Kryebashkiaku Abraham David Beame kishte mbushur të paktën dy blloqe shënimesh të shkruara me dorë dhe më pas të grisura plot nervozizëm, përpara se t’i dorëzonte një faqe sa të mjerë, aq edhe të vuajtur, sekretares së tij që t’ia shtypte me makinë shkrimi. Qenë rreshtat më të dhembshëm që kish shkruar ndonjëherë në jetën e tij: ai, një llogaritar i bërë politikan, do të kujtohej në librat e historisë si njeriu që nuk kish ditur të bënte hesapet. Alarmi dhe dëshpërimi rridhnin si lotë të hidhur prapa atyre pak shprehjeve: “Jam informuar nga Kontrollori i Llogarive se qyteti i New York nuk ka sot kesh të mjaftueshëm në dispozicion për të paguar detyrimet e tij. Jemi kështu në falimentin që kemi luftuar aq shumë për ta shmangur”. Pason firma dhe data: 17 tetor 1975, një ditë simbol në historinë e Mollës së Madhe, por edhe në historinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara. “Të bëjmë si në Amerikë”, ulërijnë njerëzit e çdo moshe dhe rreshtimi politik. Po, por si veprojnë në Amerikë? “Atje qeveria federale vrapon në ndihmë të administratave lokale për të shmangur falimentimin e tyre”, proklamojnë të zakonshmit nëpër talk-show. Dhe këmbëngulin: “FED-i pret para për të mbuluar borxhet”. Vërtet Federal Reserve vepron kështu? Seriozisht Uashington vrapon të mbyllë vrimat? Po California është formalisht e falimentuar siç dëgjojmë të thuhet në rrethin politiko–mediatik?
Kush i ka flokët tashmë të thinjur, trishtueshmërisht ose ndoshta me krenari, e kujton sesi ishte New York post’68-ës. Mitiku Columbia University, një prej vendeve të shenjta të baby boomers, ishte i rrethuar nga lagje në degradim të plotë, të mbytura nga pirgjet e plehrave, të përshkuara nga shpërndarës droge dhe nga banda gjakatare në luftë me njëra-tjetrën për dominim territori. Një film i suksesshëm, “The Night Warriors”, e kish mitizuar folenë e krimbave që po e hante Mollën e Madhe. Kush vinte nga jashtë paralajmërohej që të mos dilte natën, të mos merrte metronë, të mbante gjithmonë ndonjë kartëmonedhë me prerje të vogël në xhep për të zbutur plaçkitësit. E korruptuar dhe klienteliste, policia ishte vënë nën akuzë më 1971 nga një oficer policie, Frank Serpico, që do të bëhet një ikonë me filmin e interpretuar nga Al Pacino. Qyteti, emblemë e Amerikës liberale, kryeqyteti i kulturës amerikane (jo vetëm i asaj pop të Andy Warhol apo të Rolling Stone) ishte në kërkim të një identiteti të ri. Ndërkohë, rritej presioni për shërbime sociale, asistencë, sistem social, shkolla publike.
Teza e republikanëve ishte se njujorkezët e kishin kërkuar vetë, pasi donin të jetonin mbi mundësitë e tyre. Godiste në këtë buton ekonomisti Alan Greenspan, këshilltar i Presidentit Gerald Ford dhe i bënte jehonë Donald Rumsfeld, shef i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. Nuk e kishin krejtësisht gabim, aq sa “The Nation”, pikë referimi e vjetër e së majtës amerikane, në rindërtimin e krakut financiar të New York përdor të njëjtën analizë: “Qyteti ka provuar të ruajë të paprekur shtetin social të zgjeruar të tij, pavarësisht recesionit, rënies industriale dhe arratisë së klasës së mesme”, shkruan ajo. Ka gjithmonë ndryshime sociale të mëdha prapa krizave financiare pasi monedha, siç e kujtonte historiani Marc Bloch, nuk është një copë letër, por është “njëherazi barometër lëvizjesh të thella dhe shkaqesh jo më pak të mrekullueshme konvertimesh të masave”.
