Bashkë me “Pallatin 176”, komedia “Shi në plazh” ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga më të suksesshmet e teatrit shqiptar. Me gjithë vitet që kanë kaluar, ende nuk është realizuar një tjetër që të zëvendësojë qoftë të parën, qoftë të dytën.
Sigurisht që, kur i shihni e qeshni për kushedi të satën herë, në asnjërën prej tyre nuk keni menduar për njerëzit që kanë punuar pas skene. Madje, mund të mos dini as regjisorin, boshtin e një shfaqjeje. Kur punonte për komedinë “Shi në plazh” regjisori Gëzim Kame, ishte ndërkaq pedagog në Akademinë e Arteve. Fryma e atyre viteve ishte që për çdo shfaqje të realizuar, emrat më të njohur të aktrimit, të bëheshin bashkë me studentët. Kështu u përzgjodh Elvira Diamanti, ende studente, për të luajtur përkrah Viktor Zhustit. Kjo ishte një shfaqje e Akademisë, por për shkak të suksesit, u vu më pas edhe në Teatrin Kombëtar.
E kotë t’ju themi se sa është numri i DVD-ve o kasetave video (ca vite më parë) që janë shitur pas ’90-s. Mirëpo, “Shiu…” nuk ka qenë e vetmja shfaqje teatrale e bujshme e regjisorit. Ka pasur të tjera që, megjithëse nuk u bën kaq popullore, në vitet kur u realizuan, shkaktuan zhurma jo pak të forta. Për to dhe projektet e reja që ka me teatrin, Gëzim Kame na tregon në këtë intervistë për “Panoramën”:
Janë bërë disa vite që kur nuk e kemi dëgjuar emrin tuaj në teatër. Cila ka qenë shfaqja e fundit?
Jo aq shumë sa duken. Shfaqja e fundit ka qenë “Të gjithë me huqe”, që është vënë në vitin 2011. Përpara saj ka qenë “Pjata prej druri”. Megjithatë, është e vërtetë që këto vitet e fundit nuk kam qenë shumë aktiv. Nga viti 2002 deri në vitin 2015, kam vënë tri shfaqje.
Pse? Nuk ka qenë terreni i përshtatshëm, apo…?
Mundet të jetë edhe kjo, sepse në të vërtetë, unë nuk kam punuar këtu, jo se nuk kam punuar fare. U bënë vite që vë shfaqe në Kosovë e Maqedoni, mbi 10 të tilla. Jam përpjekur të çoj atje gjuhën letrare, të cilën aktorët kosovarë e duan, dhe me pak punë e arrijnë. Kam marrë gjithashtu aktorë tanët si Mujon, Bulkun, Ndrenikën etj. Jam ndier rehat atje sado që, nga niveli artistik ata janë pak më dobët se ne.
Pra, ne qenkemi mirë?
Këtë nuk do ta thosha por, di të them që kam ndier kënaqësi të madhe, vitet e fundit, me disa shfaqje që kam parë. Është “Tartufi’, “Vdekja e Maratit” dhe e fundit që sapo përfundoi në Teatrin Kombëtar, “Tri motrat”. Regjisorët e këtyre dy pjesëve të fundit kanë ditur t’i japin impulse tërësisht profesionale teatrit nga të gjitha pikëpamjet, kostumografia, skenografia e, ç’është më e rëndësishmja, puna e detajuar me aktorin. Ky është një problem i madh i yni, sepse aktori është lënë të punojë në zbrazëti, nuk ka pasur drejtimet e duhura nga regjisorët dhe, ka përfunduar deri aty, sa ta bezdisë publikun për shkak të plastikës së çoroditur e gjithë mangësive të tjera. Por, kur pashë “Tri motrat” dhe punën ekselence me aktorin, mendova që brumi është, dhe ky brez do të jetojë gjatë. Shfaqja vinte siç është Çehovi, pa bujë, pa ngjarje të mëdha, por me atë vërtetësinë e së përditshmes që arriti të shpalosej shumë mirë. Më bëri përshtypje kur dëgjova që Hervin Çuli do ta bënte shfaqjen me tekstin e paredaktuar, të pacenuar pra dhe që do të zgjaste më shumë se 3 orë e gjysmë. Mendova që po vret veten me këtë por, kur e pashë shfaqjen, dhe që asnjë nga spektatorët nuk lëvizi, e vlerësova shumë.
