Si mashtroi Veliaj me ngrohjen e shkollave e kopshteve në kryeqytet

Në janar të këtij viti, kur qeveria urdhëroi mbylljen e shkollave me justifikimin e epidemisë së gripit, shumë media e qytetarë denoncuan se nuk ishte gripi arsyeja e vërtetë e shtyrjes së mësimit: shkollat nuk kishin ngrohje, ndaj në temperaturat e acarta të janarit, nxënësit do të ftoheshin. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e kundërshtoi hapur këtë fakt, kur në një kronikë lajmesh, më 16 janar, deklaroi: Për të gjithë ata që ankohen për çështjet e ftohjes dhe të sistemeve të ngrohjes në shkolla, i kujtoj se deri para një viti e kishin Tiranën në dorë. Na lanë nga 200 shkolla vetëm dy me ngrohje, sot jemi në një situatë, ku themi se kemi vetëm dy pa ngrohje. Së pari, numri i pretenduar nga kryebashkiaku Veliaj duket aspak real dhe tepër i fryrë. Në faqen e Bashkisë Tiranë nuk jepet informacion lidhur me sa shkolla publike ka në Tiranë, ndërsa në faqen e Ministrisë së Arsmit, me vështirësi mund të gjesh grafikë të vlerësimit për shkollat, ku rezultojnë 53 shkolla 9-vjeçare, 15 shkolla të mesme të përgjithshme dhe 8 shkolla të mesme profesionale, në total 76.
Së dyti, një studim i Albanian Platform for Policy Advocacy (APPA), në 15 shkollat e mesme të Tiranës, për periudhën janar-shkurt 2017, na tregon në fakt të kundërtën e asaj që pretendon kryetari i Bashkisë. Sipas APPA-së, rreth gjysma e gjimnazeve në Tiranë, të gjitha nën përgjegjësinë e Bashkisë Tiranë për ndërtim e mirëmbajtje, nuk kanë fare sistem ngrohjeje. Në asnjë prej shkollave të mesme në Tiranë, edhe në ato që e kanë një sistem të tillë, ky i fundit nuk funksionon.
Skandali thellohet akoma më tej, pasi mësimi në 9 prej tyre zhvillohet me dy turne, çka do të thotë se një pjesë e mirë e nxënësve janë të detyruar ta zhvillojnë mësimin mbasdite, kur temperaturat ulen edhe më tej. Nuk është e qartë se, për kë shkolla ka folur kryebashkiaku Veliaj kur thotë se nga 200 shkolla, vetëm dy nuk kanë ngrohje. Ka të paktën 15 gjimnaze, që temperaturat e ulëta të dimrit, përveç ditëve të pushimit nga ministria, i kanë kaluar në shkolla pa ngrohje. Ndërkohë për 53 shkollat 9-vjeçare të Tiranës dhe 8 shkollat e mesme profesionale, nuk ka ende një situacion të saktë. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ndryshe nga kryebashkiaku Veliaj, ka zgjedhur të heshtë e të mos i përgjigjet fare pyetjeve për ngrohjen në shkolla.

Artikulli paraprakDy të moshuar në një shtëpi të shkatërruar, 9 muaj pa drita
Artikulli tjetërSkandal, ish-drejtori i Ramës lë qelinë e burgut pas raportit mjekësor