Publikimi i skandalit të përgjimeve ka bërë që minjtë të lëvizin si para tërmetit në mënyrë konfuze. Nuk të duhet shumë vëmendje për të kuptuar se të inkriminuarit në operacionin e paligjshëm të përgjimeve po thyejnë turinjtë në muret e ligjit, pavarësisht sofistikimit, apo trajnimit rilindas për të mashtruar publikun. Ministri Tahiri thotë se nuk ka policia aparat përgjimi, ndërsa Çako thotë se e kemi një, por nuk kemi bërë përgjime. Çipa thotë se nuk e kemi në polici, por Duka i operacionales thotë se e kemi në polici dhe kemi përgjuar për të trajnuar. Në fund të gjithë pohojnë se krimi ka ndodhur, por duke e fragmentarizuar historinë mendojnë se dalin pa lagur dhe kanë qenë thjesht duke bërë detyrën. Kur mendojnë se nuk kanë përgjigje që i mbron, të gjithë përgjegjësinë ia kalojnë Interforcës.
Ministri dhe banditët që kryeministri Rama ka angazhuar në këtë operacion kriminal, me dëshmitë e dhëna dje në Komisionin parlamentar dhe në Prokurori kanë identifikuar veten si përgjegjësit kryesorë të këtij skandali. Tahiri dhe banda e tij pohojnë se një pajisje e fuqishme përgjimi ka hyrë e pa regjistruar përmes doganës së Durrësit, ka marrë rrugën drejt Tiranës, është futur në zyrat e drejtuesve të lartë të Ministrisë dhe Policisë së Shtetit, ka “trajnuar” policë, ka përgjuar banditë, ka ndihmuar operacionet e policisë. E gjithë kjo është as më pak as më shumë akuza që prangos Tahirin dhe drejtuesit kanabistë të Policisë së Shtetit.
Ligji shqiptar, në përpjekje për t’u përshtatur edhe me standardet europiane, ka një procedurë të qartë se kush i mban pajisjet e përgjimit, kush i autorizon përgjimet, kush i bën përgjimet, por edhe kush i trajnon efektivët që do të përdorin aparatet e përgjimit. Në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme është autoriteti i vetëm ligjor, dhe përpjekja e Tahirit për ta marrë këtë të drejtë, apo për më tepër për t’ia njohur këtë të drejtë një misioni të huaj policor është tej çdo limiti ligjor dhe kushtetues.
Dëshmitë e dhëna prej Tahirit dhe bandës së tij, përkatësisht në Komisionin Parlamentar të Sigurisë dhe në Prokurori, implikojnë në të gjithë këtë operacion të paligjshëm një strukturë të huaj, që ndodhet prej vitesh pranë Policisë së Shtetit për të koordinuar përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe sikur të jenë të vërteta këto pretendime, Tahiri dhe kanabistët harrojnë se ata vetë dhe të huajt janë të detyruar të respektojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe marrëveshjet. Një ekspert i huaj mund të jetë njohës i shkëlqyer i bombave bërthamore, por nuk mund t’i sjellë ato në zyrën e Tahirit dhe të trajnojë kanabistët, sepse kështu i intereson kryeministrit.
Përpjekja për t’i ikur përgjegjësisë ligjore nuk do të thotë se ata kanë shpëtuar. Përkundrazi, këta minj të korrupsionit dhe krimit të organizuar harrojnë se përgjimet e tyre kanë lënë gjurmë, kanë dëshmitarë që ligji shqiptar, marrëveshjet, rregulloret dhe procedurat e brendshme dhe të jashtme i detyrojnë të gjithë ata të rrëfehen para drejtësisë.
Përfshirja e strukturave të armatosura në operacione të paligjshme përgjimi, me dijeninë dhe urdhërin e kryeministrit, ministrit të Brendshëm, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kërkon më së pakti largimin e tyre të menjëhershëm dhe verifikimin e hollësishëm të të gjitha pasojave që ka sjellë ky krim shtetëror. Nëse ata mbeten pa ndëshkuar fort dhe pa ekuivok, nuk është çudi që nesër Mrika të na marrshojë me trupa besnike nëpër rrugët e Tiranës për të na bindur se kryeministri është i miri, i drejti dhe shpëtimtari. Ligji duhet të veprojë me të gjithë forcën e tij. Askush nuk duhet të guxojë të bëjë dhe të mendojë të kundërtën. Ky nuk është një tender dhe koncesion. Ata që dalin pa lagur në momentin kur prekin sigurinë kombëtare janë rrezik i madh për demokracinë dhe lirinë e shqiptarëve, ndaj nuk duhet hezituar përgjigja e ashpër ligjore për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij skandali.