Si ndikoi lufta për pushtet e Esad Toptanit te vendimi i Ismail Qemalit për dorëheqje!

NGA EVARIST BEQIRI

Duket sikur situata politike e përshkruar më sipër është përsëritur herë pas here përgjatë historisë sonë kombëtare. Kultura e mbrapshtë politike, paaftësia proverbiale për t’u bashkuar si një trup i vetëm dhe paaftësia për të menduar strategjikisht, duke lenë mënjanë interesat e vogla personale për hir të interesit të madh kombëtar, i ka munguar shpesh klasës sonë politike…

Historia që po sjellim më poshtë është metafora më e mirë për të ilustruar mendësinë e ndryshme që karakterizonte Ismail Qemal Vlorën dhe Esad Toptanin. Ajo është një histori që na vjen nga Solomoni, një nga sovranët më të shquar të Izraelit: “Dy gra që jetonin në të njëjtën shtëpi kishin lindur dy foshnje në distancë prej pak ditësh nga njeri tjetri. Për fat të keq një natë njëra prej foshnjave vdes. Nënat nuk po gjenin paqe, se kush prej tyre do ta mbante foshnjën që mbijetoi. Prandaj vendosën që t’i nënshtroheshin gjykimit të mbretit. Solomoni urdhëroi që t’i sillnin një shpatë që ta ndante fëmijën në mes, në mënyrë që secila prej tyre të mbante një pjesë. Nëna e vërtetë me lotët në sy lejoji që fëmijën ta mbante gruaja tjetër, me qëllimin e vetëm që t’i shpëtonte atij jetën. Në këtë mënyrë iu çor maska gruas tjetër dhe nëna e vërtetë arriti që ta mbante përfundimisht fëmijën e saj…”

Ismail Qemali është kritikuar shpesh për aktin e dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Shqipërisë. Një gjest ky i rrallë për udhëheqësit edhe sot, sepse është shumë e vështirë të heqësh dorë nga pushteti. Ndërthurja e egoizmit, megalomanisë dhe tiranisë e bëjnë shpesh këtë të pamundur për natyrën njerëzore. Prandaj dorëheqja e Ismail Qemalit duhet parë jo si dobësi, por si akti më sublim i atdhedashurisë. Ai nuk donte që të përfshihej në atë moment në një luftë pushteti me Esad Toptanin. Pasi kjo luftë e kombinuar me propagandën sllavo-greke, e cila i paraqiste shqiptarët si njerëz me bisht në sytë e opinionit publik evropian, do të ishte vdekjeprurëse për shtetin shqiptarë të porsalindur…

Gjithë liderët e mëdhenj në historinë botërore kanë siguruar arritje të mëdha për vendin e tyre, duke pasur fuqi të mjaftueshme ekonomike e ushtarake, tek e cila mbështeteshin. Ndërsa, Ismail Qemali arriti që të themelonte në Shqipërinë e varfër e të robëruar një shtet, pa pasur as forcën ekonomike as atë ushtarake. Bile i luftuar nga jashtë edhe nga brenda vendit. Por, pikërisht në këto detaje qëndron forca e lidershipit të Ismail Qemal Vlorës.

Në një fjalim të tij të tetorit 1913, Ismail Qemali do të deklaronte para popullit të Vlorës: “Mundet se që atëherë e gjer më sot qeveria nuk i bëri disa gjera që duheshin bërë, apo bëri ligsht disa të tjera; po të jeni të siguruar se punoi ashtu duke mos mundur të sillej ndryshe. Një punë me vleftë të madhe s’mund t’i mohohet qeverisë sonë, të mbajturit lart e flamurit të lirisë. Asht kjo një punë me rëndësi? Po s’ka dyshim! Veç kësaj duhet të vini re përpjekjet që bëri qeveria për të mos lanë të vobektin të vuajë…”

Duket se më këto pak rreshta Ismail Qemali, ka përmbledhur më së miri thelbin e trashëgimisë së qeverisjes së tij të shkurtër. Sepse nuk ka rëndësi se sa zgjat jeta e një njeriu. Rëndësi ka mënyra sesi ai i shpenzon vitet e jetës së tij, qofshin ato pak apo shumë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për udhëheqësinë. Nuk ka rëndësi se sa shumë vite qëndron një lider në pushtet. Më e rëndësishme për lidershipin është trashëgimia ideore e shpirtërore që ai lë pas. Të dish se kur është koha e duhur për të hequr dorë është pjesë vendimtare e udhëheqësisë.

Kryeministri i parë i Shqipërisë Ismail Qemali, kishte kuptuar një nga parimet kryesore të demokracisë: gjëja më e vështirë në sistemin demokratik nuk është të fitosh pushtetin, por të dish se kur duhet ta dorëzosh atë. Në shtator të vitit 1913, mbasi e kishte realizuar vizionin e tij për ta parë Shqipërinë të lirë dhe të mosvarme, Ismail Qemali do t’i deklaronte deputetit britanik Aubrey Herbert-it: “Unë jam një burrë i vjetër. Unë dua vetëm që atdheu i im të eci me këmbët e veta – dhe pastaj do të jap dorëheqjen. Jam i lodhur. Jam shumë i lodhur.” Aubrey Herbert ushqente simpati për Ismail Qemalin. Ai do të shkruante: “Plaku i shkretë mund t’ia ketë hedhur kujtdo dhe kurdo, por ai ka më shumë burrështetësi në një gisht sesa të gjithë të tjerët së bashku.”

