Kufizimet ligjore për aktivitetet e call center-ave që pritet të miratojë shteti italian këto ditë kanë sensibilizuar institucionet shqiptare, të cilat janë duke e ndjekur këtë çështje në rrugë zyrtare.
Gentian Drenova, nga Unioni i Shoqërive të Call Center, pas një takimi në Ministrinë e Ekonomisë, tha se tashmë, shoqëritë të mbështetura nga institucionet shqiptare, synojnë të ndalojnë deklasifikimin e Shqipërisë si një vend jo i BE-së për investitorët italianë të call center. Ai tha se, ky pretendim i palës shqiptare do të argumentohet me faktin se vendi ynë e ka legjislacionin e fushës njësoj si Italia dhe BE. E rëndësishme, në këtë drejtim, është mbrojtja e të dhënave personale, për të cilat ligjet janë njësoj si në BE.
Drenova tha se këto fakte i janë bërë të ditura ambasadës italiane dhe do të përcillen edhe nga Ministria e Jashtme shqiptare në rrugë zyrtare. “Ne synojmë të mos miratohet trajtimi i Shqipërisë si një vend jo i BE”, tha Drenova. Sipas tij, kjo në radhë të parë do të sillte kosto për bizneset italiane, të cilat do ta transferonin aktivitetin në vende të tjera me distanca më të largëta gjeografike si Rumania.
Gjithsesi, këto mendime në ligjin italian nuk do të kalojnë pa pasojë në Shqipëri. Së pari, tregu do të formalizohet dhe shumë nga bizneset e vogla do të mbyllen dhe gjithashtu kërkesa për shërbime nga Italia do të bjerë.
Ai tha se, edhe pa këto ndryshime, sektori i call center-ave këtë vit ka qenë në mbijetesë. Vetëm anëtarët e Unionit kanë akumuluar pagesa të paarkëtuara rreth 5 milionë euro, ndërsa borxhet në total mund të jenë disa miliona euro, tha ai.
Kjo situatë ka krijuar probleme edhe në tregun e brendshëm, me pagesat e punonjësve, këstet e kredive në banka dhe detyrimet tatimore.