Nga Ergys Mertiri
Nuk jam aspak dakort me sjelljen e tepruar të Agron Shehajt sot. Ajo që unë pres nga një politikan i ri është që minimumi të mos imitojë politikën banale të Berishës. Por gjithsesi, nuk mund të mos them se opozita iu kundërvu atij në mënyrë të turpshme, duke u bërë mburojë për abuzimet e qeverisë.
Kjo vjen për dy arsye themelore:
E para, sepse ata që po ndërtojnë rrugën Thumanë-Kashar, për të cilën Shehaj kërkoi sot interpelancë, janë miqtë dhe ortakët, gjithashtu të Berishës. Kjo është arsyeja edhe përse Berisha ka qenë shumë pak i vëmendshëm ndaj protestës së banorëve të Thumanës, duke dërguar një përfaqësi shumë të vogël në këto protesta e duke folur shumë pak për të.
E dyta sepse kjo opozitë, nuk ka në plan të luftojë për të mudur Ramën, por vetëm të pengojë rritjen e partive të tjera opozitare. Kjo vjen sepse Berisha ka vetëm një hall, ti shpëtojë burgut, dhe për këtë i duhet ekskluziviteti mbi opozitën në mënyrë që të mund të mbrohet politikisht ndaj proceseve hetimore me të cilat po përballet. Fuqizimi i forcave të reja opozitare, e bën atë të zëvendësueshëm, çfarë ia rrëzon alibinë se hetimi ndaj tij ka për qëllim shkatërrimin e opozitës dhe mbajtjen e Ramës në pushtet.
Për këtë arsye, ai nuk ka as kohë as interes të luftojë kundër Ramës. Interesi i tij i vetëm është të spastrojë skenën opozitare nga çdo opozitë alternative.
Por po kështu, këtë interes ka edhe Rama. Ai është i interesuar të mbajë Berishën si kundërshtar të vetëm, në mënyrë që opozita të mos maksimalizojë dot votat e veta duke lënë të papërfaqësuar elektoratin gri. Por ai është gjithashtu i interesuar që faktori ndërkombëtar të mos angazhohet në mbështetje të opozitës. Për sa kohë kundër tij të jetë Berisha, faktori ndërkombëtar nuk do të jetë kurrë i interesuar për rrotacion, çfarë do të thotë se jetëgjatësia e kësaj qeverie varet nga jetëgjatësia e Berishës në krye të opozitës.
Kështu fatet e Ramës dhe Berishës janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe për këtë arsye ata mbajnë njëri-tjetrin. Kjo është një aleancë e shëmtuar që e ka lënë vendin pa opozitë dhe rrjedhimisht pa demokraci, çfarë u shfaq edhe sot shëmtuar në parlament.