Si do t’i paguajmë borxhet e Shqipërisë?

Nga Bujar Leskaj

Sa herë lexoj librin e famshëm të ekonomistit më të madh të kohëve moderne, John Maynard Keynes “Si do ta paguajmë luftën? (në anglisht ”How to pay for the war- https://www.cambridge.org/core/books/collected-writings-of-john-maynard-keynes/how-to-pay-for-the-war-1940/CEA885AC611D63EBCB74D0ABE5B77A04), botuar në vitin 1940, më lind natyrshëm pyetja: Po borxhet e Shqipërisë sonë, që po akumulohen si re pis të zeza në prag të një furtune, si do t’i paguajmë?

Sipas EUROSTAT (https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=Enlargement_countries_-_finance_statistics), për vitin 2020, borxhi i qeverisë sonë arriti në 1.2 triliardë lekë, ose mbi 10 miliardë euro. Nga 36 vende evropiane, u renditëm ndër vendet e para për raportin e lartë të borxhit kundrejt prodhimit kombëtar (PBB-së), me 77.9 përqind të tij. Borxhi publik tek ne u rrit me 915 milionë euro, ose 11.6 përqind, në krahasim me nivelin e vitit 2019. Rritja më e madhe ka ndodhur tek borxhi i jashtëm (i marrë ne euro, dollarë,etj.), duke na ekspozuar edhe më shumë ndaj rreziqeve të luhatjes së kursit të këmbimit të valutave.

Sipas raportit periodik të Organizatës për Bashkëpunim dhë Zhvillim Ekonomik(OECD) për konkurrueshmërinë në vendet e Ballkanit Perëndimor, botuar në korrik 2021 (https://www.oecd.org/fr/pays/albanie/competitiveness-in-south-east-europe-2021-dcbc2ea9-en.htm), rënia ekonomike si pasojë e COVID-19 për shumë vende solli rritje të borxhit publik, duke rrezikuar kështu qëndrueshmërinë e tyre financiare në vazhdim. OECD thekson se një nga këto vende është edhe Shqipëria, e cila ka ezauruar hapësirën e saj për huamarrje të re, në rast të një goditjeje tjetër ekonomike.

“Sfidat e politikës fiskale janë të shumta në disa ekonomi të rajonit”, cilëson OECD. “Në Shqipëri, performanca e të ardhurave publike është e dobët, për shkak të një baze relativisht të ngushtë tatimore, evazionit fiskal dhe sektorit të madh informal… Nga ana tjetër, një pjesë e madhe dhe në rritje e shpenzimeve publike shkon për pagat në sektorin publik, si dhe subvencionet dhe transferimet. Kjo jo vetëm që ka kufizuar nivelin e shpenzimeve të kujdesshme, siç u duk në përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19 por në vende si Shqipëria dhe Mali i Zi, ka pasur një ndikim të fortë në nivelet e borxhit publik dhe në qëndrueshmërinë e financave publike”.(faqe 24, paragrafi i trete, https://www.oecd.org/fr/pays/albanie/competitiveness-in-south-east-europe-2021-dcbc2ea9-en.htm),

Borxhi publik është kthyer në shqetësim dhe rrezik madhor, edhe pse pak i njohur nga opinioni publik. Nëpërmjet aktit normativ nr. 26, datë 22.06.2021 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, sekti Rama në qeverisje vendosi ta çojë borxhin publik për këtë vit në 82.4 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto(PBB) dhe të rrisë defiçitin buxhetor të këtij viti nga 108 miliardë lekë që ishte planifikuar në fillim të vitit, në 120,5 miliardë lekë, ose 988 milionë euro. Një vendim tërësisht i papërgjegjshëm, në shkelje flagrante të rregullit fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit të vitit 2016 (http://wp-content/uploads/2018/02/B.2_Ligji_per_disa_shtesa_dhe_ndryshime_te_ligjit_nr._9936_date_26.06.2008_mbi_menaxhimin_e_sistemit_buxhetor_ALB.pdf) , i cili nuk lejon që borxhi i ri në një vit të jetë më shumë se 2 perqind e PBB-së. Ndërkohë që ndryshimet e fundit me aktin normativ të 22 qershorit 2021 e rrisin defiçitin buxhetor mbi 3 herë, në 7.1% të PBB-së së pritshme të vitit 2021!