Kur mbërrinte embargoja e naftës pas sulmit të organizuar të Sirisë dhe të Egjiptit kundër Izraelit më 6 tetor 1973, festa e Yom Kippur, financat e qytetit janë tashmë nën stres. Abraham D. Beame e di. Llogaritar nga profesioni, më pas politikan me një karrierë të gjatë demokrate, Abe siç e quajnë miqtë, është kryebashkiaku i parë hebre praktikues në historinë e New York City. Paraardhësi i tij, John Lindsay ishte zgjedhur si republikan për të kaluar më pas tek demokratët dhe tentuar emërimin më 1972. Ish-oficer marine, avokat shtatgjatë dhe me pamje të bukur, kishte hyrë në politikë në kohën e Eisenhower, duke arritur të hyjë në Kongres. Më 1965 kishte fituar kolltukun e kryebashkiakut kundër Beame, por kish rezultuar i dobët, “i mërguar në qytetin e vet”, siç shkruanin gazetat dhe u rrëzua nga skandali Serpico, duke ia lënë derën hapur kokëfortit dhe luftarakut Abe, i cili i vënë nën presion nga kriza sociale e brendshme dhe nga ajo ekonomike që po niste e lë lojën e dyfishtë dhe fillon të shpenzojë. Duke e drejtuar gishtin kundër babëzisë së korporatave të mëdha, shpall: “Njujorkezët nuk duan të vuajnë për probleme që janë rezultati i forcave ekonomike që i shpëtojnë kontrollit të qytetit”.
Për të mbuluar borxhet, administrata emeton obligacione të reja dhe troket në dyert e bankave të mëdha të Wall Street. Hapja e World Trade Center me Kullat Binjake më 1972 duket si nisja e një epoke të re, pa imagjinuar se një vit më pas do të shpërthente recesioni më i keq i pasluftës. Në pranverën e 1975, bonot komunale bien ndjeshëm dhe bankat fillojnë që të mos i pranojnë më. Abe u kërkon ndihmë të gjithëve, duke filluar nga fondet e pensionit të punonjësve. Pastaj, siç është rregulli, i drejtohet guvernatorit të shtetit, edhe ai demokrat 24 karatësh, anëtari i parë i Kongresit që i kundërvihet luftës në Vietnam. Hugh Carey dhe zëvendësi i tij, Mario Cuomo ia kalojnë praktikën Emergency Financial Control Board, agjencisë që duhet të ndërhyjë në rast emergjence financiare. EFCB-ja i merr librat e kontabilitetit komunës dhe nis të vendosë masa drakoniane: rroga të ngrira, shkurtime organikash, asistencë e përgjysmuar, rritje të tarifave të transportit publik, mbyllje të disa spitaleve, librarive, deri stacione zjarrfikësash. Kriza shpërthen dhe sindikatat lëshojnë alarmin e rrogave dhe pensioneve.
Në këtë pikë hyjnë në skenë Banka Lazard dhe kreu i saj, Felix Rohatyn thirret për të kryesuar një komision të ngarkuar për të depërtuar në xhunglën e borxheve. Financier i shquar, mbështetës i madh i demokratëve, ambasador në Paris i emëruar nga Bill Clinton, shpjegon se qyteti u shpëtua nga 3 faktorë: “Ndjenja e përgjegjësisë e sindikatave që pranuan sakrifica të rënda; Wall Street që posedonte pjesën më të madhe të borxhit dhe kishte të gjithë interesin për ta ristrukturuar dhe ndërhyrja e qeverisë federale”. Sepse sistemi privat i vetëm nuk kishte kredit të mjaftueshëm sa për të përballuar krizën. I gjori Abe shkon në Washington me kapelen në dorë. Por Greenspan i përgjigjet thatë: “Nuk ka shmangie ndaj përgjegjësisë fiskale”. Nuk flet vetëm për vete, por për llogari të Gerry Ford, mason i deklaruar, presidenti i vetëm që nuk është zgjedhur as edhe si zëvendëspresident (u emërua nga Nixon vetëm pas dorëheqjes së zëvendësit të tij, Spiro Agnew dhe u ndodh i vetëm në godinën e Shtëpisë së Bardhë më 9 gusht 1974 pas impeachment të të keqtrajtuarit “Tricky Dick”). Vlerat e titujve njujorkezë në qarkullim bien në pikiatë, duke tërhequr pas vetes treguesin Dow Jones dhe Rumsfeld komenton: “Nuk është as katastrofë natyrore, as vullneti hyjnor, por një akt i vetëshkarkuar nga njerëzit që kanë qeverisur qytetin prej shumë kohësh”. I kthyer në shtëpi, kryebashkiakut nuk i mbetet gjë tjetër përveç dorëzimit dhe niset ta shkruajë, deri kur nuk i ka ardhur lajmi i parë prej shumë kohësh. Fondi i pensionit të mësuesve ka vendosur që të blejë bond për 140 milionë dollarë. Një ndihmë që shmang deklarimin imediat të falimentimit, por para duhen shumë më tepër, të paktën 20 herë më shumë. Dy ditë më pas Ford shqipton vendimin e tij: New York mund të vdesë top në vend. “Drop dead”, titullon në faqe të parë “Daily News”. Në realitet nuk ka thënë tamam kështu, duket se shprehja e turpshme nuk është thënë kurrë dhe shtypi e ka paraqitur goxha mirë. Por kuptimi është pikërisht ai.
