Ngjarja e 18 shtatorit në Elbasan, ku u godit makina e policisë nga një “Audi” i blinduar ka detyruar Prokurorinë të hapë edhe dosje të vjetra mbi bandat e qytetit. Një prej emrave më të lakuar është ai i Suel Çelës, djalit të biznesmenit Petrit Çela, që administron Tregun Agroushqimor të qytetit. Emri i tij ka qenë i njohur për Policinë e Elbasanit, pasi është i përfshirë në disa ngjarje kriminale, por që forcat e policisë ishin të pafuqishme për ta arrestuar për shkak të mbështetjes publike, që ka nga kreu i Bashksisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe vetë kryeministri Rama.
Suel Çela me bandën e tij i kanë sigurar votat Sejdinit për t’u zgjedhur kryetar Bashkie nëpërmjet presionit dhe kërcënimeve me armë të votuesve. Dy vjet më parë, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, Suel Çela me bandën e tij ushtruan terror me armë tek komuniteti rom që të votonin për Sejdinin. Suel Çela u akuzua me emër dhe mbiemër nga komuniteti rom i qytetit se i armatosur me disa persona të tjerë po kërcënonte qytetarët për të mbledhur vota për kandidatin e PS-së, Qazim Sejdini.
“Ishte Sueli që më kërcënoi. Ishte bashkë me të vëllain dhe ishin të armatosur me kallashnikov”, tha një nga dëshmitarët. Ai tregoi atëherë se në këtë zonë të tillë personat afrohen vetëm kur ka zgjedhje për të terrorizuar banorët dhe për t’i kërcënuar ata që nuk votojnë PS-në. Në atë kohë, kjo ngjarje u mohua nga deputeti i PS, Taulant Balla, që sipas të cilit, bëhej fjalë vetëm për një incident mes dy familjeve të varfëra pa prapavijë politike.
Ushtari i bandës së Suel Çelës ruante qytetin me kamera
Ushtari i bandës së Suel Çelës, Enea Bekteshi, kishte instaluar në qytetin e Cërrikut katër kamera sigurie, të cilat monitoronin të gjitha lëvizjet e Policisë dhe Forcave Speciale. 31-vjeçari dyshohet se drejtonte makinën e blinduar që goditi më 18 shtator makinën e Policisë në Elbasan. Sipas burimeve nga organi i akuzës, në gjendje pune kanë qenë katër kamera. E para ishte vendosur te rrethi i konviktit të qytezës, e dyta pranë Medresesë, e treta tek rrugica që të dërgon te banesa e kunatit të tij dhe e katërta ishte vendosur poshtë një pallati pesë katësh.
Serverat e këtyre kamerave u sekuestruan nga Policia e Elbasanit dhe u dërguan për veprime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në këtë mënyrë, ai ruante lëvizjet e policisë dhe ishte gjithmonë i gatshëm të lëvizte në rast se pikaste një tentativë për të mësyrë në banesën ku fshihej.
Sipas burimeve, hetimet kanë zbuluar se, Bekteshi kishte lënë gjurmë gishtërinjsh te makina ‘Audi A8’ që goditi policinë. Pavarësisht këtyre provave, i prangosuri Bekteshi vijon të mos flasë gjatë marrjes në pyetje. Ai ka kërkuar më shumë kohë dhe procesin e marrjes në pyetje kërkon ta zhvillojë në prani të avokatit.
Emri i Enea Bekteshit ka qenë më herët i skeduar për disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në qytetin e Elbasanit. Organi i akuzës së rrethit, kishte kërkuar që ai të mbahej nën mbikëqyrje nga forcat e operacioneve speciale, pasi kishte dyshime se ishte përfshirë në atentatin me antitank ndaj banesës së familjes Çapja. Kjo ngjarje e pazakonte ndodhi në fillim të gushtit të këtij viti, por fatmirësisht pa viktima. Sipas burimeve nga Prokuroria, 31-vjeçari Enea Bekteshi dyshohet se ka qenë në drejtim të automjetit të vjedhur në Durrës, tip BMW X3, që u dogj në periferi të qytetit të Elbasanit, pasi goditi me antitank ndërtesën e Çapjave. Për atë ngjarje u kërkua që të mbaheshin nën përgjim edhe dy persona të tjerë, por deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.