Nga Agron Sejamini
Ish-faqosësi në Poligrafik, Bashkim Lushi rrëfen vështirësitë për botimin e numrit të parë të “RD”-së
Në orën 23.00, të datës 4 janar 1991, në një kohë rekord përfunduan të gjashta faqet e gazetës dhe u çuan flanet në repartin e gazetave për të filluar shtypjen.
Këtu nuk u lejua asnjë njeri përveç Bashkimit. Pas një ore, del gazeta e parë blu me emrin “Rilindja Demokratike”! I mbërthyer nga emocionet e forta, del në oborr duke e valvitur si të ishte një flamur… Tashmë, më e lehtë se gazeta, ishte bërë Bashkimi që hidhej dhe pritej në ajër nga studentët.
Një numër gazete nxori Bashkim Lushi, por e meriton të jetë pjesë e historisë së “Rilindjes Demokratike”, që sot shënon numrin 7661. Sepse, ai njësh, peshon më shumë se shumëfishat e tij.
Ka qenë një nga tipografët më të mirë të Kombinatit Poligrafik, në repartin e revistave Bashkim Lushi. Aty ku shtypeshin botimet më të rëndësishme dhe më cilësoret e atij sistemi, që për themel kishte vetëm ideologjinë komuniste. I saktë, i shpejtë dhe me shumë rendiment.
I vetmi njeri që mund të të nxirrte nga një situatë e vështirë ishte Bashkim Lushi. Të ngjan sikur fotografia e tij, nuk është hequr asnjëherë nga tabela e nderit. Mirëpo e vërteta dëshmon të kundërtën. Në 730 punëtorë që kishte ai Kombinat Poligrafik, më problematiku për organizatën e partisë dhe drejtorinë ka qenë pikërisht Bashkim Lushi.
Kanë qenë të njohura bëmat e tij. Kështu, nga viti 1979 nuk paguante kuotat e Bashkimeve Profesionale. Jo se i dhembseshin ato 30 lekë në muaj, por nuk e ndjente për detyrim. Pasoja për këtë veprim të dënueshëm ishte mosmarrja e fletëve të kampit për pushime.
Vazhdimisht, mungonte nëpër aksionet vullnetare, duke e konsideruar shpërfytyrim të personalitetit të punëtorit, punën pa pagesë. Edhe më i rëndë u konsiderua ajo që bëri atë ditë, kur iku në shtëpi pa realizuar normën, për faqosjen e veprës madhore të udhëheqësit të partisë, “Shënime për Kinën”.
Të paktën këtu, nuk priste kush të dilte pa u lagur. Fjala vjen, Bashkimi përfundoi punëtor kaldaje për tetë muaj… As vetë nuk e beson që ka shpëtuar, pa ndonjë të keqe më të madhe. Ia di për nder vetes, që nuk kursehej për punë dhe rakisë që e ka patur mikeshën e tij më besnike. Jo vetëm drejtuesit, por edhe ai shpeshherë justifikimin e çdo veprimi të dënueshëm e gjenin te gota.
Por, kjo nuk është plotësisht e saktë. Shpirti rebel i Bashkim Lushit e kishte burimin te sistemi i kohës, që vetëm të shfrytëzonte dhe të shpërfytyronte. Thënë ndryshe, ai kishte vite që kishte filluar të “faqoste” “Rilindjen Demokratike”, zëdhënësen e lirisë dhe demokracisë. Gjithsesi, nuk i mungojnë etapat që e çuan në atë mision aq madhor të realizuar më 4 janar 1991.
9 dhjetor 1990. Del nga shtëpia për t’u interesuar për djalin e tij që kishte ikur të luante futboll me shokët, diku pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Por, nuk mundi të mbërrijë… Tani, ishin familjarët e tij që dolën për të kërkuar Bashkimin.
Ndërsa ishte duke ecur, pranë Liceut Artistik përjetoi me dhembje dhe shumë emocion sulmin e policisë ndaj studentëve. Harroi për çfarë kishte dalë nga shtëpia dhe u bë pjesë e atij tubimi. Jo vetëm në protestë, por edhe në atë vetëmbrojtje të asaj dhune të ashpër dhe të shëmtuar. Bashkë me studentët për orë të tëra, përshkroi rrugica të shumta derisa shpëtuan nga arrestimi dhe shkopinjtë e gomës.
11 dhjetor. Ishte duke pirë kafe në mensën e Kombinatit Poligrafik, bashkë me Gim Alimehmetin, Halil Ferhatin, Perlat Voshtinën, Sali Bilbilin dhe kryetarin e Bashkimeve Profesionale, Hiqmet Melasin. Në atë bashkëbisedim shokësh, i gjithë muhabeti mbante dhembjen e dhunës ndaj studentëve.
Në çast u lind ideja për të bërë të pabërën. Ikin në repartin e punës dhe lajmërojnë për mbledhjen urgjente me të gjithë punëtorët e turnit të parë. As nuk kundërshtonin dhe as nuk dyshonin në seriozitetin e këtij njoftimi, se me ta për fat ishte edhe Hiqmeti, që po atë ditë do të jepte dorëheqjen nga kryetarllëku.