Në fakt, ndonjë edhe lëvizi, por gjithsesi, jo aq saç i frikësoheshin aktorët apo regjisori… Pra, ju thoni që problemet në teatër vijnë prej këtyre të fundit? A nuk janë këta aktorë, nxënësit e brezit tuaj? A është më shkolla ajo që ka qenë?
Për shkollën e sotshme kam rezervat e mia dhe jo, nuk është më ajo që ka qenë. Aktorët e sotshëm luftojnë për emër dhe e shesin veten për hiçgjë, vetëm për ta fituar. Pranojnë role të kota, sepse e duan emrin shpejt, nuk shohin rrugën që kanë përpara e që mund të bëjnë.
Disi do jetojnë edhe ata… Si ka qenë dikur?
Kolosë të teatrit që janë nëpër botë kanë parësore pikërisht punën me aktorin. Stanisllavski ka thënë se zbërthimi i personazhit dhe puna me aktorin është një shkencë më vete. Pikërisht ky ka qenë thelbi i shkollës sonë të dikurshme. Nuk është e rastësishme që doli ai brez që doli e që nuk po i shohim dot të vijnë më. Aktori nuk e orienton dot veten dhe duhet kuptuar që, edhe sikur të ketë talent, suksesi nuk është rezultat i punës së tij individuale. Partneriteti është po aq i rëndësishëm, nuk mjafton vetëm ajo çka i ndodh individit.
Një nga komeditë tuaja më të suksesshme a, më e suksesshmja, është “Shi në plazh”. Kishit atje emra shumë të mirë aktorësh siç kishit edhe një aktore të re si Elvira Diamanti. Në këtë rast, a është e njëjtë puna e regjisorit përballë një aktori me përvojë, krahasuar me një studente?
Do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje me një rast konkret. Përpara komedisë “Shi në plazh”, kam pasur një shfaqje tjetër që quhej “Tokë e ndezur” e Fahri Balliut. Unë isha vetëm 31 vjeç, ndërsa në rol kryesor ishte Kadri Roshi. Asokohe e kishim kthyer Akademinë në një laborator të vërtetë dhe në çdo shfaqje bëheshin bashkë aktorët më të mirë që kishim, me studentët. Punën në tavolinë e ndiqnin sa e sa studentë. Personazhit të Roshit i vritet vajza dhe reagimi që kishte menduar Kadriu ishte i ngurtë, pa shfaqje emocionesh e pa u ligështuar, sepse ishte burrë i fortë dhe nuk duhet të “lëshohej” përpara fshatit. I thashë se nuk isha dakord me këtë reagim. Në momentin e parë që merrte vesh për vdekjen e së bijës ai duhet të qante si fëmijë. Nuk e pranoi.
Atëherë ramë dakord për një rrugë të mesme, do t’i bënte të dyja reagimet dhe do të shihnim kush ishte më mirë. Po e filloj me këtë që thua ti, tha. Vuri duart në ballë, pa folur, për disa minuta dhe nisi më pas interpretimin. Duhet të më besoni, kur ju them, që ata 200 veta që ishin në sallën e provave të tavolinës, gati kanë qarë. Pas kësaj, Kadriu nuk pranoi më ta bënte variantin e tij, vendosëm për këtë. Kjo ishte për të treguar që komunikimi dhe trajtimi i tjetrit si i barabartë, ishte për të gjithë ne, sidomos për ata që ishin mësuesit e mi, shumë i rëndësishëm. Aktorët sot nuk e kanë këtë të rëndësishme, duan t’i tregojnë spektatorit që “shikoni, kam ardhur unë, jam unë këtu”, dhe hedhin poshtë gjithë punën. Ekzibicionizmi dëmton gjithçka. Kështu që, edhe Elvira që ishte studente, ndihej njësoj si të tjerët, sepse krijohet ansambli dhe puna bëhet njësoj me të gjithë brenda tij.
