Si grabiti qindra hektarë tokë në bregdet deputeti i PS, reagon PD: Pse Prokuroria nuk merr në pyetje Hysenin?

Në një deklaratë për shtyp deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka akuzuar Partinë Socialiste për mos hetim ndaj deputetit, Alket Hyseni. Ai ka treguar se deputeti i PS nuk ka dhënë asnjë shpjegim se si u bë pronar i një prone, transaksioni për të cilën ishte ndaluar me vendim nga Gjykata e Vlorës. Ndërkohë që sipas PD-së deputeti në fjalë e ka siguruar pronën nga një i burgosur.
Deklarata e plotë
Ish doganieri Alket Hyseni, sot deputet i Partisë Socialiste, nuk është marrë akoma nën hetim nga Prokuroria për akuzën e rëndë të grabitjes së 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi.
Vetë Alekt Hyseni, i besuari i Edi Ramës për të verifikuar tjetërsimin e pronave në Bregun e Jugut nga viti 2014 deri në vitin 2016, nuk ka dhënë asnjë shpjegim sesi u bë pronar i një prone, transaksioni për të cilën ishte ndaluar me vendim nga Gjykata e Vlorës.
Alket Hyseni duhet t’i përgjigjet pyetjes sesi ia doli të bëjë kaq shumë pasuri në një kohë kaq të shkurtër.

Heshtja nuk e ndihmon dot as Alket Hysenin dhe as Edi Ramën të fshehin këtë grabitje për llogari të mikut të kryeministrit, Gon Papuli.
Skema është e qartë. Alket Hyseni e ka siguruar pronën nga një i arrestuar vitin e kaluar për fallsfikimin e dokumenteve, në kohën kur Hyseni drejtonte Task forcën për pronat e Bregut në Jug. Pra, Alket Hyseni e dintë konfliktin për këtë pronë, por sërish e bleu pronën e tjetërsuar me dokumenta të fallsifikuar për më shumë se 200 milionë lekë.
Më pas pronën ia kaloi një firme, që siç rezulton nga dokumentat është e babait të tij. Por që skema të përfundonte me sukses dhe toka bujqësore te mos mbillej me ullinj, por me beton, Edi Rama i dha mikut të tij Gon papuli leje për të ndërtuar në tokën e grabitur prej ish shefit të task forcës. Përfitues nga ndërtimi do të jenë me letra Gon Papuli dhe Alket Hyseni.
Rasti i grabitjes së pronave nga peshku i madh Alket Hyseni, me dijeni të Edi Ramës, është treguesi më i qartë i përdorimit të dy standardeve nga kryeministri që bërtet për drejtësi.

Njësoj si në diktaturën e napoleonit tek Ferma e Kafshëve të George Orëell, Edi Rama ka vendosur të zbatojë rregullin e ri se “të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë edhe më të barabarta”.
Këtë rregull ai e zbatoi për Saimir Tahirin, për të cilin po bën gjithçka të mbyllë hetimet. Këtë rregull po zbaton edhe për Alket Hysenin, i cili jo vetëm ka grabitur prona, por, si drejtor i Zyrës Kundër Pastrimit të Parave ka mbikqyrur edhe transaksionet financiare të bankës së gruas së kryeministrit.

Artikulli paraprakSuperoperacion në Itali dhe Greqi, arrestohen 13 shqiptarë për trafik droge e vjedhje
Artikulli tjetërKush është muzikanti i njohur shqiptar që u kap me me 5 kg drogë në Greqi