Përfshirja e rregullit fiskal (defiçiti deri në 2 përqind të PBB-së) në Ligjin e Menaxhimit Buxhetor pesë vite më parë, ishte plotësim i kërkesës së kahershme të FMN ndaj Shqipërisë dhe i një standarti të vendosur po nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian. Shkelja dhe flakja tej si leckë e këtij rregulli të artë fiskal, ka bërë që sekti Rama të vazhdojë të mbledhë me papërgjegjshmërinë më ekstreme borxhe pas borxhesh, duke e zgjeruar si tullumbac defiçitin buxhetor në 120 miliardë lekë (rreth 1 miliardë euro) dhe duke e çuar totalin e detyrimeve të Shtetit tonë në rreth 1,3 triliardë lekë, ose mbi 10.6 miliardë euro!

Borxhi publik i Shqipërisë po bëhet i paqëndrueshëm dhe i pakontrollueshëm, pasi qeveria, nën pretekstin e përballimit të gjendjes nga Koronavirusi, ka marrë hua, pa u kujdesur të gjenerojë të ardhura për ta paguar borxhin. Kjo e ka futur përfundimisht në ciklin vicioz të marrjes borxh për të paguar borxhet e mëparshme, duke e thelluar edhe më shumë problematikën e borxhit tonë publik dhe pamundësinë financiare për ta likuiduar. Në deklaratën zyrtare për shtyp të misionit të FMN në qershor 2021, zj. Yan Sun, përfaqësuese e FMN për Shqipërinë theksoi se “Do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze, të financuara me burime të brendshme, për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe për të rritur kontingjencën” (https://www.cna.al/2021/06/12/fmnfrenoni-investimet-ambicioze-perqendrohuni-te-vaksinimi-dhe-rindertimi-pas-termetit/ ).

Ndërkohë qeveria këtë vit i rriti shpenzimet kapitale në nivelin e 132 miliardë lekëve nga 121 miliardë të planifikuara ose në 7.6% të PBB-së, nga 5% që është kufiri i rekomanduar nga FMN, për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe rritjen e qëndrueshme. Vendimi i qeverisë për të shtuar kaq fort borxhin e vendit është i pajustifikueshëm, për aq kohë sa nuk shoqërohet me studime për fizibilitetin e projekteve që do të financohen dhe se sa është kthimi i pritshëm i tyre në ekonominë e vendit.

Sipas një studimi të publikuar nga organizata serioze monitoruese e vendit, Open Data Albania, fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2020, sipas planit vjetor të ndryshuar, për kontratat konçesionare/PPP, në total ishin rreth 9.73 miliardë lekë. Ndërsa pagesat faktike për vitin 2020, në total rezultuan në rreth 9.63 miliardë lekë ose 99% e planit vjetor 2020, të ndryshuar.

Sipas këtij studimi, detyrimet e buxhetit të shtetit ndaj koncensioneve dhe PPP-ve kanë shkuar në 11.6% kundrejt GDP-së. Ky nivel që ka arritur Shqipëria me detyrimet kontigjente është gati 5 herë më i lartë se sa ai i Sllovakisë me 2.4%, vendi i dytë europian në renditje, për nga detyrimet e mëdha me koncesionet/PPP-të . Nëse borxhit aktual zyrtar i shtojmë edhe 11.6 për qind, i cili na rezulton si borxh i fshehur borxhit publik të shtetit shqiptar, raportuar në analizën vjetore të borxhit publik nga Ministria e Financave, borxhi ynë publik arrin në 89.5 përqind të prodhimit tonë kombëtar!

Ndërkohë që Qeveria nuk i konsideron si borxhe, efektet dhe risqet e tyre do të ndihen fort në vitet dhe dekadat e ardhshme, duke marrë në konsideratë faktin që disa prej koncesioneve dhe PPP-ve të kontraktuara kanë efekt deri në vitin 2040.
Raporti i Departamentit Amerikan te Shtetit për Klimën e Investimevë në Shqipëri për vitin 2021, i publikuar në korrik të këtij viti, i cilëson problematike koncesionet, sidomos projektet e partneritetit publik privat, pasi “…për to nuk është bërë analizë e mirëfilltë për kostot dhe përfitimet, duke ulur mundësinë e konkurrencës, përfshirë edhe investitorët e huaj” (Faqe 7, paragrafi i dytë”, (https://www.state.gov/reports/2021-investment-climate-statements/albania/.

Detyrimet kontigjente apo potenciale për Buxhetin e Shtetit që rrjedhin nga kontratat për koncesione dhe PPP që shteti Shqiptar ka me palë të treta janë mina me sahat që mund të fundosë qëndrueshmërinë e brishtë të financave tona publike.

