Si kaluam nga reforma me 140 vota në Ramaforma me 69 vota, Meta çmonton Ramareformën

Presidenti Meta i ka dërguar sërish një tjetër mesazh të gjatë publik kryeministrit Rama, të cilin e quan Timonieri, ku i kujton të gjitha etapat që Rama ka shkelur në ‘Reformën në Drejtësi’ duke e kthyer në ‘Ramaforma’, një reformë që ose nuk ka marrë formë ose është formuar keq nga Rama.

‘Momenti kyç dhe më cilësor se si Reforma në Drejtësi u shndërrua në Ramaformë.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u miratua në 21-22 Korrik 2016, me 140 votat e plota të Kuvendit të Shqipërisë.

Të gjitha ndryshimet kushtetuese u miratuan sipas këshillimeve të Komisionit të Venecias, institucioni më i lartë dhe më prestigjioz në Europë për çështjet e së drejtës kushtetuese.

Pasi mori timonin e qeverisë, i vetëm dhe pa frena, në shtator 2017, Kryeministri Rama si Artist i njohur, filloi të tjetërsonte Reformën në Drejtësi për ta bërë Ramaformë. Reforma e miratuar sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, filloi të zbatohej sipas shpirtit krijues që buronte nga “Bienale e Venecias”.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, parashikon qartë mënyrën se si zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm.
Në nenin 148/a, përcaktohet se “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat (84 vota) e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”, ndërsa në nenin 179/ pika 13, si Dispozitë Kalimtare e Kushtetutës u përcaktua se, “Deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do të bëhet me dy të tretat (94 vota) e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat (84 vota) e anëtarëve të Kuvendit”.

Kjo mënyrë zgjedhje u rekomandua nga Komisioni i Venecias për të shmangur kapjen e Prokurorit të Përgjithshëm nga mazhoranca e kohës (PS + LSI) që zotëronte mbi 84 mandate në Kuvend.

Mënyra e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm u vlerësua me shumë seriozitet nga Komisioni i Venecias, i cili ka dhënë rekomandime shumë të qarta dhe objektive mbi këtë çështje.

Komisioni Venecias rekomandonte se emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm është i rëndësishëm dhe duhet të tërheqë një shkallë të lartë konsensusi pa kompromentuar cilësitë e një kandidati të suksesshëm.

Zgjedhja e njëanshme e këtij institucioni (PP) nga mazhoranca do të shkaktonte mungesë besimi nga opozita tek standardet e reformës dhe do të krijonte bindjen se mazhoranca e kohës po kapte sistemin e ndjekjes penale.

Për të shmangur këtë situatë (kapjen e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm), Komisioni i Venecias rekomandoi dhe Kuvendi i Shqipërisë e pranoi, që deri në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, pra deri në 1 shtator 2017, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të bëhet me 2/3 (dy të tretat) e anëtarëve të Kuvendit, pra me 94 vota, në mënyrë që mazhoranca e kohës Rama-Meta, të mos kishte mundësi ta zgjidhte e vetme Prokurorin e Përgjithshëm.

Ndërsa pas datës 1 shtator 2017 zgjedhjet e tjera të Prokurorit të Përgjithshëm do të bëheshin me 3/5 (tri të pestat) e anëtarëve të Kuvendit, pra me 84 vota. Kështu rekomandoi Komisioni Venecias dhe kështu vendosi Kuvendi i Shqipërisë me 140 votat e tij maksimale në datat 21-22 korrik 2016.

Por si mund të rrinte sistemi i drejtësisë pa patur një PPP (Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm)?! Për këtë, Timoneri, në mënyrë shumë krijuese, nëpërmjet një ligji shpiku një “PPP”, institucion ky që nuk ekziston asgjëkundi në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar me 140 vota në 21-22 korrik 2016.

Falë vizionit të Ulsiut dhe çertifikatës së ekspertëve të EURALIUS e jo vetëm, nëpërmjet një intepretimi artistik, Timonieri ia doli që në dhjetor 2017 të zgjidhte Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm (PPP) vetëm me 69 vota. Kjo është mënyra antikushtetuese se si kaluam nga reforma me 140 vota në Ramaforma me 69 vota.

Pra, nga standartet e qarta të Komisionit të Venecias kaluam tek qëllimet arstistike të Bienales së Venecias.
Nga Reforma kaluan tek Ramaforma.

Që atëherë si vend, kemi thyer çdo rekord botëror, për krijimin dhe dhënien e PPP-ve për frymë.
Që atëherë, kemi thyer çdo rekord dhe standard ndërkombëtar të çmimit për kilometër për autostradat dhe veprat e tjera publike.
Që atëherë, kemi thyer çdo rekord dhe standart të trajtimit preferencial me ligj.
Një guinness i ri shqiptar.
Vijon……”, shkruan presidenti Meta.

Exit mobile version