Wohlforth, i njohur si themelues i realizmit neoklasik në politikën e jashtme, thotë se “pozicioni i SHBA-së në botë nuk është ai që ishte pesë apo dhjetë vjet më parë” dhe është e mundur që Trump beson në një “marrëveshje të madhe me Putinin”, megjithëse qëndrimet e ashpra të liderit rus mund ta pengojnë atë.
Më shumë se anëtarësimi në NATO, Wohlforth argumenton se ajo për të cilën Kievi me të vërtetë ka nevojë është një angazhim afatgjatë ushtarak nga Perëndimi.
Si fillim, si e vlerësoni kohën në të cilën jetojmë nga një perspektivë e strategjisë së madhe?
William C. Wohlforth: Po, nëse mund të flas nga një perspektivë e ngushtë amerikane, ne jetojmë në një kohë ku ka më shumë potencial për ndryshim të rëndësishëm në qasjen fundamentale të Amerikës ndaj ndjekjes së interesave të saj, domethënë strategjisë së saj të madhe, se që kemi parë në shumë, shumë, shumë dekada, që nga formimi i hershëm i sistemit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore, nën kujdesin e fuqisë dhe qëllimit amerikan në periudhën rreth vitit 1950.
SHBA-ja mund të jetë në prag të një ndryshimi të konsiderueshëm në mënyrën se si i qaset ndjekjes së interesave të saj, dhe nuk kam parë asgjë të ngjashme me këtë në jetën time. Dua të theksoj se po flas vetëm për çfarë mund të ndodhë potencialisht. Kemi shumë vështirësi në vlerësimin se çfarë është e mundshme të ndodhë duke marrë parasysh politikën e brendshme të SHBA-së. Por, shoh më shumë potencial real për një ndryshim se sa që kam parë që një kohë shumë të gjatë.
Do t’i diskutojmë skenarët alternativë pas pak, por, para kësaj, doja t’ju pyesja për trashëgiminë e presidentit të SHBA-së, Joe Biden. A mund të flasim tani për trashëgiminë e tij, për fitoret dhe dështimet e tij, apo duhet të presim deri në përfundim të mandatit të tij?
William C. Wohlforth: Mendoj që në politikën e jashtme kemi disa pyetje që janë të pazgjidhura, zgjidhja e së cilave do ta përcaktojë vendin e tij historik. Por, mendoj se është e drejtë të fillojmë ta bëjmë një bilanc mbi sukseset dhe dështimet e politikës së jashtme të presidentit Biden dhe trashëgiminë e tij të përgjithshme. Ai krijoi një ekip shumë të aftë të sigurisë kombëtare dhe ndoqi një strategji mjaft koherente të përpjekjes për të mbajtur, për të ruajtur angazhimet ndaj aleancave dhe institucioneve që kjo administratë mendon se janë të nevojshme për sigurinë e SHBA-së, por gjithashtu për të filluar zvogëlimin e kujdesshëm të asaj që ata e shihnin si mbingarkesë për Shtetet e Bashkuara.
Dhe kjo u pa, natyrisht, në përfundimin e procesit të tërheqjes nga Afganistani. Dhe ata, vërtet, dëshironin të shihnin një zbutje, ose një ulje të angazhimit të SHBA-së në Lindjen e Mesme, por ata nuk arritën ta bënin këtë për arsye që janë jashtë kontrollit të tyre. Kur Hamasi e sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023, ajo ishte pikërisht aso ngjarje që administratat nuk mund ta kontrollojnë, dhe ata duhej të reagonin ndaj saj.
Sa i përket Evropës, kishte një rritje masive të angazhimit të Amerikës ndaj NATO-s, një përpjekje serioze për ta ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen e saj nga sulmi i Rusisë dhe menaxhimin e atij procesi me kompetencë dhe teori.
Tani, mund të mos pajtoheni me teorinë e tyre. Mund të mendoni se ishin shumë të shqetësuar për përshkallëzimin. Mund të mendoni se ishin shumë të kujdesshëm në shpejtësinë, me të cilën mundësuan që Ukraina të përfitonte nga sistemet e armëve të ndryshme të SHBA-së. Mund ta bëjmë atë diskutim, por ata patën një qasje koherente ndaj Ukrainës – luftës së Rusisë kundër Ukrainës – dhe e zbatuan atë me një shkallë të lartë kompetence.
Dhe pastaj nëse shikoni Azinë, keni parë një forcim të mëtejshëm të aleancës së SHBA-së me Azinë dhe me partnerët aziatikë, veçanërisht me Korenë e Jugut dhe Japoninë. I keni parë ata ta menaxhojnë çështjen e ngushticës [midis Tajvanit dhe Kinës kontinentale] me një siguri të konsiderueshme. Dhe, i keni parë ata ta të jenë inxhinierë të një ndryshimi në qasjen tonë ndaj marrëdhënieve ekonomike me Kinën – që është ndërgjegjësimi se politika e Kinës është në thelb të përfitojë nga hapja e SHBA-së për ta përshpejtuar sfidën gjeopolitike ndaj Shteteve të Bashkuara.
Dhe kështu, keni parë një përpjekje mjaft të konsiderueshme për ta ruajtur angazhimin ekonomik të përgjithshëm me Kinën, ndërsa, në të njëjtën kohë, kufizimin e qasjes në gjërat që do ta përshpejtonin ritmin e përgatitjeve të tyre kundër Shteteve të Bashkuara. Nëse i bashkoni të gjitha këto gjëra, shihni një zbatim koherent, profesional të një korrektimi të lehtë të kursit në strategjinë e madhe themelore të SHBA-së.
Po kalojmë te ky ndryshim i madh që e përmendët në fillim. Ne po i shohim në thelb dy Amerika të mundshme, apo jo? Dhe ato dy të ardhme të mundshme mund të jenë reciprokisht ekskluzive varësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në nëntor. Sa të ndryshme janë ato dy Amerika që mund t’i kemi?
William C. Wohlforth: Duhet ta vendos një pikëpyetje mbi këtë pyetje se a varet gjithçka nga zgjedhjet [më 5 nëntor]. Arsyeja është se Partia Republikane nuk është e unifikuar në politikën e jashtme. Në një farë mënyre, kjo fshihet tani nga fakti se partia është në një fushatë [zgjedhore] dhe po përpiqet ta paraqesë një qëndrim të unifikuar kundër Bidenit dhe tani [kandidates së supozuar të Partisë Demokratike] Kamala Harrisit.
Por, nën këtë [ka] rrjedha të ndryshme në politikën e jashtme të Partisë Republikane. Dhe është shumë e vështirë të parashikohet cila prej këtyre rrjedhave do të dalë dominuese nëse [kandidati i supozuar i Partisë Republikane] Donald Trump fiton në nëntor.