Si filloi rrënimi i Shqipnisë prej pushtetit komunist

At Zef Pllumi

Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vu “trobojnica”. Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim.
Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan: “Duam të hipim në këmbanare”. Portieri më thirri mue, sepse un ditë për ditë u ngjitshem atje nalt për me kurdisë sahatin, të cilin e shifte gjithë Shkodra. Në të vërtetë, për këtë detyrë ishte i ngarkuem Át Filip Mazreku: ai kishte vendosë së fundit flamurin e vërtetë të shqiptarëve më 27 nandor 1944, por tue kenë se un ishem i rí e i gatshëm, m’i besoi çilsat e kumbonares. Shkova me vrap e gjeta Át Filipin e i thashë se te porta kishin ardhë partizanët e dojshin çilsin e kumbonares.
“Ndigjo, – më tha, – un nuk mund i shof me sy; ti e din se këta ma kanë zhdukë vllanë tem në Tiranë, pa shej, pa nishan. Ne nuk ia dim as vorrin, që të thomi nji uratë e t’i dërgojmë nji lule. Të lutem, shko ti me ta, çilsat i ke. Por ndigjo këtu: mos i len vetëm as për nji çast. Zoti e din se çfarë kurthesh mund të vejnë!”. “Jemi të dërguar nga komanda për ta hequr atë rreckë që valavitet atje lart. Është turp, thanë ata, që m’u mbi sheshin kryesor të qytetit të valavitet ajo leckë që nuk e ka as yllin partizan!”. “Eh, po nuk kemi tjetër”. “I kemi prurë neve, të rinj fringo. Ja flamuri i Jugosllavisë motër, dhe ky me yllin partizan”. “Dy flamuj? – pveta un. – Po ne kemi nji shtizë të vetme; nuk janë vendosë kurrë dy flamuj!”. “Pse, t’Italisë nuk e vendosët ju?” “Kurrë”. “As atë të Vatikanit?” “Jo, kurrë”. “E si t’ia bëjmë?”. “Si të doni”. “Ja që do kthehemi; do të marrim edhe një tjatër shtizë, prandaj na prit këtu e mos ik gjëkundi”.
Kur erdhën së dyti me shtizën tjetër, kërkuen prej meje çilsin e kumbonares. U ngjita bashkë me ta atje nalt, përmbi sahat, ku shpalosej flamuri. U mahnitën tue kqyrë qytetin rreth e rrotull. “Uaaa! Sa bukur!” Prej aty Shkodrën e kishe në shplakë të dorës. Mbasi u njoftuen me qytetin, atëhere e hoqën shtizën nga ganxha dhe venduen në të flamurin e ri me hyllin partizan. M’u rrëqeth i gjithë trupi: ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si nji kufomë. Por kur deshtën me çpalosë flamurin jugosllav, nuk gjetën ganxhë.
“Ku ta vendosim shtizën? Këtu nuk ka ganxhë. Dreq o punë! – thanë, mandej pvetën: – A keni pak tel që ta lidhim këtu në parmakë?” “Jo, nuk kemi. Po kqyri nji herë, po edhe sikur të ketë, këtu teli nuk u qindron stuhive e shtërgatave, se jemi nalt; duhet ganxhë”. “Dreq o punë, dreq o punë! – thanë. – Ç’na polli! Lipset bërë dhe ganxha. Po si nuk na the që parë?” “As un nuk e dijshem, nuk u kujtova”. “Rri këtu, se do të biem një usta”.
Zdrypën e shkuen. Mbas ndonji ore u kthyen me gjithë nji usta. Ai vendosi edhe dy ganxha tjera. Në anën tjetër të flamurit të Shqipnisë u çpalos flamuri jugosllav. Dy flamuj. Poshtë, në qendër të qytetit, në shpinë e re të posandërtueme të tregtarit të madh Zef Kokës, ishte komanda e komandave: Komiteti i Partisë. Dy partizanët me kapota, nga kumbonari, i thirrën dikujt atje poshtë. Ai qindronte në rrugë dhe jepte sinjale me duer. Përsëri i hoqën flamujt dhe u ndërruen vendet: aty n’atë vend ku përpara valavitej flamuri shqiptar, aty u shpalos flamuri jugosllav. Ndërsa n’anën tjetër kaloi flamuri partizan, të cilit ia ndalonte mjaft pamjen gunga e kishës. Gjatë darke, në mensën e Kuvendit Françeskan, mbahej nji heshtim i plotë, sikur të na kishte dekë ndokush i familjes. Kurrkush nuk e hapi gojën. Mbas darkës Át Mati Prendushi më thirri m’anësh e më pveti:
“Ti i ke çilsat e kumbonares?” “Po, m’i ka lanë Pater Filipi për me kurdisë sahatin”. “Ti e vune flamurin jugosllav?” “Jo, kurrsesi. Erdhën dy partizanë dhe e vunë”. “A e din ti, – më tha, – se aty n’atë vend me 12 qershor 1913 asht vu për të parën herë në Shkodër flamuri i Skanderbegut, dhe fretënt e kanë ruejt me pushkë në dorë? A e din ti se Pater Gjergj Fishta asht dënue me vdekje për atë flamur? A e din ti se as malazezët, kur kanë hî në Shkodër në 1915, nuk e kanë shpalosë atë flamur? A e din ti…”
“Pater, – i thashë, – të gjitha i dij. Ata që e vunë aty flamurin jugosllav ishin dy partizanë me pushkë, të dërguem nga komanda. Shka kishem me bâ un: me u vra me ta?” “Jo, jo, nuk po të them se ke faj. Por oh, sa turp i madh! Mâ mirë të mos e kishem pá këte ditë! E si mbërrijti me u valavitë flamuri jugosllav mbi kumbonaret e kishave tona? O Zot, shif e gjyko!… Njerëzit e pafé paskan vetëm bark! Po shka thanë ata partizanët, a u bani përshtypje e si e ndien vedin kur vunë flamurin jugosllav?” “Thanë se zbatojshin urdhnin e…

Exit mobile version