MURE TE REJA/Si do të ndryshojë Europa pa Britaninë?

Brexit nuk do të marrë fuqi në mënyrë automatike. Sipas Nenit 50 të Traktatit të Bashkimit Europian, anëtarët që duan ta lënë bllokun kontinental fillimisht duhet të negociojnë termat e largimit dhe të zhvillojnë një kornizë për marrëdhënien e tyre të ardhshme me Europën. Ky proces mund të shkojë deri në 2 vjet, megjithëse Mbretëria e Bashkuar do të ishte në gjendje të kontrollonte se kur fillon kjo periudhë nëpërmjet zgjedhjes së njoftimit Bashkimit Europian të synimeve të saj.
Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë thënë se termat e largimit të Bashkimit Europian ka gjasa se mund të zgjidhen brenda periudhës 2-vjeçare, por se përcaktimi i lidhjeve pasuese të saj me bllokun do të zgjaste më shumë. Sigurisht, Neni 50 është një amendament relativisht i ri i ligjit të Bashkimit Europian. Ai ka hyrë në fuqi vetëm qysh nga dhjetori i 2009. Për shkak se nuk është apeluar ndonjëherë, është e paqartë sesa gjithëpërfshirëse duhet të jetë një marrëveshje largimi që ta kalojë testin.
Deri kur të jenë të përfunduara negociatat, Britania do të konsiderohet sërish një anëtare e plotë e Bashkimit Europian e lidhur nga rregullat dhe traktatet e bllokut. Kjo do të thotë se ajo do të vazhdojë të jetë pjesë e Bashkimit Europian të paktën deri në fund të 2018. Sapo Londra dhe Brukseli të arrijnë një marrëveshje finale, ajo sërish do të vihej në votë nga Këshilli i Europës, ashtu edhe Parlamenti Europian dhe ai britanik.
Edhe pse është e paqartë se çfarë do të ndodhte nëse asnjë trupë europiane do të votonte kundër marrëveshjes së largimit, të gjitha palët ka mundësi që do të ktheheshin në tryezën negociuese për të arritur një marrëveshje të re. Teorikisht, Britania do ta kishte opsionin e largimit unilateral të bllokut, por një gjë e tillë do t’i bënte shumë më të vështira bisedimet e ardhshme midis Londrës dhe Brukselit.
Duke pasur në konsideratë faktin, që Britania do të donte të arrinte një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Bashkimin Europian – bllokun tregtar më të madh të botës – pas heqjes dorë nga anëtarësimi i saj, nuk ka gjasa që Londra do t’i ashpërsonte marrëdhëniet e saj me Brukselin nëqoftëse një gjë e tillë e ndihmon atë. Gjithashtu, Neni 50 nuk përfshin masa për vendet që duan ta përmbysin vendimin e tyre për t’u larguar, ndërkohë që bisedimet janë në zhvillim, duke e lënë të paqartë sesi do të procedonte blloku nëqoftëse qeveria britanike ndryshon mendje.
Në fund, kursi i bisedimeve të largimit të Britanisë do të përcaktohej nga negocimi politik, pavarësisht asaj që thonë traktatet e Bashkimit Europian. Rrjedhjet e fundit në mediat ndërkombëtare kanë sugjeruar se qeveria gjermane do të donte të niste menjëherë bisedime me Londrën për të minimizuar çdo paqëndrueshmëri financiare që mund të shfaqej në valën e Brexit. Nga ana tjetër, Franca me sa duket është e gatshme që ta bëntë më të vështirë largimin e Britanisë për t’u dhënë një mesazh të fortë partive euroskeptike në vend. Këto interesa konfliktuale përkohësisht mund t’i ashpërsonin fërkimet midis anëtarëve të Bashkimit Europian, megjithëse spektri i pasigurisë së zgjatur ka mundësi që do ta inkurajonte shumicën e bllokut për ta bërë një marrëveshje me Londrën sa më shpejt në vend të sa më vonë.
Një gjë e tillë do të ngrinte pikëpyetje të vështira në Londër. Sapo dalja e Britanisë do të finalizohet, qeveria britanike do të shtyhej që të adresonte 3 çështje të mëdha. Më kryesorja midis tyre është tregtia. Rreth 45 për qind e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve të Britanisë shkojnë për anëtarët e Bashkimit Europian dhe 53 për qind e importeve të saj vjen nga blloku kontinental. Për pasojë, Britania do të ishte tejet e motivuar që ta ruante aksesin e saj në tregun e përbashkët të Europës. Një gjë e tillë do t’i kërkonte Londrës që të negocionte një Marrëveshje të re të Tregtisë së Lirë me bllokun dhe me vendet jo anëtare të tij, me të cilat ajo bën tregti nëpërmjet Bashkimit Europian. Bazuar në përvojën historike, marrëveshje të tilla mund të duan deri në një dhjetëvjeçar për t’u kompletuar.
Legjislacioni do të bëhej gjithashtu një problem i rëndësishëm për t’u zgjidhur. Sapo normat e Bashkimit Europian të mos jenë më detyruese, Parlamenti britanik do të duhej që të rifusë, amendojë apo abrogojë ligjet aktualisht në fuqi. Kritikët e Brexit kanë paralajmëruar se me kalimin e kohës, hendeku midis rregullimit britanik dhe atij europian do të zgjerohej, duke dëmtuar eksportet britanike drejt kontinentit dhe duke e bërë Britaninë një destinacion më pak tërheqës për investime.
