Një vëzhgim i hollësishëm mbi tenderat publikë të zhvilluar gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, zbulon të dhëna interesante se si një pjesë e konsiderueshme e parave publike janë shpërndarë “pa zhurmë” tek zyrtarët dhe biznesmenët që kanë lidhje të forta me “Rilindjen”.
“Boldnews.al” raportoi më parë për një seri tenderash, në vlerë rreth 2.5 milionë euro, të fituar nga “luleshitësi” Agim Kajmaku, i emëruar si kryetar i Bashkisë së Vorës në votimet një-partiake të 30 Qershorit 2019.
Të dhëna të tjera konfirmojnë se në anën tjetër të kryeqytetit, në zonën e Dajtit, një tjetër lidhje e fortë e “Rilindjes” ka përfituar miliarda lekë në tenderat publikë.
Kompania “Dajti Park 2007”, e krijuar nga ish-kryekomunari dhe sot administrator i njësisë Dajt, Kujtim Qefalia, njëkohësisht edhe vëllai i deputetit socialist, Xhemal Qefalia, ka përfituar tendera publikë në vlerë rreth 4.5 miliardë lekë (të vjetra) në periudhën 2015-2019.
Rreth 30% e kësaj shume janë fituar në vitin 2019, kohë kur familja Qefalia, ri-mori zyrtarisht nën kontroll shoqërinë që ka si objekt aktiviteti nga furnizimi me ushqim e deri tek ndërtimet.
Kompania e krijuar në vitin 1999 nga Kujtim Qefalia, me emrin “Vllazia”, aktualisht quhet “Dajti Park 2007” dhe, pas disa “piruetave” me pronësinë, tashmë drejtohet nga vëllai i tij, Lulzim Qefalia dhe Desart Kalaja, djalit të mikut të familjes dhe bashkëpunëtorit të hershëm, Ylber Kalaja.
Tenderat 2019
Në një vëzhgim që “Boldneës.al” realizoi në Buletinët e Prokurimit Publik, rezulton se “Dajti Park 2007” ka përfituar rreth 1.7 miliardë lekë të vjetra në 5 tendera të zhvilluar nga institucionet publike të zhvilluara gjatë 8 muajve të vitit 2019.
– Në Maj 2019, kompania “Dajti Park” ka fituar një tender të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, për “rikonstruksionin e rrugës Kadri Kërçiku”, me vlerë rreth 300 milionë lekë (të vjetra).
Në bazë të të dhënave të publikuara në Buletinin e Prokurimeve, rezulton se “Dajti Park” ka dhënë ofertën më të lartë. Megjithatë, 3 kompanitë e tjera në garë u skualifikuan dhe në fund është shpallur fituese kompania e Qefalisë.
– Në muajin Korrik 2018, “Dajti Park 2007” realizon dy “goditje” të mira financiare. Kompania shpallet fituese në një tender me vlerë rreth 1 miliardë lekë (të vjetra), të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë.
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së drejtuar nga Ogerta Manastirliu, “Dajti Park 2007” shpallet fituese e Lotit I “Rikonstruksioni i disa Qendrave Shëndetësore në Tiranë dhe Durrës”.
Në këtë tender morën pjesë disa shoqëri. Kompania e Qefalisë rezulton të ketë dhënë një ofertë shumë të ulët, krahasuar me operatorët e tjerë. Komisioni i tenderit në Ministrinë e Shëndetësisë e shpallit fituese “Dajti Park”, duke mos patur asnjë dyshim për “ofertë anomalisht të ulët”.
Po në muajin Korrik 2019, “Dajti Park” shpallet fituese e tenderit të zhvilluar nga Ministria e Brendshme për “Shërbime gatimi” për repartin special RENEA. Vlera e këtij prokurimi publik ishte mbi 350 milionë lekë (të vjetra).
