“Janë thjesht njerëz që hyjnë nëpër faqe të ndryshme në Internet”, tha ai.
Ky vlerësim pasqyron të dhënat e nxjerra nga një numër zyrtarësh federalë dhe shtetërorë të SHBA në fillim të këtij muaji pas një testimi të sigurisë së zgjedhjeve të organizuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
Zyrtarët dhe ekspertët e pavarur paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë që Rusia dhe vende të tjera, si Irani dhe Kina, nuk kanë qenë aktive, por shumica e aktivitetit të tyre janë përqendruar në tek operacionet e ndikimit në mediat sociale.

Exit mobile version