Pronat e reja që Rama i jep Kokëdhimës, Kaselit dhe Lucës

Partia Demokratike denoncoi dje para mediave dhe opinionit publik një skemë korrupsioni që shënon një tjetër kulm të babëzisë së Edi Ramës dhe oligarkëve në pushtet. Bëhet fjalë për marrjen dhe ndarjen e pasurive publike, të mijëra metrave katrorë toke dhe truall për klientët dhe shërbëtorët e qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës. Nënkryetarja e Departamentit të Pushtetit Vendor, Dhurata Çupi renditi tri raste në të cilat dëshmohet se si mijëra metra katrorë sipërfaqe toke u shpërndahen njerëzve pranë pushtetit.
Sipas dokumenteve të publikuara, Edi Rama i ka dhënë Kaselit ish-Ndërmarrjen e Gomave, ish-NPV-në dhe ish-Fabrikën e Tubave. 10 mijë metra katrorë në mes të Durrësit i merr shërbëtori i Ramës, ai që po hedh betonin e paligjshëm të Erion Veliajt në Parkun e Liqenit. Kompania “Kassel” kohët e fundit ka marrë me dhjetëra fonde publike nga Bashkia Tiranë, duke nisur nga ndërtimi i këndit të lojërave tek liqeni ashtu si edhe tek ndërtimi i fasadës së godinës së Bashkisë Tiranë.
Ndërkohë që 52 mijë metra katrorë në mes të Elbasanit, ish-rezervat e shtetit, i janë dhënë Lucës së Rozafës, një tjetër klienti pranë qeverisë. Më i favorizuari mbetet komisari i Jugut, Kokëdhima, i cili u ka vënë syrin pronave më të mira të bregut. E ka nisur me një pronë të Ministrisë së Mbrojtjes në Lukovë, ku një prej objekteve në vendin më të favorshëm turistik me 2135 metra katrorë i jepet Koços. Pronë që do të kthehet në biznes privat, që të prodhojë para për komisarin e jugut.
I gjithë bregdeti i jugut është nën zaptimin e Koço Kokëdhimës. Akuza të njëpasnjëshme jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë banorët e zonës tregojnë se si Kokëdhima po rrëmben trojet publike për t’i shndërruar ato në biznese private. Pak ditë më parë, PD akuzoi abuzimet me ndërtimet pa leje në bregdetin e Jugut nga Kokëdhima, të cilat kanë hyrë deri në det. Nga ana tjetër, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut ka lëshuar akuza të forta kundër Koço Kokëdhimës dhe terrorin që ai po ushtron në qytetin e Himarës përmes IKMT, duke prishur objektet e bizneset e qytetarëve të ndershëm me qëllim ndërtimin e bizneseve të tij.
Dhërmiu dhe Vunoi në veçanti dhe gjithë Bashkia e Himarës në përgjithësi janë vënë “nën pushtimin” e buldozerëve, skrapeve dhe forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Nënkryetarja e Departamentit të Pushtetit Vendor bëri të ditur se në çdo mbledhje qeverie, Edi Rama ndan me koncesion, toka, pyje e kullota, pasuri publike, pa asnjë transparencë, pa kriter, duke ndjekur rregullin e vetëm që është në fuqi. “Gjithçka për vete dhe oligarkët. Ka 3 vite që nuk ka asnjë vendim transferimi të pronave publike tek njësitë vendore. Ka 3 vite që ish-pronarëve nuk u kthehet asnjë m2 truall. Dhe prej 3 vitesh, pasuria e tij dhe e oligarkëve vetëm shtohet dhe rritet. Ky është korrupsioni me të cilin sundon Rama: miliona euro, qindra pasuri publike të zhvatura, të plaçkitura, vjedhje në çdo drejtim, në çdo degë të qeverisë. Kjo është arsyeja se pse në Shqipëri ka pllakosur zia ekonomike, ka më pak vende pune dhe punësim, më pak konsum dhe më pak investime, ka më shumë varfëri dhe mjerim”, u shpreh Çupi.

Mijëra metra katrorë tokë për klientët e Ramës

1. Edi Rama i ka dhënë Kaselit ish-Ndërmarrjen e Gomave, ish-NPV-në dhe ish-Fabrikën e Tubave. 10 mijë metra katrorë në mes të Durrësit i merr shërbëtori i Ramës, ai që po hedh betonin e paligjshëm të Erion Veliajt në Parkun e Liqenit.
2. 52 mijë metra katrorë në mes të Elbasanit, ish-rezervat e shtetit, i shkojnë Lucës së Rozafës.
3. Më i favorizuari mbetet komisari i jugut, Kokëdhima, i cili u ka vënë syrin pronave më të mira të bregut. E ka nisur me një pronë të Ministrisë së Mbrojtjes në Lukovë, ku një prej objekteve në vendin më të favorshëm turistik me 2135 metra katrorë i jepet Koços.

Exit mobile version