Si mund të ndalet shpopullimi i një vendi? Shembulli që vjen nga Suedia

Nga Enrico Varrecchione

Pishina publike në Åsele është mbyllur për shkak të rikonstruksionit, dhe do të rihapet në muajte parë të vitit 2025. Gjithsesi nuk ka problem, pasi në kinema po shfaqet seria e re e filmit të famshëm “Gladiatori”. Një fundjavë ideale për ata që sapo kanë vendosur të shpërngulen në këtë komunë në Suedinë Veriore, 7 orë me makinë nga Stokholmi dhe e populluar nga vetëm 2.700 banorë (në vitet 1970 ishin dyfishi).

Kjo është pjesë e paketës së ofruar nga administrata komunale, e cila u mundëson banorëve të rinj hyrje falas në pishinën publike dhe në kinemanë që ndodhet në qendër të qytetit.  Sigurisht, vetëm këto shërbime nuk do t’i tërheqin njerëzit të shpërngulen në këtë komunë në qarkun Västerbotten.

Megjithatë ato janë pjesë e një strategjie të mirë-përcaktuar, e cila synon t’i kundërvihet rënies demografike në zonat më rurale të Suedisë. Për momentin, është ndalur pakësimi i popullatës nga largimet apo plakja e vazhdueshme e popullsisë. Åsele kaloi nga kulmi prej 300-500 banorësh të humbur çdo 5 vjet, në një stabilizim midis viteve 2015-2020, e pasuar nga një rënie e vogël me rreth 100 banorë në regjistrimin e fundit këtë vit.

Për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, duhet të analizojmë shifrat e përgjithshme të gjithë vendit dhe rrjedhimisht të zonave të brendshme. Sipas parashikimeve aktuale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Suedia do të rritet nga 10.5 milionë sot në 11.3 milionë në vitin 2050.

Sa për të bërë një krahasim, brenda kësaj periudhe parashikohet që me ritmet e saj aktuale,  Italia do të humbasë 7 milionë banorë. Po sipas OBSH-së, në Itali segmenti më i madh i popullsisë në vitin 2050 do të jenë ata mbi 85 vjeç, ndërsa në Suedi grupmosha më e përfaqësuar do të jetë ajo midis 55-59 vjeç, e pasuar menjëherë nga ajo midis 35-29 vjeç.

Në Suedi, rritja e popullsisë ndodh në mënyrë të pabarabartë në varësi të madhësisë së qendrave të popullsisë dhe vendndodhjes së tyre. Por dukuria më interesante, është se pavarësisht distancës së madhe nga 3 metropolet e vendit dhe pjesa tjetër e Evropës, ato janë rajonet më veriore që shënojnë përqindjen më të lartë të rritjes, e cila deri rreth 10 vjet më parë kishte qenë në rënie.

Qarqet e 3 qendrave të mëdha – Stokholmi, Västra Götaland (me kryeqendrën e saj Gotenburg) dhe Skania – kanë regjistruar një rritje të vazhdueshme të popullatës për dekada, të cilat u ngadalësuan pjesërisht në vitin 2020 për shkak të pandemisë.

Megjithatë, shifrat janë larg atyre të viteve 2018-2019, kur Stokholmi iu afrua rritjes me 40.000 banorë në vit. Për pjesën tjetër, Suedia është e ndarë në tre zona të mëdha gjeografike: jugu, më i ekspozuar ndaj tregtisë me pjesën tjetër të Evropës, qendra, përmes së cilës kalojnë rrugët që lidhin kryeqytetin dhe Goteborgun, dhe veriu, i cili dallohet si gjeografikisht ashtu edhe ekonomikisht.

Stokholmi ka një PBB 6 herë më të lartë se ai i Suedisë Veriore. Është e qartë se cilësia e jetës mbetet ndër më të lartat në botë edhe në Suedinë Veriore, duke pasur parasysh shpërndarjen e burimeve tek një popullsi prej rreth 900 mijë banorësh. Gjithsesi mundësitë profesionale dhe studimore janë të përqendruara kryesisht në pjesën jugore të vendit.

Sipas një studimi të Universitetit Umeå mbi tendencat historike, ka ende një hendek midis rritjes demografike të bashkive të kryeqytetit të rajoneve veriore dhe rënies së vazhdueshme të zonave rurale. Krahasimi vlen veçanërisht me dy vendet “motra” të Evropës Veriore: në Norvegji, ekzistojnë 3 rajone Arktike ose nën-arktike (nga jugu në veri, Nordland, Troms dhe Finnmark), ku shpopullimi historikisht ka ndikuar veçanërisht tek dy rajonet më veriore.

Një qasje e ngjashme me atë të Stokholmit ishte miratuar nga Jens Stoltenberg gjatë krizës financiare të vitit 2008, me  investime të shumta publike që kishin garantuar rritje ekonomike dhe demografike. Por ajo  u ndërpre papritur nga pandemia. Në Finlandë, rajoni subarktik Kainuu ka regjistruar një bilanc negativ që nga viti 1990, ndërsa Laplanda arriti të ndërpresë vetëm në vitin 2023 një rënie demografike 30-vjeçare.

