Si gënjeu Rama Shtetet e Bashkuara për NATO-n, shpenzon dy herë më pak për Aleancën se në 2013

Qeveria “Rama” ka mashtruar Shtetet e Bashkuara me fondet për NATO-n. Rama dhe qeveria e tij ka deklaruar se janë rritur fondet për mbrojtjen, një detyrim ky për vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut dhe që po kërkohet me forcë nga Presidenti Trump që të përmbushet nga të gjitha vendet anëtare. Nga pasqyrimi i shifrave që buxheti i shtetit akordon për mbrojtjen rezulton e kundërta e asaj çfarë ka pretenduar Rama. Shqipëria jo vetëm që nuk i rritur fondet për Aleancën, por i ka përgjysmuar ato krahasuar me vitin 2013.
Sot Shqipëria raportohet se shpenzon 1.10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për NATO-n, ndërsa në vitin 2013 Shqipëria shpenzonte 2.21% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për NATO, ose e thënë ndryshe gati dy herë më shumë se sa shpenzohet sot.
“Zëri i Amerikës” ka publikuar një tabelë ku shfaqet në përqindje kontributi i secilit vend anëtar të mbrojtjes në raport me PBB-në.
Siç shihet Shqipëria hyn në grupin e vendeve që nuk kanë një kontribut të lartë në aleancë.
Peshën më të madhe vijojnë ta mbajnë Shtetet e Bashkuara me 3.57 për qind kontribut në raport me PBB-në.

Gjatë Samitit të Brukselit presidenti amerikan Donald Trump kërkoi nga vendet anëtare të aleancën të dyfishojnë në 4 për qind shpenzimet për mbrojtjen.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg tha se jemi të gjithë dakord se barra financiare nuk është ndarë në mënyrë të barabartë në aleancë.
“Këtë vit, 8 anëtarë janë angazhuar t’i kushtojnë të paktën 2% të GDP-së mbrojtjes. Ndërsa shumica e aleatëve kanë plane ta bëjnë këtë deri në vitin 2024”, tha Stoltenberg.
Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar publikisht uljen e fondeve të Shqipërisë për NATO-n duke e konsideruar Ramën si njeriun më të diskretituar në Samitin e NATO-s
“Edvini ishte në Samitin e NATO-s njeriu më i diskretituar. Ai shkoi aty jo vetëm si Noriega i Europës por dhe si njeriu që protestoi me portrete të Enver Hoxhes kundër anëtarësimit në NATO dhe uli nga 2.21% që ishin para vitit 2013 në 1.1% buxhetin për NATO-n.
Në Samit atij i refuzuan 7 takimet e kërkuara me lideret e 3 vendeve të tjera. Për të mbuluar sadopak diskretitimin e tij të plotë, lëpihej dhe përpiqej të nxirrte ndonjë foto nga Samiti për të mashtruar publikun me takime që nuk ndodhën kurrë!”, shprehet Berisha në një postim në rrjetet sociale.

Exit mobile version