Si duhet të ndryshojë Bashkimi Europian

Në BE fryn erë krize, në jug, në perëndim, në lindje. Por problemi është tek vetë BE. Atij i mungon orientimi nga e ardhmja. Qytetarët e angazhuar mund ta ndryshojnë këtë, mendon filozofi bullgar, Andrey Raychev. Qëkur mbaj mend, më kujtohet se kam dëgjuar këmbanat e vdekjes: “Vendet anëtare të BE do të grinden për çelikun”, “BE do të marrë fund në grindjen për kuotat e peshkimit”, “Europa do të dështojë për shkak të migracionit”. Ka kohë që dëgjohen këto këmbana, por tani më fort. Si evropianolindor e njoh këtë motiv nga ana tjetër: Para 30 apo 40 e 50 vjetësh, Moska e groposi bashkësinë europiane. Pas një ndërprerjeje të shkurtër, Kremlini e bën këtë sërish. Që atëherë shumë bullgarë u besonin këtyre thirrjeve. Edhe sot po ashtu. Ky refren zgjon mes europianëve ndjesinë se diçka nuk është në rregull. Kjo nuk është edhe aq e gabuar. Po e them me një shprehi –“kur vuan nga mania e përndjekjes nuk do të thotë, se nuk përndiqesh vërtet”. E transferuar tek BE: Lumi i fjalëve për fundin e saj të afërt, është i pakuptimtë. Por kjo nuk do të thotë, se BE nuk e ka një problem kardinal.

Shumë konsens, shumë pak qëllime
Problemin e dimë prej kohësh – borxhet e Greqisë, Italisë, Spanjës, (të shpresojmë edhe jo të Francës). Në Perëndim, Brexit ka lënë një plagë që dhemb. Në Lindje ka fërkime në shumë vende – Hungari, Poloni, Çeki, Sllovaki. Vërtet është BE i sëmurë rëndë? Jo. Jo vërtet. Ai vuan vetëm nga konsesusi i tepërt, si edhe nga deficite në qartësinë e qëllimeve. Si fjala konsens ashtu edhe qëllim janë përcaktime të së ardhmes, pra elemente bazë të politikës. Por të dyja dallojnë fundamentalisht nga njëra-tjetra. Një qëllim përshkruan diçka siç duhet të jetë. Konsensi përkundrazi atë që nuk duhet të jetë. Qëllimi të orienton nga e ardhmja, duke prodhuar një “ne” të përkohshme. Ndërkohë që konsensi ka një të ardhme të padefinuar, por prodhon një “”ne” të përhershme. Në këtë optikë të bëhet e qartë: Në BE-në e sotme ne nuk jetojmë si do të donim, por si mundemi. Kriza nuk shkund të gjithë themelin e liberalizmit (idetë e lirisë, shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, përgjegjësinë individuale), por një pjesë të dakortësive liberale. E për to duhet treguar kujdes. Shtëpia e përbashkët do ajrosur, pastruar, rimobiluar.

E zezë apo e bardhë – pa tone gri
Përballë çdo krize të re, ne kërkojmë mbrojtje tek iluzioni, se duhet të diskutojmë gjatë e të mendohemi pa fund deri sa të marrim vendimin e duhur, si tek çështja e refugjatëve. Por në këto debate ne nuk lëvizim asnjë centimetër përpara. Sepse ne diskutojmë, se çfarë nuk duhet të bëjmë, por jo se çfarë duhet. Ky kërkim për një konsens negativ gropos fundamentin europian, ai prodhon skepticizmin dhe ndjesinë se, Europa është e sëmurë kronike dhe pa shanse mbijetese. Prandaj duhet të ndalim me këtë kërkim. Kemi nevojë për të kundërtën. Për polarizim. Për polarizimin e opsioneve politike që duhen peshuar, dhe jo përpjekjen e pafund për një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë (e në fund një zgjidhje gjysmake). Për shembull duhet të vendosim ose pro ose kundër energjisë atomike –dhe jo të fshehim problemin pas retorikës së përzierjes së energjive. Një vendim politik pra dhe jo ngecje në formën nga njëra anë, nga ana tjetër të ekspertëve.

Një imazh i ri për të ardhmen
Nuk dua të vë me shpatulla pas muri “liberalët vajtues” dhe të mbroj liderë maskilistë që marrin shpejt vendime e janë ambiciozë. BE është një lidhje për një të ardhme të përbashkët, ajo përcaktohet në fund të fundit nga ky synim për të ardhmen e përbashkët. Problemi këtu është se kjo e ardhme është në krizë. Dhe një e ardhme e sëmurë mund të zëvendësohet nga një imazh i ri orientues. Ku duhet të fillojmë? Tek qendra e pushtetit politik. Përfytyroni votime europiane presidenciale, ku të marrin pjesë qindra milionë qytetarë të BE. Përmes kësaj qytetarët kanë ndikim të drejtpërdrejt tek pushteti politik. E kur të vijë dita që europianët të kenë një përgjigje për pushtetin politik supracional, automatikisht do të ketë përgjegjësi për politikën e BE në të ardhmen. Kështu lind një polarizim shërues, një fuqi përthithëse që e zëvendëson burokracinë ankuese e larg realitetit të BE me marrëdhënie të vërteta pushteti.

Europa ka nevojë për ajër të pastër
E po qe se e krijojmë një qendër të tillë pushteti, atëherë do të vëzhgojmë, diskutojmë, ndikojmë veprimin e saj, e jo si deri më tani vetëm planet e saj. Sepse deri më tani ne synojmë paqen para një konflikti. Ndërkohë që rruga tjetër do të ishte më e frytshme – njëherë konfrontim, pastaj mirëkuptim. A janë qytetarët e BE gati për këtë? Këtu kam dyshime. Por Europa duhet ta provojë këtë. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin marrë vendim për një president, por për një komision ndërshtetëror, SHBA do të kishte marrë fund prej kohësh. Pra, të dashur qytetare e qytetarë të BE – nuk kemi nevojë për ilaçe. Europa nuk është e sëmurë. Ajo që kemi nevojë është ajri i pastër. E para së gjithash duhet t’i japim vetes të ardhmen. BE është një sukses i jashtëzakonshëm historik dhe perspektiva e vetme pozitive për qindra milionë njerëz. Ai vetëm se është parakaluar nga vetja, dhe duhet të veprojë tani – jo me hezitim, me vendosmëri.

Exit mobile version