Një nga zonat më të prekura në Suedinë Veriore është i ashtuquajturi Rajoni 10, që përfshin 10 komunat më perëndimore të Norrbotten dhe Västerbotten, përfshirë Åselen. Ato kanë nisur zbatimin e projektit “Move Up North” financuar nga BE-ja përmes Fondit Social Evropian dhe institucioneve lokale, që synon të përqendrojë atje mundësitë e punësimit, shitjen e banesave dhe  aktivitete në dispozicion të banorëve të rinj.

Përmes fondeve të zhvillimit rajonal, Bashkimi Evropian ka dhënë 960 milionë euro për Norrland-in, të cilave u shtohen edhe 294 milionë euro nga qeveria suedeze. Për të kombinuar nevojat e punës me zgjidhjet më të përshtatshme të pronave të paluajtshme për banorët e rinj aspirues, Rajoni 10 ka punësuar dhjetë konsulentë, një për çdo bashki, të cilët për 3 vite do të menaxhojnë kërkesat dhe të ndjekin banorët e rinj gjatë fazës së vendosjes atje për t’u garantuar atyre një integrim të mirë me strukturën sociale.

“Rajoni ynë mund të ketë dyfishin e madhësisë së Belgjikës, por ka vetëm 47 mijë banorë”, thotë Sofie From, konsulente e Rajonit 10 për komunën Norsjö. Midis 10 komunave nuk mungojnë dallimet në prejardhjen e tyre. “E vetmja qendër e madhe është Lycksele, të tjerat janë pak më shumë se fshatra.

Megjithatë, ekonomia sillet rreth disa sektorëve: në Storuman ka turizëm, Arjeplog dhe Arvidsjaur ka kompani të specializuara në testimin e makinave. Malå dhe Lycksele janë të njohura për përpunimin e drurit. Por sfidat janë mjaft të ngjashme, dhe ne besojmë se jemi më të fortë kur punojmë së bashku”- shton From.

Dhe nuk mungojnë as mundësitë e studimit: ”Ne kemi dy kampuse universitare në Umeå dhe Luleå, një kampus në Skellefteå dhe një kampus i fakultetit të infermierisë u inaugurua së fundmi në Lycksele. Dhe disa nga mësuesit tanë kanë përfunduar specializimin e tyre përmes kurseve të mësimit në distancë”.

Por atëherë, pse largohen njerëzit? “Problemi nuk është dhe aq emigracioni por mosha mesatare. Shumë prej banorëve tanë janë të moshuar. Nuk janë më në moshën e lindjes së fëmijëve dhe për rrjedhojë balanca mes lindjeve dhe vdekjeve është negative. Ky çekuilibër nuk kompensohet nga migrimi, që edhe kur është pozitiv mbetet i pamjaftueshëm në krahasim me nevojat”- shpjegon From.

Atëherë, si funksionon programi “Move Up North” për ata që duan të lëvizin atje? “Ne jemi të përkushtuar që të angazhojmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur për ta konsideruar rajonin tonë si shtëpinë e tyre të ardhshme. Ne kemi vendosur një synim prej 200 kontaktesh të qëndrueshme në vit. Pra njerëz që mbajnë marrëdhënie aktive me ne, me synimin për të ardhur këtu”-shton ajo.

Po gjuha? “Disa nga banorët e rinj ishin tashmë të interesuar të shpërnguleshin në Suedi dhe e flisnin gjuhën tonë. Të tjerët kishin arritur të gjenin punë vetë, dhe thjesht kërkonin ndihmë për t’u zhvendosur. Por ata që mbërrijnë në Suedi, kanë mundësinë të ndjekin kurse gjuhe të ofruara nga secila komunë”- përgjigjet From.

Të tjerët janë më të pavarur dhe thjesht duhet të vihen në kontakt me strukturën shoqërore. E çfarë duhet të bëni për ta? “Nëse janë tifozë futbolli, i vëmë në kontakt me ekipin vendas.

Nëse e duan kinemanë, i drejtojmë drejt shfaqjeve. Sidoqoftë, nëse ata thjesht dëshirojnë të përmirësojnë jetën e tyre sociale. Disa ditë më parë ne organizuam një darkë për banorët e rinj, për t’i lejuar ata të njihen më mirë me njëri-tjetrin”- shprehet ekspertja.

Por sfida kryesore për Suedinë Veriore, e përqendruar historikisht tek minierat, do të jetë kontributi në zhvillimin e qëndrueshëm, thotë Peter Larsson, koordinator i aktiviteteve industriale në këtë zonë. Në qershor të këtij viti, Larsson publikoi një raport mbi kushtet e banimit në vend, duke theksuar nevojën për të rritur ndërtimin e banesave në rajonet e destinuara për ri-industrializim, veçanërisht në Skellefteå, kryeqyteti i Västerbotten, i njohur edhe si “Qyteti i arit”. /Përshtatur nga nga “Linkiesta”

Artikulli paraprakProbleme me pasurinë dhe etikën/ Kërkohet shkarkimi në Kolegj i motrës së Ermonela Felajt
Artikulli tjetërVrasjet e profilit të lartë kanë ndikim në luftë, çdo ndodhë pas eliminimit të gjeneralit rus Kirillov?