Si e paralajmëroi Lulzim Basha arrestimin e Ilir Metës dhe shkërmoqjen e “Trekëndëshit të Bermudës” që në vitin 2021..

Rigels Seliman

Ka qenë në vitin 2021 kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ai që e ka paralajmëruar se çfarë do të ndodhte në të ardhmen me Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Fill pas pezullimit të Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe përpjekjes së Ramës dhe Metës për ta mbajtur në lojë me çdo kusht, epiteti “Trekëndëshi i Bermudës”, brinjët e të cilit mbajnë njëri-tjetrin, nga frika se rënia e njërit i hap rrugë rënies së dy të tjerëve, sot duket më shumë se kurrë një “profetësi” e realizuar.

Sigurisht që koka e trekëndëshit barabrinjës është Edi Rama dhe dihet që ai nuk mund të ekzistojë më pa prezencën e dy të tjerave. “Vendosmëria ime është e pakthyeshme, Trekëndëshi i Bermudës i ka ditët e numëruara, kështu që jepini gajret njëri-tjetrit sa të doni, por shpëtim, nga ajo për të cilën i keni hyrë në hak shqiptarëve, ti (Edi Rama) i pari dhe mbi të gjithë, nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një, brinjët e Trekëndëshit të Bermudës do të bien. Shqiptarëve do t’u hapet rruga e mbyllur 30 vite”, thoshte Basha.

Basha reagon për arrestimin e ish-deputetit të PS

Ndërkohë dje lryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar sërish për arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja. Në një postim në “Facebook”, Basha shkruan se Edi Rama është arsyeja pse krimi përdor pushtetin. Ai thotë se Jurgis Çyrbja u zgjodh deputet si në zgjedhjet e 2017-ës, ashtu edhe në zgjedhjet e vitit 2021, dhe krimi nuk do të mund ta zgjidhte pa bekimin e Edi Ramës. Kreu i demokratëve euroatlantikë gjithashtu thotë se përveç faktit që krimi është bërë njësh me pushtetin dhe qeveria është vendosur në shërbim të krimit, kjo është skema përmes së cilës Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur pushtetin në Shqipëri.

Ndërsa ata opozitarë që sipas tij tre vite më parë, i fërkonin barkun Edi Ramës duke legjitimuar krimin zgjedhor në Shqipëri, sot duhet të ndihen të paktën të turpëruar. Dhe si zgjidhje për këtë situatë, Basha sheh vettingun e politikanëve dhe ndarjen e politikës nga krimi. “Pa Edi Ramën, Çyrbet e tij, nga jugu në veri, nuk do ta përdornin dot pushtetin në shërbim të krimit. Në mënyrë të përsëritur kam denoncuar lidhjet e kësaj qeverie me krimin dhe nënshtrimin e saj përballë tij, i cili e ka ndihmuar atë të vijë në pushtet. Jo për herë të parë dalin në dritë fakte për lidhjet midis krimit dhe politikës, si dhe për ndihmën që krimi u ka dhënë në zgjedhje.

Jurgis Çyrben e zgjodhi krimi në vitin 2017. Jurgis Çyrben e zgjodhi krimi edhe në vitin 2021. Por krimi nuk do të mund ta zgjidhte atë pa bekimin e Edi Ramës, i cili e futi dhe e mbajti atë në listë. Sepse Rama kërkonte pushtetin për veten e tij dhe jo për shqiptarët. Deputeti i Edi Ramës, me bekimin e tij, ka dekonspiruar aksionet e policisë, duke i shërbyer personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për t’u shpëtuar arrestimeve nga policia. Në këmbim, këta persona i siguronin atij votues për ta mbështetur si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit.

Përveç faktit që krimi është bërë njësh me pushtetin dhe qeveria është vendosur që nga dita e parë e Edi Ramës në krye të saj në shërbim të krimit, kjo është skema përmes së cilës Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur pushtetin në Shqipëri. Ata opozitarë që, tre vite më parë, i fërkonin barkun Edi Ramën duke më fajësuar mua dhe duke legjitimuar krimin zgjedhor në Shqipëri, sot duhet të ndihen të paktën të turpëruar. Që Shqipëria t’i kthehet normalitetit sa më parë, duhet të bëhet vetting-u i politikanëve dhe ndarja e politikës nga krimi”, shkroi dje Basha.

Artikulli paraprak“Kërkoj pension 400 mijë lekë”, I moshuari protestë para Kryeministrisë: Na ka mbetur vetëm të kapim armët!
Artikulli tjetër“Pa fëmijët, as bukë s’hamë dot”- Pensionistët në protestë përpara zyrës së Edi Ramës