Një tjetër denoncim është bërë ndaj Emiljano Shullazit për një vrasje të ndodhur në vitin 2013 në Tiranë. Bëhet fjalë për vrasjen e Elidon Lafetës, i njohur ndryshe Elio Bondo, i cili u ekzektua para 3 vitesh. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili rrëfen për vrasjen e Elidon Lafetës nga Shullazi dhe marrjen forcërisht të dy katave tek Parku.
“Qytetari dixhital denoncon fshehjen nga çunat e krimit të vrasjes të Elidon Lafetës dhe marrjen forcërisht nga ana e tij të dy kateve shtesë të pallatit në zonën e Parkut dhe kërcënimin dhe gjobitjen nga Mili, vrasësi i partisë, të Fatbardh Plakut! Më poshtë keni të plotë mesazhin e tij. sb”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha, kohët e fundit, të gjithë policët dinë jashtëzakonisht shumë për Shullazin, por kërrkush s’guxon me folë. Të gjithë e dinë që ai vrau Elidon Lafetën ose siç njihej ndryshe Elio Bendo dhe nga vrasja e tij mori forcërisht dy katet shtesë të pallatit në zonën e Parkut. Shullazi kërcënoi dhe gjobiti edhe Bardh Plakun me dy kushërinjtë e tij që banojnë në Farkë. Zotëri, ai nuk është thjesht një kriminel, por ka një ushtri të vërtetë, emrat e të cilëve unë për shkak të detyrës i disponoj dhe do t’i dërgoj në një listë shumë shpejt”, i shkruan qytetari Berishës.
Në gusht të vitit 2013 në Tiranë u ekzekutua nga persona të paidentifikuar Elidon Lafeta, i cili kishte ndërruar identitetin në Elio Bendo. 35-vjeçari Lafeta menaxher i një pike bastersh, u ekzekutua nga dy persona me motor, kur ndodhej në makinën e tij në prezencë të së dashurës, e cila mbeti e plagosur në këmbë.
Vrasja ndodhi pranë shtëpisë së tij tek stacioni i fundit i Tiranës së Re. Sapo kishte darkuar me të dashurën e tij Elio Bendo po kthehej në shtëpinë e tij, kur pranë makinës ndaluan dy persona me një motor. Njëri nga personat në motor ka nxjerrë një pistoletë me silenciator, e ka drejtuar nga 35 vjeçari që ishte në timon dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë. Për siguri, atentatori ka qëlluar edhe njëherë tjetër në shpatullën e viktimës. Në fillim e dashura e tij nuk ka kuptuar atë që po ndodhte, por më pas ka parë viktimën që ka mbështetur kokën në timon i gjakosur. Atentatorët kanë qëlluar edhe mbi të me një plumb që e ka marrë në këmbë, pa rrezik për jetën.
Emiljano Shullazi ku ndodhet në arrest prej dy javësh pas kërcënimeve me jetë ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni. Shullazi kërcënoi dhe dhunoi Konin që të tërhiqej nga gara për Rektor të Universitetit të Tiranës, ndërsa Kulen e kërcënoi që të mos mbështeste Konin për Rektor. Arrestimi i Shullazit u bë me urdhër të Prokurorisë vetëm pak orë, pasi ish-Kryeministri Berisha denoncoi publikisht në një konferencë për shtyp kërcënimet që Shullazi kishte bërë ndaj dy profesorëve.
Tre ditë më parë, Shullazi u transferua nga paraburgimi 302 ku ndodhej që prej ditës së arrestimit dhe është dërguar në Elbasan. Burime nga Drejtoria e Burgjeve kanë bërë të ditur se, ai është dërguar në paraburgimin e Elbasanit, në sektorin VIP. Mësohet se Shullazi është dërguar në të njëjtin vend ku ishte Vladimir Gjuta para se të arrestohej. Ndërkaq bëhet e ditur se, miku i Shullazit, Blerim Shullazi është transferuar nga paraburgimi 302 tek ai “Jordan Misja” ose siç njihet Burgu 313. I arrestuari tjetër, Gilmano Dani është dërguar në paraburgimin e Fushë- Krujës.
Kandidatja e Shullazit do të thirret për të dëshmuar në Prokurori
Ish-kandidatja për Rektore të Universitetit të Tiranës, Klodeta Dibra do të thirret në Prokurori për të dëshmuar për kërcënimet e Shullazit ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni. Burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se shumë shpejt, Dibra do të merret në pyetje në lidhje me njohjet dhe kontaktet që ka pasur me Emiljano Shullazin apo personat rreth tij për kërcënimet e bëra ndaj dy profesorëve.
Prokuroria akuzon Emiljano Shullazin dhe bandën e tij, si personat që kanosën dy profesorët për të favorizuar kandidaten që doli humbëse në zgjedhje, Klodeta Dibra. Për këtë çështje, Prokuroria po shqyrton edhe kamerat e sigurisë së disa bizneseve pranë vendeve ku kanë ndodhur kërcënimet.
Dy ditë më parë, Prokuroria mori në pyetje dy profesorët Dhori Kule dhe Mynyr Koni. Akademiku Mynyr Koni, Rektori i ri i Universitetit të Tiranës ka pranuar para Prokurorisë se personi që e ndaloi dhe i kërkoi të tërhiqej nga gara e ka kërcënuar dhe dhunuar. Dy profesorët e kërcënuar, Dhori Kule dhe Mynyr Koni nuk përmendin emrin e Emiljano Shullazit para prokurorëve që po hetojnë kanosjen ndaj tyre, por deklaruan se janë kërcënuar nga persona që nuk i njihnin. Rektori Koni kërcënimin e personave ende të paidentifikuar e kishte marrë shumë seriozisht. Ai përveç se është ndjerë i kërcënuar, ka pranuar para hetuesve edhe për dhunën e ushtruar ndaj tij.
Emiljani Shullazi po hetohet edhe për gjobvënie ndaj biznesmenëve. Ndonëse katër biznesmenët që janë gjobitur nga Shullazi nuk kanë pranuar të dëshmojnë në Prokurori, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiliano Shullazin.
Hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtarë të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Për momentin, Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje-daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.
R.POLISI