EUROSTAT publikon çdo vit të dhëna për detyrimet kontingjente(te buxhetit publik), lidhur me koncesionet dhe PPP-të. Kjo llogari dhe renditje bëhet për Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe për vendet e tjera që aplikojnë Standartin Ndërkombëtar të Kontabilitetit ESA 2010. Ndërkohë Shqipëria aplikon ende një standard të vjetruar të kontabilitetit, dhe pikërisht ESA 1995. Për rrjedhojë, Ministria e Financave nuk llogarit zyrtarisht detyrimet kontingjente të PPP-ve dhe koncesioneve. Po për këtë arsye, PPP-të dhe koncesionet nuk përfshihen në Llogaritë Kombëtare që vlerësohen nga INSTAT. Mungesa e vlerësimit dhe llogaritjes me këtë standard, bën që detyrimet e PPP-ve dhe koncesioneve në Buxhetin tonë të Shtetit të jenë të fshehura.

Vlerësimi i riskut nga detyrimet kontigjente ka qenë edhe një detyrë e lënë, tashmë prej shumë kohësh nga FMN, në raportet vjetore që ky institucion bën për Shqipërinë. Qëllimisht qeveria e sektit Rama ka bërë të shurdhërin dhe ende nuk e ka evidentuar, ose të marrë masa për të larguar minën me sahat nga financat publike, duke mos përditësuar standartet kontabël në lidhje me llogaritjen e detyrimeve kontingjente.
Zbatimi i standardit ESA 2010 është domosdoshmëri, për të ruajtur profesionalizmin dhe transparencën mbi përdorimin e financave publike, si dhe vlerësimin e borxhit publik real të vendit.

Mosmarrja e menjëhershme e masave do të sjelle pasoja edhe më të rënda për Shqipërinë, duke rrezikuar përsëritjen e katastrofës ekonomike të Greqisë gjatë krizës së borxhit publik 2011-2014, ku vendi humbi 25 përqind të pasurisë kombëtare, apo krizën aktuale të Malit të Zi, pas marrjes së 1 miliardë dollarëve borxh nga Kina në vitin 2014.

Skenarët Greqi-Mal i Zi na japin një tablo shumë të qartë sesi krizat e thella ekonomike që e çojnë vendin në kolaps janë rezultat i disa faktorëve të përbashkët, si • keqadministrim i financave publike, niveli i defiçitit fiskal që nuk vlerësohet realisht, duke sjelle humbjen e besueshmërisë së shtetit; • qeveria që nuk bën përpjekje të mjaftueshme dhe sistematike për të kontrolluar shpenzimet publike, për të menaxhuar evazionin e lartë fiskal dhe per të luftuar korrupsionin; • sistemi administrativ dhe politik qeverises, i paaftë për të kuptuar rëndësinë e zgjidhjes së këtyre çështjeve e problemeve ekonomike; • hezitimi për të ndërmarre masa të thella legjislative, si dhe • procese zgjedhore që zhvillohen duke patur qëllim të vetëm fitoren, duke i përshtatur programet elektorale me pritshmëritë e votuesve, dhe jo me nevojat reale dhe gjendjen aktuale të ekonomisë së vendit.
Të gjithë këta faktorë përkeqësues të gjendjes së borxhit publik dhe menaxhimit të fiunancave publike janë sot më realë se kurrë për Shqipërinë. Vendi ynë ka hyrë në zonën e kuqe të financave publike dhe të gjithë duhet të ngremë zërin kundër keq-qeverisjes së 8 viteve te fundit.
Të veprojmë sa nuk është vonë, sepse këto faje e gabime të akumuluara, që po shkatërrojnë qëndrueshmërinë e financave publike të vendit, do të na rëndojnë akoma dhe më shumë dhe gjatë jo vetëm neve, por edhe brezave të ardhshëm.

Po e mbyll këtë shkrim, duke sjelle paralajmërimin e Kenjs-it të madh në librin e tij “Si do ta paguajmë luftën?”. “Ne mund të përdorim politikën fiskale për të mbajtur një nivel të lartë të investimeve publike dhe për një kohë të caktuar, aty ku është nevoja më e madhe, të rrisim investimet duke rritur borxhin. Investimet duhet të nxisin konsumin, duke rritur nivelin e përgjithshëm të prodhimit dhe kështu, duke rritur të ardhurat. Sa më shumë konsum të ketë, aq më të larta janë të ardhurat kombëtare, dhe për këtë arsye, aq më të mëdha janë kursimet e shoqërisë, që mund të përdoren për të financuar investimet. Por ne nuk mund të mbajmë nivelin e lartë të investimeve publike, duke rritur gjithmonë borxhin publik!”(faqe 152, paragrafi 4. https://www.cambridge.org/core/books/collected-writings-of-john-maynard-keynes/how-to-pay-for-the-war-1940/CEA885AC611D63EBCB74D0ABE5B77A04).

Exit mobile version