Atë që nuk mundën ta bëjnë dot alpinistët e Forcave RENEA dhe helikopteri i Emergjencave Civile e arriti një bari nga Progonati. Shefi i Komisariatit të Tepelenës, Roland Zhapa dhe inspektori Fejzo Meçe e kaluan natën në një nga majat e thepisura të kanioneve të Nivicës, pasi kishin informacion se ishin mbjellë me hashash. Pasi arritën në majë, panë se nuk mund të zbrisnin dot.
Era e fortë pengonte uljen e helikopterit, ndërsa alpinistët e RENEA-s e patën të pamundur të ngjiten për shkak të terrenit të vështirë. Zgjidhja është gjetur sot paradite, kur një bari që e njihte mirë zonën, ndihmoi policët të shpëtonin kolegët e tyre. Më poshtë, njoftimi i detajuar i policisë për ngjarjen:
Në zbatim të Planit të Veprimit për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, efektivat e Komisariatit të Policisë Tepelenë po vijojnë kontrollet çdo ditë në territor.
Në këtë kuadër gjatë ditës së djeshme, Shefi i Rendit të Komisariatit të Policisë Tepelenë, Komisar Roland Zhapa së bashku me SPZ-në e zonës, Inspektor Fejzo Meçe, bazuar edhe mbi bazën e disa informacioneve të marra në rrugë operative se në pikën më të lartë të Kanioneve të Nivicës mund të ketë të kultivuara bimë narkotike, kanë ushtruar kontroll në territor.
Për shkak të terrenit shumë të thepisur dhe shumë të vështirë, në pikën më të lartë të kanioneve është ngjitur Shefi i Rendit dhe SPZ i zonës.
Ata kanë ushtruar kontroll në këtë territor, por nuk kanë konstatuar bimë narkotike të kultivuara. Punonjësit e policisë janë përpjekur të zbresin, por kanë mbetur të bllokuar në krye të kanioneve.
Menjëherë janë marrë masa nga ana e Komisariatit të Policisë Tepelenë. Për shkak të terrenit shumë të vështirë, nuk ishte e mundur t’ju vihej në ndihmë.
Drejtori i Policisë së Shtetit ka urdhëruar alpinistët e Repartit RENEA për të shkuar menjëherë në drejtim të tyre, pasi helikopteri e ka pasur të pamundur të ulej për të tërhequr dy efektivat e Policisë.
Alpinistët e Renea-s janë afruar në zonën ku kishin mbetur të bllokuar dy efektivët dje në mbrëmje, por për shkak të errësirës janë tërhequr pa mundur t’ju shkojnë në ndihmë. Mëngjesin e të enjtes, kanë vijuar përpjekjet me alpinistët e RENEA-s për të shkuar në ndihmë të dy punonjësve të Policisë, por përsëri ka qenë e pamundur për shkak të terrenit.
Në drejtim të tyre është nisur helikopteri i Emergjencave Civile, por për shkak të erës së fortë është ulur në fshatin Krahës të Tepelenës, në pritje të përmirësimit të kushteve të motit, pasi e ka të pamundur kryerjen e operacionit të shpëtimit. Rreth orës 12:25 punonjësit e Policisë janë nxjerrë nga toka me ndihmën e punonjësve të policisë dhe të një bariu që e njihte mirë terrenin, pasi nga ajri helikopteri për shkak të erës së fortë nuk është futur dot.