Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka fshehur 2.5 ton drogë të kapur nga Guardia di Finanza në Bari që kaloi nga Durrësi. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar sot një mesazh që ka mbërritur në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’ nga qytetari dixhital, i cili denoncon se Tahiri dhe Policia e Shtetit ka fshehur kapjen e një ngarkese prej 2.5 ton drogë më 4 janar në Bari të Italisë.
“Oficeri dixhital denoncon fshehjen nga Tahiri dhe policia të kapjes së ngarkesës prej 2.5 ton drogë më dt 4 janar 2017 në Bari – kalimin e trajlerit të ngarkesës nga Porti i Durrësit pa u regjistruar në sistemin TIMS”, shkruan Berisha në Facebook duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Mirëmbrama Doktor, jam oficer i Policisë të Durrësit, doja t’iu informoja se më datë 4 janar është kapur në Portin e Barit një trajler që transportonte dru për një shtet kryesor të BE dhe brenda këtij trajleri është sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 2,5 tonë kanabis stativa. Kjo është sasia më e madhe e kapur nga autoritetet italiane e nisur nga Porti i Durrësit. Policia dhe Ministria e Brendshme me urdhër të ministrit e ka fshehur lajmin, pasi informacionet janë se mbrapa këtij trafiku qëndrojnë drejtuesit e Policisë vendore të Durrësit që njihen si lidhje e tij në këtë aktivitet kriminal. Nga të dhënat që ka policia, drejtuesi i mjetit nuk ka lënë gjurmë në sistemin TIMS”, përfundon mesazhi i oficerit të policisë.