Ish-shefi i Antidrogës në Fier, Dritan Zagani, ka përfituar azil politik në Zvicër, pasi u largua nga Shqipëria me pretendimin se i rrezikohej jeta nga bandat e narkotrafikut të lidhuara me strukturat shtetërore. Lajmin e publikon gazeta “Le Temps”, e cila ka realizuar edhe një intervistë me Zaganin, por për ta mbrojtur e identifikon atë me emrin Dermit dhe jo Dritan. Në rrëfimin e gjatë, Zagani tregon peripecitë gjatë kohës kur tentonte të godiste bandat e trafikut të drogës, por që sabotohej gjithnjë nga eprorët e tij të lidhur me krimin. Në fillim të kësaj jave, Kryeministri Rama refuzoi të komentonte akuzat e Zaganit gjatë një interviste për gazetën “dialogplus”. Më poshtë janë pjesë të intervistës së “Le Temps” me Zaganin. “Personi më i kërkuar në Shqipëri merr statusin e azilantit politik në Zvicër. Pas dy vitesh pritje dhe pavarësisht dy kërkesave nga qeveria për ekstradimin e tij”. Ky është fundi i një makthi të gjatë trevjeçar për një refugjat të pazakontë. Për të kuptuar historinë e tij, duhet të kthehemi pas në vitin 2013. Ai po monitoronte një trafikant famëkeq, ai fikson targën e një “Audi” të zi me dritare të errëta. Kur kthehet në stacionin e policisë, ai tronditet kur zbulon emrin e pronarit të makinës: Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm i qeverisë shqiptare. Kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj e përdornin makinën zyrtare si mbulesë për abuzimet e tyre në Qarkun e Fierit në Jug të vendit. Kundër këshillës së eprorit të tij, Dermit bën një raport. “Interesat në lojë janë shumë të mëdha, lidhja e trafikantëve me disa ministra të qeverisë Rama është e madhe”, shkruan ai. Dermitin nisin ta përgjojnë. Tre makina e ndjekin nga pas në çdo lëvizje. “Sa herë që përgatisja një operacion, trafikantët paralajmëroheshin një ditë përpara dhe ishte gjithmonë vonë”, thotë ish-polici. “Departamenti i Krimeve të Rënda në Tiranë e akuzon për shpërdorim të detyrës, për bashkëpunim në mënyrë të paligjshme me Italinë dhe me një grup mafioz. Në këtë rast, arrestimi i dy trafikantë dhe konfiskimi i 100 kilogramëve hashash, pengoi një operacion në shkallë më të gjerë. Ai akuzohet edhe se mbante kontakte të rregullta me disa oficerë të Guardia di Financas në Itali. “Kjo është qesharake. Hierarkia ime është e ditur, eprori im direkt është i njëjtë me mua gjatë këtij operacioni”, thotë ai. Shtëpia e tij bastiset, policia i kontrollon telefonat dhe kompjuterat. Ai vetë ndalohet në Burgun 313 të Tiranës. “Ky është vendi ku dërgohen të gjithë trafikantët e drogës dhe vrasësit. Ngjitur me qelinë time njoha një kosovar, të cilin e kisha arrestuar dhjetë ditë më parë në Fier me 3 kg heroinë. Refuzova të shkoj, pasi kisha frikë për sigurinë time”. Gardianët e transferojnë Dermitin në ndarjen e rezervuar për të burgosurit me probleme psikologjike. Ai qëndron atje për gjashtë muaj e tetë ditë. Për Dermitin, ka edhe më keq se burgu. Familja e tij kërcënohet me vdekje. Duke çuar vajzat në shkollë, gruaja e Dermitit ndalohet nga një makinë e zezë. “I thuaj burrit tënd se ky është fundi i familjes së tij”, i thotë shoferi. E pushtuar nga paniku, ajo vendos të largohet nga Shqipëria dhe merr strehim bashkë me tre fëmijët tek motra e saj në Milano. Në korrik të vitit 2015, në mungesë të gjykimit, Dermiti lirohet. Drejtësisë i ka lënë pasaportën. Por ai vendos të largohet. Familja e tij arriti në Bazel në shtator. Por qeveria shqiptare nuk e la me kaq. Në dhjetor të vitit 2015, Interpoli i dërgon një kërkesë Zvicrës për ekstradimin e Dermitit sa më shpejt të jetë e mundur. Kryeministri Edi Rama shfaqet disa herë në ekrane, duke sulmuar policin që u bë personi më i kërkuar në Shqipëri”. Më 