Problemi tjetër që do të dilte në plan të parë është emigracioni. Pasi të largohet nga Bashkimi Europian, Londra do të duhej të vendosë statusin e qytetarëve të Bashkimit Europian që punojnë në Britani, ashtu si Brukseli duhet të përcaktojë statusin e punëtorëve britanikë anembanë bllokut europian. Veç kësaj, qeveria britanike do të duhet të hartojë një politikë emigracioni për të tërhequr punëtorë me aftësi dhe të frenojë rënien demografike të vendit. Për këtë qëllim, asaj i duhet që të ndërtojë një politikë emigracioni selektive të lidhur me sistemet në Kanada dhe Australi.
Por largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian do të kishte edhe pasoja ekonomike për bllokun europian. Pasojat do të ishin të dyanshme. Eksportet do të uleshin në disa prej partnerëve kryesorë tregtarë të Britanisë, përfshi Irlandën, që dërgon rreth 14 për qind të eksporteve të saj në Britani, dhe Holandës e Belgjikës, që dërgojnë përkatësisht nga 9 për qind. Jo për t’u habitur, këto vende ka mundësi që do të jenë mbështetësit më të mëdhenj e një zgjidhjeje të shpejtë të bisedimeve tregtare me Britaninë.
Pa një marrëveshje tregtare, eksportet e Britanisë në Bashkimin Europian do të jenë subjekt tarifash, siç edhe do të jenë eksportet e Bashkimit Europian drejt Britanisë. Londra do të jetë e detyruar që të paguajë këste “vendi më të favorizuar” të vendosura nga WTO-ja, që shkojnë nga 4.1 për qind për gazin natyral të lëngët në 32 për qind për verërat.
Shërbimet tregtare mund të komplikohen më tej nga fakti se, anëtarët e Bashkimit Europian kanë ngritur barriera të ndryshme jotarifore, si rregullimet e brendshme, në sektorin e shërbimeve. Ndërkohë, paqartësia politika që vjen nga vota për Brexit do t’i dëmtonte ekonomitë anembanë Europës, ashtu siç do të bënte një rënie në tregti në rast se Londra dhe Brukseli do të dështonin që ta arrinin një marrëveshje.
Bankat qendrore anembanë botës, përfshi atë të Shteteve të Bashkuara, Indisë dhe Japonisë, kanë nxjerrë paralajmërime rreth asaj se çfarë mund t’u shkaktonte tregjeve financiare globale një periudhë e zgjatur pasigurie në Europë. Edhe sikur bisedimet Britani–Bashkim Europian të donin vetëm 2 vjet për  t’u zgjidhur, këto tregje nuk do të ishin në gjendje ta shmangnin rënien.
Europa Jugore mund të marrë një dozë të dyfishtë dhimbjeje. Spanja ka caktuar të mbajë zgjedhje të përgjithshme me 26 qershor, ndërsa Kryeministri italian Renzi e ka lidhur të ardhmen e administratës së tij me një referendum kushtetues në tetor. Kur çiftohet me pasigurinë që do të pasojë Brexit, një paqëndrueshmëri politike e tillë në ekonominë e 3-të dhe të 4-ët të eurozonës mund të ngrinte pikëpyetje rreth shëndetit ekonomik të Europës Jugore në tërësi, duke çuar në turbulenca në tregjet ndërkombëtare të borxheve.
Ndoshta efekti më i rëndësishëm që një Brexit do të kishte në perspektivë është mbi balancën e forcës në Europën kontinentale. Pa Britaninë, Bashkimi Europian humbet një anëtar mik të tregut liberal, duke parë epërsinë e vendeve intervencioniste si Franca, Italia dhe Spanja. Gjermania e ka parë historikisht Britaninë si një kundrapeshë ndaj Francës brenda Bashkimit Europian dhe, pa votën e saj në Këshillin Europian, Gjermania, Holanda dhe vendet nordike do të humbasin një mbështetës kyç në negociatat me vendet mesdhetare të Europës. Pozicioni i dobësuar i Gjermanisë bile mund ta inkurajojë Francën që të përpiqet ta fusë në dorë frenat e bllokut, duke i acaruar më tej tensionet midis dy liderëve të Bashkimit Europian. Nëqoftëse vendet europianoveriore fillojnë t’i frikësohen një marrjeje në kontroll nga blloku mesdhetar i kontinentit, atëherë euroskepticizmi në veri ka gjasa që do të rritet.
Ndarja midis Europës Perëndimore dhe asaj Lindore mund të zgjerohet gjithashtu në valën e largimit të Britanisë. Europa Qendrore dhe Lindore e konsideron Britaninë si mbrojtësin parësor të interesave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian që nuk i përkasin eurozonës. Londra ka qenë një prej mbështetësve më të fuqishëm të sanksioneve kundër Rusisë, që është në linjë me politikat e Polonisë dhe të vendeve balltike. Me largimin e saj, shtetet në periferinë e Bashkimit Europian do të bëheshin më të izoluara nga pjesa tjetër e bllokut dhe, me kalimin e kohës, më euroskeptikë.
Në majë të dobësive të brendshme në rritje të tij, Bashkimi Europian do të shikojë edhe një rënie të sharmit të tij anembanë botës. Për shkak të forcës ushtarake dhe ish-rrjeteve koloniale të saj, Britania gëzon një rol në çështjet ndërkombëtare që nuk është lehtësisht i zëvendësueshëm, me përjashtimin e mundshëm të Francës. Në mungesë të Britanisë, Gjermania do të vihej nën një presion gjithnjë e në rritje për të luajtur një rol gjithnjë e më të madh në përcaktimin e politikës së jashtme të bllokut europian, një rol që Britania ka kërkuar ta shmangë dhe mjaft vende të BE-së janë orvatur ta parandalojnë. Përderisa Britania nuk do të jetë më në gjendje që të llogarisë anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian për mbështetje shtesë, edhe ky i fundit do të ishte i paaftë që ta ruante influencën e tij brenda bashkësisë ndërkombëtare.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version