Si doli pronar tokash në Spitallë qytetari 7 vjet pasi kishte ndërruar jetë! Skema e përdorur për tjetërsimin e 450.000 m tokë

Qindra mijëra metra tokë rezultuan të tjetërsuara në zonën e Spitallës në Durrës. Tjetërsimi sipas të dhënave ka ndodhur në harkun kohor të 4 viteve të fundit, ndërkohë që prokuroria ka mundur të sekuestrojë praktikat e mënyrës së si është kryer ky tjetërsim.

 

Pas vënies në pranga të 5 personave dhe disa të tjerëve nën hetim, gjykata dje ka dhënë masën e sigurisë për ta duke lënë në burg 5 të arrestuarit. Nga informacionet zyrtare bëhet me dije se Lirim Xhameta, Dashnor Taulla, Ardit Kërtusha, Leonard Kadrimi dhe Gjovalin Ndoci ranë në pranga si pasojë e një operacioni në kadastrën e Durrësit tri ditë më parë.

Hetimi për rastin u tha se nisi një vit më parë, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Fiqiri Shaba, i cili pretendonte pronësinë mbi dy sipërfaqe toke, kur një ditë konstatoi se një pjesë e pronës ishte rrethuar nga një mur betoni. Kallëzuesi thotë nuk e dinte kush ishte zaptuesi, por hetuesit zbuluan se prona ishte shitur dy herë dhe i kishte kaluar një kompanie private.

Hetimet intensive që zgjoi qytetari që iu kishte shitur toka dy herë zbuloi një ‘masakër’ të vërtetë të ndodhur në zyrat kadastrale të qytetit të Durrësit, ndërkohë që një nga ‘pronarët’ që identifikoi prokuroria, kishte ndërruar jetë që 21 vjet më parë. Në fakt, nga dosja hetimore mësohet se ‘pronari’ që nuk je tonte rezultonte pronar që në vitin 2010, që sërish kishte 7 vjet që kishte ndërruar jetë. Sipas hetimeve, dyshohet se pronësia në emër të të ndjerit është realizuar me dokumente të falsifikuara dhe ka ndodhur viteve të fundit dhe jo në vitin 2010, siç pretendohet nga të hetuarit.

DOKUMENTIMI I VEPRIMEVE TË KADASTRËS

Në dosjen e prokurorisë është bërë publike me detaje skema manipuluese për të kthyer tokën shtet në tokë privat. Janë identifikuar dy episode të ndryshme me gati të njëjtën sipërfaqe toke. Për njërën bëhet fjalë për një tokë 75 mijë metra katrorë dhe 76 mijë metra katrorë tokë. Sa i përket rastit të parë prej 75 mijë metrash katrorë, tokën e përfitoi një person i vetëm që më pas e shiti për 20 ditë.

Tokat ishin regjistruar në emër të një personi të quajtur Lirim Xhameta, që në fakt nuk ishte e tija. Ai ka pretenduar para hetuesve se u kontaktua nga një person i quajtur Diti në vitet 2018- 2019 për të përfituar një sipërfaqe toke, duke qenë se Lirimi ka qenë punëtor ferme. Pasi i plotësoi dokumentacionin, i tha se do t’i jepte 2 milionë lekë të vjetra në këmbim të tokës, të cilën Lirim Xhameta as nuk kishte dijeni se ku ndodhej.

Akti i marrjes së tokës në pronësi në emër të Xhametës rezulton që në qershor 1999 dhe dyshohet se është tërësisht i falsifikuar, pasi vetë Lirim Xhameta nuk ka asnjë dijeni se ka përfituar tokën si ish-pronar dhe aq më tepër në sipërfaqe kaq të madhe. Regjistrimi i kësaj toke është futur arbitrarisht në arkivin e Kadastrës së Durrësit në vitin 2019, në numër reference të vitit 2010.

