Si mund të trajtohet dhuna me bazë gjinore në Ballkanin Perëndimor

Nga XIAOQING YU
Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor

Ndjehem thellësisht e shqetësuar nga titujt e mediave që vijnë se fundmi nga Ballkani Perëndimor, të cilët zbulojnë statistika alarmante mbi përhapjen e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

Përmes këtij shkrimi, do doja të bashkohem me miliona njerëz në mbarë botën që po marrin pjesë në 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, duke mbrojtur këtë çështje jetike.

Dhuna me bazë gjinore është një problem i përhapur që tejkalon kufijtë, duke prekur globalisht, çdo rajon. Mesatarisht, një grua humb jetën për shkak të dhunës me bazë gjinore çdo 10 minuta në botë dhe trendi është përkeqësuar vitet e fundit. Edhe pse Ballkani Perëndimor nuk i tejkalon mesataret globale, ai ende përballet me sfida të rëndësishme.

Situata thekson nevojën urgjente për përmirësime gjithëpërfshirëse, pasi dhuna me bazë gjinore nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut, por përbën një pengesë madhore për zhvillimin.

Në Ballkanin Perëndimor, dhuna me bazë gjinore pengon arsimin, punësimin dhe mundësitë për të qënë pjesë e lidershipit. Sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Bosnjë dhe Hercegovinë, pothuajse gjysma e grave kanë përjetuar abuzim, ndërsa një përqindje tronditëse prej 84% e këtyre rasteve nuk raportohen. Për ta vendosur në kontekst, tre linjat aktive SOS të vendit kanë marrë 5,000 thirrje vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti – rreth një thirrje çdo 20 minuta.

Në Kosovë, studimet treguan se pothuajse një e treta e femrave të rritura kanë përjetuar ngacmime seksuale, dhe pothuajse gjysma e tyre e konsiderojnë dhunën në familje si një çështje private që duhet zgjidhur brenda familjes. Në Shqipëri, dy të tretat e grave dhe vajzave kanë përjetuar dhunë në takimet për njohje, ndërsa një e treta janë përballur me ngacmime seksuale. Tragjikisht, femicidi është i përhapur në Ballkanin Perëndimor, ku një në dy gra të vrara është viktimë e burrit ose partnerit të saj.

Rrugët për të Trajtuar Dhunën me Bazë Gjinore

Është inkurajuese të shohim njohjen dhe diskutimin në rritje të dhunës me bazë gjinore. Në mars të vitit 2023, organizatat e shoqërisë civile në vendet e Ballkanit Perëndimor u bashkuan për të ndërmarrë veprime, duke filluar nga monitorimi në gjykata i rasteve të femicidit dhe dhunës me bazë gjinore. Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi nisën përpilimin e një hartë interaktive që dokumenton femicidet që nga viti 2020, e cila rrit ndërgjegjësimin dhe nxit diskutime thelbësore.

Përtej përpjekjeve të shoqërisë civile, ndryshimet politike janë thelbësore për të avancuar barazinë gjinore dhe për të luftuar dhunën me bazë gjinore në rajon.

Së pari, është urgjente të forcohen përpjekjet për parandalim. Dëshmitë sugjerojnë se iniciativa si programet prindërore—të hartuara për të promovuar zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve—dhe fushatat e synuara për ndërgjegjësim publik mund të fuqizojnë gratë ndjeshëm si dhe të sfidojnë normat gjinore të dëmshme. Këto iniciativa ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve gjinore, adresimin e pabarazive të rrënjosura dhe pajisjen e familjeve me aftësi për zgjidhjen e konflikteve dhe komunikimin jodhunues.

Së dyti, një përgjigje efektive ndaj dhunës me bazë gjinore duhet të përqendrohet në nevojat e të mbijetuarve dhe të integrohet në sektorët kyç. Sektori shëndetësor duhet të ofrojë mjedise të sigurta për të mbijetuarit për të patur kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike. Sektori i arsimit mund të lehtësojë ndërhyrjet e hershme përmes programeve të bazuara në kopshte dhe shkolla që adresojnë dhunën si dhe të zbatojnë ndryshime në kurrikula për të sfiduar normat gjinore të dëmshme. Përmirësimet infrastrukturore, si transporti publik më i sigurt, gjithashtu mund të reduktojnë rreziqet dhe të rrisin lëvizshmërinë për gratë dhe vajzat.

Së treti, forcimi i sistemeve të menaxhimit të informacionit përmes digjitalizimit mund të përmirësojë koordinimin mes ofruesve të shërbimeve, të ndjekë rastet për të parandaluar përsëritjen dhe të përdorë analizat e të dhënave për të informuar politikat dhe strategjitë e parandalimit.

Në Bankën Botërore, ne jemi të përkushtuar për të përshpejtuar barazinë gjinore duke adresuar pengesat strukturore që përjetësojnë dhunën me bazë gjinore. Ne promovojmë mundësi ekonomike gjithëpërfshirëse dhe nxisim zhvillimin e kapitalit njerëzor për të siguruar rritjen e qëndrueshme dhe për të reduktuar varfërinë. Në Ballkanin Perëndimor, ne mbështesim në mënyrë aktive përpjekjet për të luftuar dhunën me bazë gjinore—nga trajnimi i personelit shëndetësor në Kosovë deri te promovimi i regjistrimit të pronave për gratë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi. Qëllimi ynë është të krijojmë një mjedis ku gratë dhe vajzat mund të ndjehen të fuqizuara për të kontribuar në shoqëri gjithëpërfshirëse.

Artikulli paraprak“Lista me librat që duhet të zhduken nga qarkullimi”- Vendimi i Enver Hoxhës në 1975, si u persekutuan shkrimtarët
Artikulli tjetërRrëzimi i regjimit të Assad/ NATO: Rusia dhe Irani ndajnë përgjegjësi për krimet kundër popullit sirian