Si e mori krimi tenderin 7 milionë euro të kanalizimeve të Elbasanit

Në maj të vitit të kaluar Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve të Elbasanit shpalli një tender me vlerë 7 milionë euro me objekt “Rikonstruksion dhe ndërtim i rrjetit të kanalizimeve të zonave informale: Harmës; pjesërisht Krastë e Vogël, pjesërisht Lagjja: Dyli Haxhire” dhe, pjesërisht Lagjja: Katund i Ri”.

Që në fillim tenderi ngriti dyshime të forta për paracaktim të fituesit. Sipas dokumentave, në kapitullin e kritereve të veçanta të kualifikimit kompanive u kërkohej të kishin dy inxhinierë ndërtimi me profilin konstruktor/strukturë edhe pse nuk bëhej fjalë për ndërtime strukturash, por thesht për kanalizime. Paralelisht kërkohej që kompanitë të kishin 2 inxhinierë hidroteknikë, 3 topografë, 2 gjeologë, 9 hidraulikë, 4 saldatorë, 7 muratorë etj.

Të gjithë këta punonjës nuk lejoheshin të kontraktoheshin nga jashtë, por duhet të ishin pjesë e listëpagesave të kompanisë të paktën 3 muaj para shpalljes së tenderit. Por nuk mbaronte këtu.

Pjesa tjetër lidhej me makineritë e kërkuara. Në dokumenta kërkohej që kompanitë të kishin 39 lloje makinerish, për të cilat ishte përcaktuar në detaje sasia dhe tonazhi sa duhet të peshonin apo çfarë kapaciteti duhet të kishin. Në atë kohë disa kompani ndërtimi u ankuan se një pjesë e makinerive të vendosura në DST si kritere të domosdoshme kualifikimi nuk i lidhte asnjë funksion me procesin e ndërtimit të kanalizimeve, por ishin vendosur aty për të kufizuar konkurrencën.

Mës vonë u zbulua se kishte një arsye të madhe se pse Kanalizimet e Elbasanit i kishin qepur kriteret e tenderit në atë mënyrë. Kontrata lobohej nga banda e Suel Ccelës. Shumë kompani ndërtimi u paralajmëruan paraprakisht që të mos hynin në tender. Disa prej tyre madje edhe u kërcënuan. Jo vetëm nga krimi, por edhe zyrtarë.

Gjithsesi, në tender u paraqitën dy oferta. E para ishte e bashkimit të shoqërive BE-IS dhe Curri, të cilat ofruan çmimin 6.2 milionë euro. Ndërsa oferta e dytë ishte ajo e lobuar nga banda e Suel Çelës përmes bashkimit të kompanive Meteo, Totila dhe Alba Konstruksion. Ky bashkim kompanish ofroi çmimin 6.97 milionë euro. Pra sa 99.5 për qind e fondit limit dhe gati 800 mijë euro më shtrenjtë se oferta e para.

formulari

Kanalizimet e Elbasanit e skualifikuan ofertën më të lirë me argumentet e kritereve. Si rezultat kontrata iu dha bashkimit të kompanive Meteo, Totila dhe Alba Konstruksion, ashtu siç ishte porositur nga banda, të cilat sigurisht kishin pjesën e tyre të madhe në kontratën e majme. Nën zë flitet se kompanitë fituese i paguan gati gjysmën e kontratës bandës.

Tashmë që SPAK ka mbyllur dosjen e parë për organizatën kriminale të Elbasanit, që dyshohet se drejtohej nga Çela e ka më të lehtë të shohë edhe kontratat e majme që krimi merrte nga institucionet publike. Hetimi nuk është shumë i vështirë.

Mjafton të thërrasin për të pyetur pronarin e kompanisë Meteo ose administratorin e shoqërisë rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve të Elbasanit. Dhe nëse këta nuk tregojnë për shkak se janë kërcënuar, atëherë mund të shohin veprimet e keshit të kompanive fituese para dhe pas kontratës. Se të lëvizësh 3 milionë euro kesh, nuk fshihet dot.

Megjithatë kjo e kanalizimeve të Elbasanit është një nga rastet me flagrante. Por ka shumë raste të tjera se si buxheti pasuron krimin dhe pastron paratë e tij./Kapitali.al

Exit mobile version