Sharlatani dhe në të njëjtën kohë kryebashkiaku i Ramës i dënuar me përdhunim në Itali, Ervin Rroshi ka deklaruar dje nga Italia se ai tërhiqet nga dorëheqja dhe i ka kërkuar shefit të tij në qeveri që të vazhdojë punën pasi e ka anuluar përdhunimin. Ai thotë se ka shkuar deri në Itali për të marrë ca letra që i paraqiti si çertifikata të virgjërisë së tij. Ashtu si edhe herën e parë letrat që ai i paraqet si çertifikata të virgjërisë nuk janë gjë tjetër veçse një letër higjienike për drejtësinë dhe ligjin e dekriminalizimit.
Ato nuk kanë asnjë vlerë dhe nuk rrëzojnë për asnjë moment aktin kriminal të tij, përdhunimin në Itali. Rroshi ka mashtruar sërish shqiptarët sepse dëshmia e penalitetit në Itali pasi kalojnë 5 vjet nga dënimi i pezulluar jepet e pastër, por dënimi nuk fshihet dhe ruhet në sistemin e drejtësisë. Sipas pikës 4, të nenit 179 të Kodit Penal italian për dënimet nën 2 vjet burg bëhet pezullimi. Pas 5 vjetësh quhesh i rehabilituar dhe dëshmia e penalitetit jepet e pastër. Mirëpo kjo për asnjë moment nuk e shpëton atë nga e shkuara e tij prej përdhunuesi.
Rroshi thotë se u bind që ishte i pafajshëm dje kur shkoi në Itali. Në fakt e vërteta është krejt tjetër. Ai mashtron edhe në këtë rast. Këto kartela, Rroshi i ka paraqitur edhe ditën e dorëheqjes si kryebashkiak. Pra, ai i kishte ato letra dhe prapë dha dorëheqjen.
Kthimi në atdhe i Rroshit duhet të shoqërohet me reagimin e Prokurorisë. Rroshi duhet të arrestohet për veprën penale që parashikon ligji i dekriminalizimit dhe për të cilin institucioni i akuzës ka nisur hetimin. Rroshi po hetohet për falsifikim dhe fshehje të të dhënave në formularin e dekriminalizimit. Këto akuza janë të mjaftueshme që Rroshi të shijojë edhe një herë byzylykët e burgut që i ka provuar më parë në Itali, më pas në Gjermani dhe në fund në Zvicër.
Rama zgjidh nga zinxhirët dy zagarë
Rama ka lëshuar dje dy zagarë të tij nga zinxhirët. Bëhet fjalë për ata kriminelë që preken nga ligji i dekriminalizimit. Ervini, përdhunuesi i Kavajës dhe trafikanti që trafikoi si prostitutë edhe të fejuarën e vëllait, Ndoka kanë reaguar kundër PD duke deklaruar se ata do të sfidojnë ligjin e dekriminalizimit dhe do të vijojnë punën për të bërë vota për Ramën. Kjo ka sjellë edhe reagimin e PD, i cili i kujton Ramës se është në grahmat e fundit.
“Edi Rama ka lëshuar nga zinxhirët dy prej banditëve të tij të racës, Elvis Rroshin dhe Arben Ndokën, të dy të dënuar në Itali, njëri për përdhunim, tjetri për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, dhe i ka hedhur në sulm kundër opozitës, kundër Partisë Demokratike. Rroshi njofton se nuk e quan dorëheqjen, njofton se do të kthehet në zyrën e tij, pasi u arratis për 3 ditë kur u zbulua vendimi i gjykatës italiane. Do të kthehem thotë i dënuari për përdhunim, i dënuar edhe në Zvicër për drogë, edhe pse kur i plasi bomba në dorë Edi Rama e quajti të përfunduar shërbimin e tij. Do të kthehem thotë edhe Arben Ndoka, i cili kërcënon opozitën dhe thotë se ka përveshur mëngët e tij kriminale për votën e zgjedhjeve që po vijnë. E përmendi Departamenti amerikan i Shtetit, si turp që ai ishte deputet, por njeriu që Rama i ka besuar PS-në e Lezhës, thotë se po kthehet. Sigurisht këta janë zëri i Edi Ramës, janë grahmat e tij të fundit, klithmat e një pushteti që po jep shpirt, sepse krimi dhe Shqipëria nuk do të rrinë më bashkë. Ta harrojë Rama se do të pengojë dekriminalizimin, se do të prekë votën, duke zgjidhur nga zinxhirët këta banditë race. Ai ka mbetur vetëm, fillikat dhe rrethohet vetëm nga këta trafikantë, tutorë e vrasës. Ka gjithë popullin përballë”, thuhet në reagimin e PD.
Pse Rama nuk firmos dorëheqjen e Roshit
Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj denoncoi dje refuzimin e Ramës për të formosur shkarkimin e Roshit.
“Edi Rama vazhdon ta mbrojë edhe sot, edhe tani që flasim Elvis Roshin, të dënuar për përdhunim në grup. U pa botërisht se njeriu i tij është dënuar për këtë vepër të rëndë, e megjithatë Edi Rama sërish nuk është distancuar, nuk ka kërkuar ndjesë para qytetarëve të vendit që i poshtëroi, duke kandiduar e rikandiduar Roshin.
Edi Rama ende nuk ka marrë një akt për shkarkimin e tij, edhe pse Prokuroria ka nisur ndjekjen penale për fshehjen e të dhënave.
Pasi e justifikoi përdhunimin e Roshit, pasi deklaroi se Roshi është si gjithë shqiptarët që kanë emigruar, Rama organizoi dhe një miting në mbështetje të tij dhe sot janë të gjithë të dhënat që po e ndihmon t’i fshihet drejtësisë.
Ja sa seriozisht e ka dekrimalizimin Edi Rama, që ofron mbrojtje të gjithanshme për kryetarin e tij të Bashkisë, kur kapet me krime të rënda e me fshehjen e tyre” tha Alibeaj.
Ai theksoi se mbrojtja e Ramës për të dënuarin për përdhunim arriti kulmin të enjten, kur Taulant Balla e quajti Kavajën një qenef të madh, ndërsa Roshin shpëtimtarin e saj.
“Edi Rama vazhdon të poshtërojë qytetarët e Kavajës në mënyrë të përsëritur.
Iu kërkua të mos i poshtërojë qytetarët, i thanë faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë mos e kandido Roshin se është i dënuar në Zvicër për drogë, ai sërish e bëri.
I doli tashmë i dënuar edhe për përdhunim, sërish Edi Rama zgjedh të qëndrojë në krah të Roshit e të fyejë popullin, qytetarët e Kavajës.
Nëse Edi Rama i ka mundësuar edhe arratinë, njësoj si Frrokut, ne i themi Prokurorisë ta kërkojë Elvis Roshin në zyrën e Kryeministrit. Aty ta kërkojë, sepse Elvis Roshi dhe Edi Rama janë një, janë i njëjti person, janë të pandarë” tha Alibeaj.