Për të mundur intransigjencën e Ford, Greenspan dhe Rumsfeld, ndërhyn deri Kancelari gjerman, socialdemokrati i moderuar, Helmut Schmidt, i cili paralajmëron rreziqet që kolapsi i New York mund të shkaktojë mbi ekonominë botërore tashmë e vënë rëndë në provë nga kriza e naftës. Problemi merret në dorë nga Kongresi, i cili thërret të dëshmojnë administratorë dhe bankierë për të kuptuar sesi është arritur deri në këtë pikë dhe se çfarë të bëhet. Në fund miratohet një ligj, “New York City Seasonal Financing Act”, që garanton 2.3 miliardë dollarë. Në këmbim, administrata duhet të përqafojë dhe zbatojë një program të fortë rreptësie financiare. Po Greenspan? Kafshon gjuhën, por kur bëhet bankier qendror, i emëruar nga Ronald Reagan më 1987, zotëria i dollarit e largon ndonjë kapriço.
Nga vitet shtatëdhjetë deri më sot ka pasur 76 raste falimentimi në bonde komunale, 46 pas 1986. Në buletinin e falimentimeve spikasin disa qytete të mëdha si Detroit apo San Bernardino në California, por asnjë shtet, edhe pse për hir të së vërtetës si California, ashtu edhe Michigan i janë afruar shumë. Falimentimet shtetërore i përkasin gjysmës së parë të tetëqindës, saktësisht viteve dyzet, kur u prekën 8 shtete dhe territori i Floridas. Përvoja e falimentimeve zinxhir (që ka pasur një apendiks edhe pas Luftës Civile) i ka shtyrë amerikanët që të fusin norma rigoroze si detyrimi i barazimit të bilancit, sot në fuqi kudo, përveç se në Vermont. Paul Volcker, guvernatori i FED-it që mbyti hiperinflacionin në fillimin e viteve tetëdhjetë, ka drejtuar 3 vjet më parë një task forcë të ngarkuar për të analizuar bilancet e California, New Jersey dhe Virginia, tri shtete që kanë kaluar kriza financiare komplekse. Raporti sapo është botuar dhe përfundon me rekomandime, objektivi i të cilave është të krijohen bilance transparente dhe financiarisht të qëndrueshme (sot nuk janë, as njëra, as tjetra). Receta është më klasikja, por rrallë ndiqet: të përdoren resurset e zakonshme për të mbuluar kostot e zakonshme, çdo rrugë e shkurtër për të mbuluar vrimat me mjete të jashtëzakonshme – inxhinieri financiare, derivate, shitje të pronave publike – çojnë në një rreth vicioz.
Rekomandimi tjetër është që të mos hyjnë në borxh për të mbuluar shpenzimet operative, por vetëm për investime ose për të përballuar një krizë konjukturale. Të 3 shtetet i kanë shkelur rregullisht këto parime të financës të mirë dhe kanë hyrë në belara. Sidomos California, e cila me 38 milionë banorët e saj dhe një PPB më të lartë, të themi se ai italian, është një testim vërtet special.
Në dhjetor të 2009, Zyra Shtetërore e Analizave Legjislative në Sacramento, kryeqyteti i Golden State, deklaron se janë 21 miliardë dollarë në pritje midis vitit në zhvillim dhe atij në vazhdim. Sipas Zyrës së Bilancit, borxhi i shtetit shkon në 68 miliardë. Por duke mbledhur bashkë të gjithë borxhin e qytetit dhe të gjitha njësive vendore, arrihet në 500 miliardë, një barrë mjaft e rëndë që do të bënte të rrëzohej i gjithë sistemi financiar amerikan me një goditje shumë të fortë për atë ndërkombëtar. Çështja është akoma më e ndërlikuar, shpjegon Bill Watkins i Center for Economic Research and Forecasting, sepse nuk ekziston asnjë skemë normative për të menaxhuar një falimentim eventual të shtetit. Kjo e bën shtetin California too big to fail. Gjatë gjithë vitit Arnold Schwarzenegger, guvernator në fund të mandatit, u kish futur republikanëve të tij rritje rekord të taksave dhe kundërshtarëve demokratë shkurtime të mëdha shpenzimesh, duke i tërbuar të dyja palët, pavarësisht që ishte e qartë se emergjenca nuk ishte një manovër spektakolare prej Terminator. Përballë pamundësisë për të paguar në kartëmonedhë jeshile, shteti ka arritur që të emetojë “pranime borxhi”. Por bankat kryesore kanë refuzuar ta pranojnë këtë lloj kambiali.