16 mars 2016 formulohet një tjetër kërkesë. Për shkak se administrata zvicerane po shqyrtonte kërkesën, Dermiti duhet të presë. “Për tre vite kam jetuar si një bimë pa ujë”. Ndërkohë nis të përhapet një tjetër praktikë e denoncuar nga Dermiti, ajo e trafikut të hashashit me avionë nga Shqipëria drejt Italisë. Bashkimi Europian, në veçanti Italia, kanë dyshime për vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë fund trafikimit të hashashit dhe heroinës. Dy pilotë arrestohen nga Guardia di Finanza, organi kryesor i luftës kundër trafikut të drogës në Itali, por edhe në “Kolumbinë e Europës”, që tani është Shqipëria. Kolegët e dikurshëm të Dermitit, disa prej tyre në Guardia di Finanza, konfirmojë në kushtet e anonimatit se ai është një profesionist. “Dermit ishte një polic i shkëlqyer. Ne shpesh kemi bashkëpunuar. Por me zbulimet e tij, ai preku në Shqipëri. Ai na vuri Tiranën përballë kontradiktave. Nga njëra anë qeveria thotë se po përpiqet të ndalojë trafikun e drogës, nga ana tjetër i mbyll sytë para saj”. Që nga fillimi i vitit, shërbimi ajror i Guardia di Finanzas në Bari ka konfiskuar mbi 10 ton hashash nga Shqipëria. Një rritje e madhe, që kundërshton deklaratat e qeverisë socialiste shqiptare për suksesin e politikës së saj ndaj drogës. Qeveria e mëparshme e kishte ndaluar lëvizjen e gomoneve, por qeveria aktuale e riktheu. Zvicra është mjaft e shqetësuar për trafikun e drogave të forta. “Mafia shqiptare është përgjegjëse për pjesën më të madhe të tregtisë së heroinës”, thotë Dermiti. Dermit thotë se nuk do të ndalet këtu. “Emri im dhe i familjes sime janë përbaltur për dy vjet nga mediat pro-qeveritare. Miqtë e mi nuk guxojnë të thonë atë që dinë, disa më kanë bllokuar në Facebook. Është shumë e vështirë edhe për vajzat e mia, për shumë kohë më kanë etiketuar si kriminel”. Tani, i lirë për të qëndruar në Zvicër, beteja e tij është vetëm fillimi. “Unë nuk do të ndalem derisa të rrëzohet sistemi i korruptuar në vendin tim. Deri në frymën e fundit”. Pas kërkesave tona, as Sekretariati për Emigrimin dhe as ambasada shqiptare në Zvicër nuk komentuan për vendimin e Zvicrës për t’i dhënë azil një polici shqiptar.
Rilindja e ka shndërruar drogën në institucion
-Zoti Zagani, Kryeministri Edi Rama refuzoi të përgjigjej kur u pyet nga një gazetar zviceran për rastin tuaj. E patë reagimin e tij? Si t’u duk?
Po, e pashë mbrëmë në një program televiziv këtu ku jetoj. Si m’u duk thua ti… Unë thjesht mendoj se mashtruesit, pasi i dolën gënjeshtrat sheshit për ato që ka shpifur këto tre vite për mua, i mbaruan gënjeshtrat dhe u shmang ashtu si bën gjithmonë, kur s’ka më çfarë të gënjejë. Ju si gazetarë duhet ta njihni më mirë, sepse e ndiqni në gjithë sferat e jetës se si është dhe si gënjen ai.
-Si ndodhi që autoritetet zvicerane ju ofruan azil?
E thjeshtë fare. Ndoqa procedurat ligjore si gjithë njerëzit që i zë halli që më zuri mua dhe familjen time. U prezantova për atë që jam dhe situatën që ndodhesha së bashku me familjen… këta më dëgjuan dhe vlerësuan situatën si të drejtë. Vonoi pak se këta nuk e kishin të thjeshtë pas disa kërkesave të mbushura me shpifje, që shteti im i dashur dërgonte herë pas here këtu për ekstradimin tim, dhe pasi vlerësuan faktet dhe situatën më kthyen përgjigje: Pozitive, duke më dhënë një mundësi të dytë në këtë jetë, por mbi të gjitha për fëmijët e mi, që kanë kaluar gjithë atë stres, duke parë e dëgjuar se çfarë shpifën ‘Rilindja’ me shefin e tyre ndaj meje dhe punës sime për një kohë të gjatë. Pra, këtu ka shtet ligjor të së drejtës dhe nuk pyet njeri për të fortët si në vendin tonë, kështu dhe e drejta fitoi, por kjo është thjesht një betejë, ka akoma për të bërë.