Mënyra më e mirë për ta kuptuar një lider është tek fakti se si ai e përdor pushtetin. Pena e Ismail Kadaresë e përshkruan kështu aktin e fundit të Ismail Qemalit: “Themeluesi, jo vetëm i dha lamtumirën gjithë asaj tradite që mund të quhej si tmerri i themeleve, por, si të mos mjaftonte kjo, kishte shkuar më tej. Bashkë me shtetin, e pak kohë pas krijimit të tij, ai kishte themeluar diçka që ndoshta ishte edhe më e vështirë se vetë shteti: dorëheqjen. Ai ishte Dorëheqësi i parë në këtë vend, e ndoshta në krejt gadishullin dramatik.”.

Psikologia Tasha Eurich, në Harvard Business Review, shkruan se: “Kërkimet sugjerojnë se kur ne e shohim vetveten më qartë, ne kemi më tepër vetëbesim dhe kreativitet. Ne marrim vendime më të mira, ndërtojmë marrëdhënie më të forta, dhe komunikojmë më efektivisht. Jemi më pak të prirur që të gënjejmë, mashtrojmë, dhe vjedhim.”

Poeti i shquar vlonjat Fatos Arapi me finesë arrin që depërtojë në thellësinë e shpirtit të plakut fisnik, kur shkruan se: “Sa herë që i afrohem Ismail Qemalit në studimet e mia, ndjej si një dhimbje, si një brengë që e mundon kryetarin e parë të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë së Pavarur.” Poeti me ndjeshmërinë e tij të spikatur e kupton brengën e madhe të Ismail Qemalit, e cila lidhet me pamundësinë për të vijuar punën për realizimin plotësisht të vizionit të tij për bashkimin e përparimin kombëtar.

Ismail Qemali nuk do ta ndalte kurrë luftën për çështjen shqiptare dhe lirinë njerëzore. Motoja e tij ishte, “Mos u dorëzoni kurrë. Kurrë, kurrë, kurrë dhe asnjëherë.” Ai do ta vazhdonte betejën e tij deri ditën e fundit të jetës së tij, duke i përfshirë të gjithë patriotët në sfidën e madhe për ngritjen, bashkimin dhe forcimin e shtetit shqiptar. Në nëntorin e vitit 1917, Ismail Qemali do t’u drejtohej shqiptarëve me këto fjalë: “Nuk do të dyshoj asnjë minutë që të hyj në një luftë të re për të shpëtuar atdhenë tonë të dashur, kur jam i forcuar nga besimi dhe dashuria e bashkatdhetarëve të mij të dashurë dhe nuk dyshonj për fitim të plotë vetëm po të mund t’u gjejnë të gjithë bashkuarë duke lënë mënjanë kundërshtimet dhe grindjet…” Njeriu është mbi të gjitha një qenie shpirtërore. Koha dhe hapësira i bashkojnë shpirtrat njerëzorë, duke mundësuar kështu tejkalimin e sfidave të epokave të ndryshme, të cilat janë vendimtare për fatin e lirisë njerëzore. Providenca është fati. Fati kur i shërben një qëllimi sublim për nga vetë natyra.

Tipari më madhështor i njerëzve të mëdhenj, është aftësia për të lënë mënjanë interesin vetjakë për hir të së mirës publike. Ky ështe një tipar dallues i udhëheqësisë madhështore. Ismail Qemal Vlora është njëkohësisht themeluesi i Shqipërisë moderne dhe themeluesi i institucionit të dorëheqjes në Shqipëri.

Ismail Qemali krijoi diçka që nuk mund të zhbëhej më. Kundërshtarët e tij mund të krijonin çdo gjë tjetër, por kurrsesi të ndërtonin një Shqipëri të re. Shqipëria, krijesa e tij aq e dashur, tashmë qëndronte aty, si dëshmi e pamohueshme e lidershipit të tij virtuoz.

Megjithatë, trashëgimia sublime e Ismail Qemalit, nuk është kuptuar asnjëherë drejtë. Vdekatarët e zakonshëm shpesh harrojnë që pushteti nuk është qëllim në vetvete, por një mjet në shërbim të së mirës publike.

Politikanët tanë harrojnë një nga parimet bazë të udhëheqësisë. Lideri ka mbi vete jo vetëm përgjegjësinë për të ditur se kur është personi i duhur për të udhëhequr, por edhe përgjegjësinë për të ditur se kur nuk është më personi i duhur për të udhëhequr… /Gazeta Panorama

Artikulli paraprakTirana tjetër e Erion Veliajt
Artikulli tjetër“Koalicioni i Demokratëve Euroatlantikë është grupimi ku unë kam gjetur njerëz qëndrestarë e punëtorë të ndershëm”/ Migena Shyti Kapllani: Si vajzë e grua jam përpjekur t’i jap fytyrën që meriton profesionit të mësuesit