Në periudhën Mars-Prill 2019, “Dajti Park 2007” ishte shpallur fituese edhe në 3 tendera të tjerë për furnizimin me ushqim të konvikteve dhe një qendre sociale, me vlerë totale rreth 100 milionë lekë të vjetra.
Piruetat e pronësisë së kompanisë
Kompania “Dajti Park 2007” është krijuar në vitin 1999 nga shtetasi Kujtim Qefalia, fillimisht me emrin “Qefalia” shpk. Në vitin 2004, ai e ndryshon emrin e kompanisë, duke e quajtur “Vllaznimi”. Në vitin 2007, pasi u zgjodh kryetar i Komunës Dajt dhe u gjet në kushtet e konfliktit të interesave, Kujtim Qefalia ia “dorëzoi” formalisht kompaninë shtetasit Ylber Kalaja.
Pavarësisht se “de jure”, kompania “Vllaznimi” drejtohej nga Ylber Kalaja, personat përgjegjës për tenderat në Bashkinë e Tiranës të drejtuar në atë kohë nga Edi Rama, por edhe shumë njerëz të tjerë, e mbajtën në vemendje se “de facto”, pronari i vërtetë i saj ishte Kujtim Qefalia.
Kompania “Vllaznimi” mbajti këtë emër deri në Korrik 2016, kur, pas një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda për korrupsionin me tenderat e ushqimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, arrestohet, ndër të tjerë, edhe pronari “de jure” i saj, Ylber Kalaja.
Ky i fundit, vetëm një javë pas arrestimit, në dt,19 Korrik 2016, në kohën kur gjendej ende në paraburgim, vendos të ndryshojë emrin e kompanisë, duke e quajtur “Dajti Park 2007”.
Në këtë mënyrë, vetëm me “veprimin e thjeshtë” të ndryshimit të emrit, kompania, e cila kishte në pranga pronarin, ishte e lirë që të vijonte aktivitetin e saj dhe pjesëmarrjen e fitimin e tenderave në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar tashmë nga Erjon Veliaj, por edhe në institucione të tjera, të drejtuara të gjitha nga zyrtarë të Partisë Socialiste.
Pavarësisht se Ylber Kalaja qëndroi për disa kohë i arrestuar, kompania me emrin e ri “Dajti Park 2007” nuk e ndjeu mungesën e tij. Dikush tjetër, ai që njihet si pronari i vërtetë i saj, u kujdes që kompania të fitonte tenderat, megjithë problemet ligjore të Ylber Kalasë.
Pasi qëndroi disa kohë në paraburgim, administratori “de jure” i “Dajti Park 2007”, Ylber Kalaja u lirua nga prangat dhe hetimi ndaj tij vijoi në gjendje të lirë.
Për më shumë se dy vjet, nga Korrikut 2016 deri në fund të vitit 2018, administratori i “Dajti Park 2007” ka qenë fillimisht i arrestuar, më tej në gjykim dhe përfundimisht i dënuar për veprën penale të “Korrupsionit”. Por, e gjithë kjo situatë nuk e ka penguar aspak kompaninë e tij që të marrë pjesë dhe të jetë fitues në tenderave publikë, me shifra multimilionëshe.
Rikthim tek “Qefalia”
Në fund të vitit 2018, pronari dhe administratori “de jure” i “Dajti Park 2007”, Ylber Kalaja, vendos të heqë dorë nga kompania që prodhonte miliona me tenderat publikë.
Në Dhjetor 2018, ai vendos që të dhurojë 100 përqind të aksioneve të tij, duke i ndarë 50% për djalin, Desart Kalaja dhe 50% për Lulëzim Qefaliaj, vëllai i Kujtim Qefalisë dhe deputetit Xhemal Qefalia.
Me rikthimin zyrtar të familjes Qefalia tek “Dajti Park 2007”, nëpërmjet përfaqësuesit të saj Lulzim Qefalia, kompania u rikthye fuqishëm në fitimin e tenderave publikë.
/Boldnews.al