Ismail Cala
Me rastin e 29 vjetorit të gazetës ” Rilindja Demokratike”
6 Janar, duhet të ketë qenë. 6 Janar 1991. Nuk di, se si gazeta e parë e Rilindjes Demokratike, hyri në burg atë ditë.Më vonë, mora vesh që një polic nga Repsi e kishte sjellë.
Ne ishim të burgosurit e fundit politikë të Spaçit. Atë ditë, ishim mbledhur tek salla e tevizorit bardhë e zi.
Asgjë nuk kishte për të parë, por të burgosurit, nuk largoheshin nga ajo stallë e ftohtë. Prisnin gjithë ankth të vinte gazeta; gazeta që pikërisht këtij burgu, i kishte munguar dekada me radhë.
Mua, më mbanin si lexues të mirë dhe atë moment, nuk do ta harroj kurrë.
Gazeta erdhi. Ishte palosur aq shumë, sa u deshën, disa minuta ta drejtoja dhe kur e ndieva veten gati, nisa ta lexoja.
Ishte një artikull shume i mirë, i asaj dite .
Tre kater rreshtat e parë, i lexova pa m’u dridhur zëri, por pas pak, ndjeva një dhembje në fyt, zëri m’u mek. Bëra një pauzë të shkurtër dhe rinisa të lexoj. E pamundur… Këte lloj emocioni, nuk e kisha provuar kurrë.
U kërkova bashkëvuajtësve të mi, që ta lexonte dikush tjetër. Nga salla e mbushur plot e përplot erdhi një ” joooo” e gjatë , e butë dhe këmbëngulëse.
Vazhdova dhe mes ngashërimash e mbarova atë shkrim, që me thënë të drejtën, çuditi jo vetëm të burgosurit, por edhe policët, qe si pa u ndierë, kishin hyrë brenda.
Ditë e ftohtë në Spaç, dite e lume, ditë dhembjeje për mijëra të burgosur, që hynë dhe një pjesë s’dolën më, nga ai burg.
Sa shumë ishte i dëshëruar, ai vend për ato rreshta, për ato rreshta magjikë, për ato fjalë të lira, për të cilat, sa e sa njerëz e paguan me jetën e tyre.
Dola nga salla e ftohtë. Faqet i kisha me lot. Faqet e malit mbi burg, më shihnin çuditshëm e me dukej sikur buzëqeshnin, sikur na thonin:
” Rruge të mbarë, ecje të mbarë, në këtë rrugë që e nisët sot. Kam shkuar edhe herë të tjera në Spaç. Faqet e malit jane po aty, por seç duan të më thonë…. Sikur jane të merzitur, të zhgënjyer me mua.
Më duket sikur nënqeshin si me tallje. Sikur me thonë që kemi akoma rrugë për të bërë…. 29 vjet përpjekje. 29 vjet dhe Spaçi është atje, akoma e sikur tallet me ne.
Urime për 29 vjetorin e gazetës së parë të lirë…Rilindjes Demokratike!