Të gjashtë ata, u ulën në presidium. Tema e diskutimit ishte vetëm pyetja: – Ç’mendim keni për protestat e studentëve? Të gjithë ata që diskutuan, mbështetën lëvizjen rinore dhe dënuan ashpërsinë e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, ishte përhapur lajmi se te Poligrafiku ishte ndërprerë puna… Pas dy orësh, numri i pjesëmarrësve në atë tubim spontan ishte dyfishuar.
Nga muret e Poligrafikut dhe jo dera kryesore, kishin vërshuar punëtorët e ndërmarrjeve të tjera që ishin aty afër. U shpall krijimi i sindikatës dhe u përgatit një komunikatë në mbështetje të studentëve, të cilën atë pasdite e lexoi në Qytetin “Studenti”, Gim Selimi, punëtor i repartit të galvinizimit.
13 dhjetor. Pas krijimit të Partisë Demokratike, ndjehej nevoja e shumëfishimit të programit. Për më tepër, më 25 dhjetor mendohej se studentët do të fillonin pushimet dimërore, duke mundësuar shpërndarjen e këtij programi në të gjithë Shqipërinë.
Materiali për t’u radhitur në linotip iu dha Natasha Llojit, që para disa muajsh ishte pushuar nga puna në Tipografinë Ushtarake, sepse kishte shtypur traktet që ishin hedhur në qytetin e Shkodrës. Shumëfishimin do ta bënte vetë Bashkimi. Një punë që kërkonte kohë, por edhe shumë kujdes.
Edhe në këtë drejtim, ai ishte mjeshtër. Rreth orës 21.00, para se punëtorët e turnit të dytë të linin punën, ai futej te dollapi i rrobave. Dilte prej andej kur përgjegjësi i repartit dhe kontrollori i cilësisë, pasi kishin mbyllur portën e madhe dorëzonin çelësat te roja. Me shumë kujdes, ai vendoste torkion (pajisjen rul) në fund të repartit që të mos dëgjohej zhurma dhe ia niste punës.
Punonte pa pushim gjithë natën. Në mëngjes, para se ora të vinte shtatë, kur fillonte punë turni i parë, ai hynte përsëri në dollap. Pa rënë në sy te të tjerët, me shumë kujdes, dilte prej andej dhe niste punën e shtetit. Pasdite, i njëjti skenar për të vijuar punën e shpirtit. Kështu, çdo natë deri më 20 dhjetor. Pra, plot një javë pa ikur në shtëpi.
21 dhjetor. Lajmi për krijimin e sindikatës kishte mbërritur në qeveri. Këtë kryesi që përbëhej prej 14 vetësh me në krye Bashkimin e thërrasin në Ministrinë e Arsimit. Ndaj tyre u bënë një sërë pyetjesh nga Besnik Bekteshi, Sotir Koçollari dhe Alfred Uçi, duke testuar se në ç’shkallë ishte rrezikshmëria.
Pasi u deklarua i mbyllur ky takim, ndërsa përcjellin kryesinë e sindikatës së Kombinatit Poligrafik, ftojnë vetëm Bashkimin për të pirë kafe. Kafe u tha, se në fakt ishte seanca e dytë e mbledhjes. Por, Bashkimit i ka mbetur në kujtesë një ndërhyrje e Prof. Uçit.
– Unë jam akademik, në shtëpi kam edhe djalin e martuar, gatuajmë në banjë nga ngushtica… Si mendon ti, se Hekuran Isai është më i mençur se unë?!
Një pyetje që nuk kishte nevojë për përgjigje. Një pohim shumë domethënës dhe inkurajues për Bashkimin dhe shokët e tij, se lëvizja e nisur duhej çuar deri në fund.
3 janar 1991. Veshët i kapin sihariqin se do të dilte gazeta “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike. Pa i thënë kush, me një frymë troket te dera e Frrok Çupit që ishte caktuar kryeredaktor.
– Quhem Bashkim Lushi. Jam faqosës në Poligrafik. Dua që t’ju ndihmoj për gazetën.
– Faleminderit! E kemi zgjidhur atë problem, ia pret shkurt Frroku, paksa edhe dyshues për këtë vullnetar të panjohur.
4 janar. Dosja me materialet e numrit të parë të “Rilindjes Demokratike” mbërrijnë në repartin e gazetave në Poligrafik.
Fillon debati dhe kundërshtimi i të gjithë punëtorëve, duke mos pranuar të fillonin punë. Jo se kishin arsye politike, por thjesht se do u shtohej puna. Kjo jehonë përcillet edhe në kafe, duke rënë në vesh të Bashkimit. Me një frymë shkon te reparti i gazetave ku vazhdonte diskutimi.
