Nga Xhesian Shazimani
Sipas burimeve konfidenciale, debati ka nisur në kuzhinën e shtëpisë së tyre dhe jo në dhomën e gjumit, siç është aluduar në skutat e mendimeve të secilit prej nesh.
Në darkën e zakonshme familjare, Iliri, i gjendur mes nervave nga sallata me shumë kripë që kishte përgatitur Mona, mësohet se i është drejtuar me një ton pak të ngritur me këto fjalë: “mirë me partinë, po e ke prishur dorën edhe me gatimin”.
E habitur nga krahasimi që i kishte bërë, Monika e pyet menjëherë: “pse çfarë kam bërë keq unë me partinë?!”.
Iliri e kuptoi që kishte ardhur momentin që t’ia thoshte në sy tashmë, zbulimin që kishte bërë se çfarë nuk shkon me partinë e tyre, dhe nuk ia përtoi: “Nepotizmi, Monika, nepotizmi. Ke futur të gjithë kushërinjtë e mi dhe të tu në organikën e partisë! Dhe këtë nuk do ta fal”.
Kështu debati ka vijuar në familje gjatë gjithë asaj nate deri në të gdhirë, kur pjesë e tij do të bëheshin më pas strukturat e partisë. Në lojë hynë mediat, analistët, e të tjerë, për të gjetur se kush e kishte fajin që partia paska nepotizëm, burri apo gruaja.
P.s: Nëse s’besoni në burimet e mia konfidenciale, atëherë ju nuk besoni as telenovelën më të fundit Bollivudiane të politikës tonë.