Si kakariste dikur Lame!

Bledi KASMI

 

Imagjinoni së çfarë mund të bënte Artan Lame, sikur atë fasadën historike të Stadiumit Kombëtar Qemal Stafa ta shkatërronte Lulzim Basha, ashtu si e shkatërroi dje Rama. Mendoni se do të mjaftohej vetëm me një ndjesë dhe postim të një fotoje të kësaj fasade në facebook?

Jo, ai do të ngulej përpara tribunës së stadiumit dhe do të ulëriste në mbrojtje të saj, gjë të cilën nuk e bëri dje as ai, as shumë nga ata të tjerët që deri tre vite më parë ulërisnin edhe kur Basha, si Kryetar Bashkie merrte vendimin për të ndërtuar një vepër publike, të domosdoshme për komunitetin, si ajo e zgjerimit të Rrugës së Elbasanit.

Tani, krahasoni ulërimat e Lames dhe të tjerëve pas tij për 30 pishat e spostuara të parkut të Liqenit, që i hapën rrugën ndërtimit të një vepre publike me impakt për të gjithë qytetarët, me heshtjen e djeshme për prishjen e një fasade historike në shërbim të një projekti biznesi personal të shefit të tij në qeveri!

Duhet bërë ky krahasim, jo se do të ndryshojë diçka nga ajo masakër, që i ngjante atyre të ISIS ndaj monumenteve të kulturës në Siri, por për të kuptuar pafytyrësinë e individëve të shpërfytyruar nga pushteti dhe për të kuptuar se cilët ishin qëllimet e vërteta të kësaj kaste individësh që sot janë në pushtet.

Dje bënin opozitë duke kundërshtuar ndërtimin e veprave madhore publike duke shpikur kauza false ambjentale, ndërsa sot po kryejnë masakër pas masakre ndaj mjedisit për hir të bizneseve personale, nga stadiumi tek liqeni e tek kullat 30 katëshe, lejet e të cilave kanë nisur të miratohen, dhe ata që hiqeshin si gjelat e opozitarizmit të djeshëm, sot janë të tredhurit e atij që i nxirrte të kakarisinin atëhere.

Ulërisnin se nuk duhej Rruga e Kombit. Sot e kanë kthyer në biznes personal të tyrin në kurriz të shqiptarëve duke e taksuar çdo automjet me 10 euro dhe duke projektuar që të përfitojnë 30 milionë euro në vit. Nga kundërshtimi se Rruga nuk duhej, tek avokatia e panevojshme se duhet mbrojtur me çcdo kusht kjo Rrugë ka diçka që nuk shkon. Është interesi për të bërë biznes me këtë rrugë. Nisi si e qytetarëve dhe e bashkimit fizik të kombit dhe po degradon si pronë private e personitt në krye të qeverisë.

Ky tjetërsim po ndodh edhe me stadiumin. Nga emërtimi Stadium Kombëtar që kishte, po kthehet në një qendër biznesi të Kryeministrit me një fushë brenda saj. Dhe tek bizneset e shefit askush nuk flet. Postojnë foto nostalgjie duke na kujtuar se si ishte ajo fasadë dje, ndërsa ne duhet të shikojmë transformimin e këtyre “heronjve” të djeshëm të zvetënuar në qingjat e butë të pushtetit që i tremben kurbanit të shefit.

Exit mobile version