Për të regjistruar të katër pasuritë në emër të Lirim Xhametës, Gjovalin Ndoci ka dorëzuar fillimisht te noteri dhe më pas në ASHK certifikata pronësie dhe harta treguese të falsifikuara si të jenë të vitit 2010 dhe kartela pasurie në emër të Lirim Xhametës, por pa datë regjistrimi. Këto janë bërë nga juristi Mikel Zako dhe hartografi Malvino Turku, të ngarkuar nga përgjegjësia e zonës Albana Gjoni dhe të gjitha veprimet në ASHK janë bërë në një ose dy ditë. Të gjitha veprimet e para në maj 2019 janë bërë nga ish-juristja në ASHK Durrës, Aida Kila. Tokën e dytë prej 76 mijë metra katrorë ishte regjistruar në emër të Dilaver Taulla, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2003.

Për këtë rast, Prokuroria e Durrësit ka pyetur Dashnor Taulla, i cili ndër të tjera ka deklaruar se rreth muajve maj–qershor 2019, i njohuri i tij, Krenar Karati, i ka thënë se njihte një shokun e tij që t’i rregullonte dokumente që të përfitonin tokë. Më pas janë takuar Dashnori dhe Krenari me shtetasin Ardit Kërtusha dhe ky i fundit i ka marrë përsipër që t’i rregullonte tokë, pasi sipas Arditit i takonte sipas ligjit. Pasi kanë rënë dakord, pjesëtarët e familjes Taulla kanë shkuar të gjithë tek Zyra Noteriale e noterit Juled Begiraj kanë firmosur disa dokumente, por pa i specifikuar se çfarë ishin konkretisht, por ishin pikërisht për këtë pasuri që kishin biseduar Dashnori, Krenari dhe Arditi.

Në vijim Dashnor Taulla ka deklaruar se që nga ajo ditë nuk e ka takuar më shtetasin Ardit Kërtusha dhe se nuk ka përfituar asgjë nga ky veprim. Pas disa muajsh, ai i ka thënë Krenarit se çfarë u bë me tokën dhe Krenari i ka thënë që shkojmë të takojmë Arditin. Arditi i ka thënë që e kam sqaruar Krenarin për tokën dhe nuk kam pse të sqaroj dhe ty e në vijim kanë debatuar Dashnori me Arditin. Pasi janë ndarë, Dashnori i ka thënë Krenarit që t’i bënte mirë llogaritë se mos na dilte ndonjë problem e Krenari i ka thënë që çdo gjë është në rregull dhe se Arditi do i rregullonte këto punë.

Prokuroria ka kryer veprime hetimore intensive pranë ASHK Durrës në lidhje me regjistrimin fillestar të këtyre pasurive dhe vijimin e tyre, nga të cilat ka rezultuar se ky akt dyshohet se është tërësisht i falsifikuar pasi rezulton se shtetasi Dilaver Taulla ka vdekur në vitin 2003 dhe siç rezulton nga deklarimet e trashëgimtarëve asnjë prej tyre nuk ka pasur dijeni në vitin 2010 se babait të tyre të ndjerë i takonte toke në Spitallë si ish-pronar.

TË ARRESTUAR

1- Leonard Kadrimi, 35 vjeç, banues në Durrës, ish-zv.drejtor i ASHK Durrës, – Akuzohet për “Shpërdorim detyre”

2- Lirim Xhameta, 58 vjeç, përfitues i 75 000 m2,.banues në Durrës, akuzohet për “Mashtrim” e “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

3- Dashnor Taulla, 61 vjeç, përfitues i 76 000 m2, banues në Durrës, akuzohet për “Mashtrim” e “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

4- Ardit Kërtusha, 33 vjeç, banues në Lagja nr.15, rruga “Aleksandër Goga”, Durrës. Akuzohet për “Mashtrim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

5- Gjovalin Ndoci, 44 vjeç, banues në Durrës, akuzohet “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

NË KËRKIM

-Mikel Zaho, 46 vjeç, banues në Durrës, ishjurist i ASHK Durrës, akuzohet për “Shpërdorim detyre”.

-Krenar Karati, 65 vjeç, banues në Durrës, “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

DETYRIM ME PARAQITJE 2 HERË NË MUAJ

1-Aida Kila, ish-juriste e ASHK Durrës, akuzohet për “Shpërdorim detyre”.

2- Oliver Xhamuça

3- Bukuroshe Bega

4- Shqiponjë Vaka

5- Shkëlqim Taulla

6- Kastriot Taulla

7- Ëngjëll Taulla

8- Klaudio Xhameta

9- Myzejen Xhameta

Exit mobile version