Si e parashikoi Ben Blushi, izolatrikun Berishë në 2025!!

Nga Ermal Peçi!

Ishte viti 2014 kur në atë kohë një prej njerëzve më euruditë që kishte Partia Socialiste filloi të paralajmëronte pasojat që do të kishte Shqipëria, dhjetëvjeçarin e ardhshëm në qoftë se Edi Rama nuk do të ndryshonte mënyrën e qeverisjes. Ben Blushi publikoi një libër me ese, ide dhe debate, të cilën e titulloi “Hëna e Shqipërisë”.
Një libër që trazoi ujërat e shoqërisë dhe ngjalli debate të shumta si brenda mazhorancës dhe brenda opozitës gjithashtu duke anatemuar frymën pesimiste dhe artikular mendime mbi baza optimiste, por që treguesi i të vërtetës, koha, i dha të drejtë Ben Blushit.
Në atë kohë askush nuk e dinte që Sali Berisha do të vinte një moment e do të shpallej “non grata” dhe askush nuk do ta besonte se ai do të ishte luditi i progresit brenda të djathtës dhe do të kishte peshën kryesore në rolin e izolantrikut shqiptar.
Ben Blushi shkruan se: “Shqipëria duke pasur dhe sëmundjet e veta ndoshta do të vuajë edhe më shumë si çdo trup i lodhur që pëson kolaps edhe nga një grip i huaj. Ndikimi në Shqipëri do të jetë ekonomik, por gradualisht edhe politik.
Pakënaqësia për klasën politike do të rritet. Shqiptarët do të bëhen edhe më skeptikë për partitë e tyre duke besuar se mungesa e reformave, rënia ekonomike, borxhet, papunësia dhe korrupsioni kanë përgjegjës ata që kanë zgjedhur”. Ky është terreni i përsosur ku do të lindin anti perëndimorë si në elitën politike edhe në elitën financiare sepse në realitetin shqiptar elita politike dhe elita financiare po bëhet një trup i vetëm, pra oligarkët e Sali Berishës u bënë oligarkët e Edi Ramës, pra duke ndryshuar vetëm fanellat, por duke luajtur në të njëjtën fushë futbolli që e ka emrin Shqipëri.
Ben Blushi ndër të tjera thotë: “ Kur flas për izolatrikët kam parasysh një njeri, i cili mendon se jeton mirë në habitatin e vet dhe arsyet për ta ndryshuar atë janë të vogla për të mos thënë të panevojshme. Izolatriku shqiptar është i pasur.
Ai e nis ditën njëlloj, pavarësisht se çfarë ndodh përrreth tij, në Shqipëri ose në botë dhe e mbaron duke llomotitur të njëjtat thashetheme të detajuara çdo mbrëmje”.

Rasti tipik është i Sali Berishës, me një gjuhë të vjetër me mendësi të një kohe të kaluar, të paaftë për të përcjellë shtetformim, bashkimin e të djathtës apo opozitës, politikbërje të shëndetshme, mirëqenie, janë vetëm simptomat e izolatrikëve shqiptarë, të cilët flasin si perëndimorë, por sillen si orientalë e përçues kaosi.

Sot, në vitin 2025, kjo diagnozë e Ben Blushit jo vetëm është vërtetuar, por është thelluar dhe institucionalizuar. Sali Berisha, edhe pse i shpallur “non grata” nga aleatët strategjikë të Shqipërisë dhe i kufizuar në veprim politik, refuzon të hapë rrugë dhe vazhdon të mbajë peng një opozitë që po shkrihet nën peshën e një lideri të së kaluarës. PD nuk është më një forcë me aspiratë për të fituar, por një mbetje e një lavdie të konsumuar, që vërtitet rreth një figure të vetme. Humbja në çdo qark, rënia e përqindjes së votës nga 2021 në 2025 – në disa raste me 22 deri në 41% – tregon jo vetëm krizë elektorale, por krizë shprese.

E megjithatë, Berisha, si çdo izolatrik, e nis ditën si gjithmonë: me mohimin e realitetit dhe përfundon duke ricikluar mantrat e tij mbi “bashkime historike” dhe “fitore të afërta”, ndërsa realiteti matet me votë, dhe vota është dënim. Ai shkon edhe në Parlamentin Europian, ku paraqet Shqipërinë si një vend të zhytur në diktaturë dhe krim, duke harruar se përballë ka diplomatë e eurodeputetë që e njohin vendin më mirë se ai, siç dijnë e marrëveshjet e fshehta. Ai shkon atje jo për të përfaqësuar Shqipërinë, por për ta përdorur atë si alibi personale, për të zhvatur një lloj legjitimiteti ndërkombëtar që koha ia ka mohuar.

Dhe ajo që është më e frikshme në këtë tablo, nuk është veprimi i Berishës, ai është i parashikueshëm, por heshtja e të gjithëve rreth tij. Askush nuk flet për “non gratën”, askush nuk e problematizon këtë fakt si një barrë për të ardhmen e opozitës. Deputetët, figurat e reja, analistët që dikur flisnin për standarde, sot bëjnë sikur ajo nuk ekziston. Ky është normalizimi i izolimit, i përjashtimit, i mohimit të realitetit – pra është jetë e plotë e një izolatriku, e kthyer në doktrinë politike.

E nëse në vitin 2014 Blushi fliste për rrezikun që Shqipëria të kthehej në një organizëm të lodhur nga gripi politik, sot ajo duket se është në koma demokratike. Sepse izolatriku nuk vdes, ai thjesht zgjat vetëminë, dhe për aq kohë sa gjen duartrokitës, ai beson se është i gjallë. Problemi është se me të, po mbytet edhe e vetmja mundësi për një opozitë të re, për një Shqipëri që do të shohë nga e ardhmja, jo nga dritarja e errët e viteve ’90.

Artikulli paraprakKujtime nga Spaçi: Ish-të burgosurit ritakohen në betejën ‘për mbrojtjen e ferrit’
Artikulli tjetërNesër do themi ishte koha kur patriotët flinin gjumë