Të gjithë i njihte, ndaj u lutet si shok që ta nxirrnin edhe atë gazetë. Mirëpo lutjet ranë në vesh të shurdhët. Nuk përmbahet, rrëmben dosjen e materialeve dhe i thotë Hasan Kasmit, përgjegjësit të repartit të gazetave, se do e përgatiste në repartin e tij. Mirëpo, Bashkimi ishte punëtor dhe jo drejtor.
Të dy ikin te zyra e drejtorit të Poligrafikut, Lirim Ruka, i cili kundërshtoi në mënyrë të prerë. Pas lutjeve të zgjatura të Hasanit se të paktën të lejohej vetëm botimi i këtij numri, ai thyhet. Kaq i duhej Bashkimit. Niset për te reparti i punës, duke u shoqëruar me një rit dasme.
Njëri prej personave që kishte sjellë materialet e gazetës, dy hapa para Bashkimit, fillon e spërkat shkallët me konjak… Hera e parë në jetë që nuk ka ndjerë dhembje, për atë lëng aq të dashur, kur e shikonte që derdhej si ujë. Menjëherë, u shpërndanë materialet linotipistëve Ferdi Sinoimeri, Flamur Këmbora dhe Hasip Halili. Rreth orës 15.00 bëhet gati lënda e radhitur për faqet e para.
Në krah të tij ishte faqosës edhe miku i tij, Sokrat Xhavara, që shquhej për punë shumë cilësore. Kaq ishin punëtorë. Të gjithë punonin vullnetarisht dhe me shumë dëshirë për të përgatitur numrin e parë të kësaj gazete. E ndërsa, punëtorë kishte pak, e gjithë salla gumëzhinte nga studentët që ishin kureshtarë për shkrimet që do të botoheshin dhe proceset e punës.
Kur dukej se gjithçka po ecte mbarë, në punë e sipër, dora e Sokratit skuqet nga gjaku. Ishte duke prerë në tranxhë, klishenë e fotografisë së Rexhep Qoses. Nga numri i parë, ky njeri ka qenë ters për faqet e kësaj gazete… E ndërsa Sokrati u çua në spital për mjekim, vendin e tij e zë brigadieri i turnit Bujar Çaslli.
Në orën 23.00, në një kohë rekord përfunduan të gjashta faqet e gazetës dhe u çuan flanet në repartin e gazetave për të filluar shtypjen. Këtu nuk u lejua asnjë njeri përveç Bashkimit. Pas një ore, del gazeta e parë blu me emrin “Rilindja Demokratike”! I mbërthyer nga emocionet e forta, del në oborr duke e valvitur si të ishte një flamur… Tashmë, më e lehtë se gazeta, ishte bërë Bashkimi që hidhej dhe pritej në ajër nga studentët.
Vonë shumë vonë, si të ishte në një përrallë niset më këmbë drejt shtëpisë, jo për të fjetur, por për të pushuar. Të nesërmen rreth orës dhjetë, shkon pranë selisë së Partisë Demokratike. Mundohet që të gjejë një kopje gazete, por ishte e vështirë. Kujtojmë se tirazhi i numrit të parë ishte 78 mijë kopje.
Troket te zyra e Arben Imamit, por edhe këtu nuk i jepet një kopje e asaj mrekullie, që për tërë natën e realizoi me shokët e tij. Dikush nga studentët që e njohu Bashkimin, ndërhyn duke buzëqeshur:
– Zoti Imami! Atij i takon jo një, por një mijë….
Një numër gazete nxori Bashkim Lushi, por e meriton të jetë pjesë e historisë së “Rilindjes Demokratike”. Sepse ai njësh, peshon më shumë se shumëfishat e tij. E ndërsa krenohet për ç’ka bërë, ndjehet i lënduar që në këto vite, ka mbetur i harruar nga PD-ja dhe “RD”-ja.
Të paktën në ditë festash, le të shkonte një ftesë edhe në adresë të Bashkim Lushit. Për të mos folur pastaj edhe për një ligësi tjetër. Gjashtë orë është filmuar atë natë kur u përgatit numri i parë i “RD”-së. Para një viti, tek ndiqte një emision special në një stacion televiziv, mbushi sytë me lot, kur u shfaqën sekuencat e para të asaj nate të paharruar. Por… u ligështua, sepse nuk mundi të shihte as veten dhe shokët e tij.
Në vend që të çmallej, kujtoi atë kohë kur retushi dhe krasitja ishin në modë… Gjithsesi nuk është bërë asnjëherë pishman dhe nuk ka vënë inat… Ai vazhdimisht në këto vite ka qenë kryetar ose nënkryetar i Partisë Demokratike për zonën 55/2, pranë Stacionit të Trenit. Ndjehet i lumtur, sepse demokracia i krijoi kushtet dhe mundësinë, për t’u ndjerë njeriu më i pasur në botë. Të tri fëmijët e vet i kanë mbaruar shkollat e larta, pa bërë asnjë ndërhyrje dhe pa harxhuar asnjë lekë.