-Pas dy vitesh shpërfillje, qeveria shqiptare më në fund ka pranuar problemin me drogën dhe mbjelljet. Ju si mendoni, cili do të jetë epilogu i kësaj historie?
Siç e thatë u deshën gjithë këto që ndodhën, që këta ta pranojnë realitetin, ndaj unë jam skeptik për këtë situatë, dhe besoj pak që këta që bënë këtë që bënë deri më sot, do të luftojnë këtë fenomen, sa të jenë këta thjesht do të gjejnë forma të reja ta kamuflojnë realitetin, dhe e kanë demonstruar që janë mjeshtra ta bëjnë. Besoj e keni ndjekur situatën si fliste lideri apo edhe ish-ministri për këtë fenomen, e keni ndjekur mjeshtërinë propagandistike që kanë të fshehin të vërtetën për një kohë realitivisht të gjatë, edhe pse fundi dihet, e vërteta sado të fshihet do të dalë një ditë, por koha që kalon, duke e fshehur është thjesht kosto për ne shqiptarët që ëndërruam të jetojmë si gjithë Europa dhe ajo ditë në vend që të na afrohet përherë e më shumë po largohet falë kësaj politike të mbrapshtë… Pra, unë s’kam besim në një rezultat pozitiv kundër këtij fenomeni, që për hir të së vërtetës ekzistonte si fenomen që luftohej nga Policia aq sa mund të bëhej, por sot Rilindja e ka kthyer në një ‘institucion’ dhe që mendon të sundojë gjatë falë tij, ndaj shpresa është e pakët.
-Kur qeveriste PD-ja dhe ju ishit në detyrë ishte problemi i Lazaratit. Mos vallë problemi me mbjelljet është përtej ngjyrave politike? A nuk mendoni se është nevojë për mbijetesë kjo rrugë?
Jo unë nuk e mendoj si arsye mbijetese. Kjo mënyrë është thjesht përfitim i shpejtë dhe i pa ndershëm, që tek e fundit nuk sjell asnjë të mirë të përgjithshme. Sjell vetëm përfitim për të fortët (duke filluar që me politikanët, trafikantët dhe gjithë hallkat e lidhura ngushtë në këtë aktivitet të paligjshëm). Më lart thashë se fenomeni ekzistonte, hashashin nuk është se e sollën këta në 3 vjet, por një gjë është të ketë fenomen kriminal që e ka mbarë bota, dhe tjetër gjë është që një fenomen i tillë të përkrahet dhe zhvillohet në heshtje nga vetë ata që përfaqësojnë shtetin. Nuk them që asnjëherë kur isha në detyrë nuk kishte të tilla fenomene, por atëherë i luftoja pa frikë dhe nuk kishte asnjë shef që drejtpërdrejtë të më sulmonte pse bëja atë që bëja, jo më të mendohej që vetë ministri apo edhe Kryeministri të bëjnë këtë që u bë këto 3 vjet. Kjo, me aq sa e njoh unë zanatin dhe botën është thjesht diçka e paprecedentë për kohën që jetojmë. Dhe diçka do të doja të përmendja, e ndjek nëpërmjet jush, medias, jetën dhe realitetin shqiptar. Një gjë më ka bërë përshtypje, e keni parë Kryeministrin në një takim live diku me fshatarë të Jugut që i kërkonin Kryeministrit rrugë fshati dhe një jetë më të mirë. E keni parë se si u përgjigj ai në një rast: Si jeni me hashashin andej nga fshati juaj?”. Kjo ishte përgjigja e tij për rrugën e fshatit, atëherë çfarë të thotë më tepër një që dëgjon këtë live, dhe mjaft se kjo temë hap aq debat sa do të duhej ditë e natë dhe nuk e mbyllim. Jo se unë jam kushedi kush i zoti, por kjo temë ka aq shumë fakte live saqë habitesh.
Hashtag.al