Për t’u realizuar në vitin 1984, te “Shi në plazh”, mund të shohësh edhe ndonjë afrimitet që të tërheq vëmendjen. Po përmend skenën e Alberit dhe Jetës në çadër. A do donit ju ta çonit këtë skenë, përtej asaj çuçurimës në vesh, por i druheshit kontrollit?
Jo, nuk kam menduar skena të tjera dhe në përgjithësi shfaqja nuk është se ka pasur pengesa. Kam qenë i kujdesshëm që shfaqjet e mia të mos kishin frymë politike dhe në përgjithësi nuk jam ngacmuar.
Po thoni që punët tuaja nuk i shihte paria përpara se të shfaqeshin?
I shihte patjetër, por ky rast nuk ka pasur probleme.
Cilat kanë qenë rastet problematike?
Kanë qenë përgjithësisht ndërhyrje të vogla, si ajo te “Tokë e ndezur” kur kërkuan që të hiqeshin fjalët që thoshte Timo Flloko, pasi i vritet e fejuara: “Kosova do fitojë”. Dy rastet për t’u përmendur, ku përpjekja për të ndryshuar pjesën ishte e madhe, kanë qenë te “Shtëpia e Bernarda Albës” dhe te “Shkallët”.
Na tregoni ç’ka ndodhur te secila?
“Shtëpia e Bernarda Albës” është vënë në skenë dy muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës. Kur kërkova që shfaqja të filmohej, nuk më lejonin sepse thoshin që pjesa bie në kundërshti me situatën në vend. Ti, më thoshin, përmes kësaj pjese po u bën thirrje grave shqiptare të mos mbajnë zi për vdekjen e Hoxhës. Boshti i “Bernardës…” në fakt, ishte pikërisht revolta ndaj zisë. Me mesazhet e kësaj pjese ti po u thua grave tona të vënë buzëkuq kur ka kaluar kaq pak kohë nga vdekja e udhëheqësit. Ky ishte thelbi i diskutimit, por që u sheshua dhe u zbut duke biseduar disa herë, deri sa shfaqja u filmua.
Po te “Shkallët”, çfarë ndodhi?
Kur kam vënë në skenë pjesën e Ruzhdi Pulahës, “Shkallët”, ka qenë pragu i vitit 1990. Ishte revolucion për ato vite të vije skenën në mes të sallës, dhe të sillje spektatorin rreth e qark saj, duke e ngjitur në skenë. Ishte si një ring boksi.
Kishim filluar, në njëfarë mënyre, të vrisnim frikën, por ende nuk e dinim se çfarë do të ndodhte. Ende pa u parë në prova gjenerale, spiunë të veçantë brenda teatrit thanë se Kame po bën shfaqe antipartisë. Më thirri ministri i Kulturës për të më pyetur se ç’ishte ajo skenë në mes të sallës dhe e pezulluan shfaqjen për 9 muaj, sepse unë nuk pranova ta ndryshoja, më mirë e lija. Me të kaluar kjo kohë, mendova ta vë shfaqen për ta parë emrat e njohur të letrave, gazetarët e përfaqësues të ministrisë dhe të jepnin një gjykim të dytë. Ndër të tjerë, erdhi edhe Kadareja me Agollin, të cilët pa dyshim e mbështetën dhe pati prej të gjithëve, reagim ndaj pushtetarëve se çfarë kishte kjo shfaqje për mos t’u dhënë.
Si përfundim, për të mos vënë edhe ministrin në pozitë të vështirë, marr Besën, të bijën e Ramiz Alisë dhe i kërkoj ta shohë shfaqjen. Punonim bashkë, ishim kolegë në Akademi, ajo në fushën e muzikës. Pranoi, erdhi, e pa shfaqjen dhe ndërhyri te Ramizi, i cili mori ministrin në telefon dhe e lejoi./Arkiva, Gazeta Panorama