Domethënë, California është gjendur në një situatë të ngjashme me atë të Greqisë. Por California nuk është Republika helene dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë Bashkimi Europian. Fillimisht një bilanc “lotë dhe gjak” me shkurtime prej 15 miliardë dollarësh, pastaj rregulla të hekurta dhe kontrolle më të rrepta lidhur me shpenzimet, së fundi gjallërimi ekonomik i 2010. E gjitha kjo ka mundësuar të shmanget një falimentim, i cili do të kishte qenë katastrofik. Me bumin e ri paskrizës, pasuesi i Schwarzy, demokrati Jerry Brown, ka mundur deri të nënshkruajë një bilanc në aktiv. Kraku financiar i madh ka paraqitur nevojën e një mekanizmi federal për të përballuar falimentimin komunal. Një qytet mund t’i drejtohet Kapitullit të 9-të të normativës për falimentimin nëse ndihmat që merr në nivel lokal nuk janë të mjaftueshme. Një shtet jo. Ligji Dodd–Frank që ka reformuar sistemin bankar dhe financiar ka rrëshqitur, pasi Kongresi ishte tepër i përçarë lidhur me një pikë me ndjeshmëri politike tejet të lartë. Paula Tkac, zëvendësdrejtore dhe Senior Economist e Federal Reserve të Atlanta, një prej qendrave kërkimore ekonomike më të mëdha në sistemin e Bankës Qendrore, kujton se, “shtetet e veçanta për arsye sovraniteti nuk janë subjekte të ligjeve federale lidhur me falimentimin dhe kështu që nuk ekziston një mbështetje federale për shtetet në vështirësi”. Për këtë arsye, bëhet gjithçka dhe më shumë me qëllim që të mos falimentojnë.
Për sa i përket FED-it, ndërhyrja e tij ka të bëjë me sistemin bankar. Ose, në limit Thesari i Shteteve të Bashkuara për llogari të të cilit mund të presë të gjithë dollarët e nevojshëm për të përballuar borxhet. Por nuk është kështu për administratat lokale që akoma qëndrojnë të ulura mbi një fuçi baruti: borxhet lokale për vitin e kaluar llogariten rreth 3700 miliardë dollarëve, shpjegon Paula Tkac, të cilave u shtohen 3000 miliardët e vrimës në fondet e pensionit. 75 për qind e titujve është në portofolet e familjeve dhe në fondet e pensionit. Tregu i municipal bond është territorial: për shembull, vetëm banorët e California apo të New York mund të blejnë bonot e emetuara nga shteti apo nga qyteti. Bono që kanë një karakter special, veç të tjerash janë të përjashtuara nga taksat. Por çdo humbje bie drejtpërsëdrejti mbi kursimtarët. “Mungesa e një mekanizmi ristrukturimi apo zgjidhje e borxheve të shteteve, konkludon Paula Tkac, vë në rrezik stabilitetin e sistemit”. Me pak fjalë, duhet një fond shpëtues i shteteve, diçka e ngjashme me MES-in (Mekanizmin Europian të Stabilitetit). Ai i saji nuk është një opinion i izoluar, por shpreh pozicionin e një pjese të Bankës Qendrore amerikane dhe mbështetet edhe nga mendimtarë progresistë, si puna e Roosevelt Institute, kryeekonomist i të cilit është Joseph Stiglitz. Prerazi kundërkonservatorët e American Enterprise Institute apo neoliberistët e Cato Institute. Asnjëri nuk e ka zgjidhjen gati, ecet përpara me prova dhe gabime. Siç shkroi Samuel Beckett: “Dështo, akoma dështo, dështo më mirë”.
(Nga Il Foglio Quotidiano)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA