Si nisi kurthi ndaj gazetarit të Radiodifuzionit, zbardhen kujtimet, shkrimtari: Intrigat nisën kur filloi të qarkullojë dorëshkrimit i romanit satirik ‘Madam Doktoresha’

Nga Sokrat Shyti 

Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.

Kush është Sokrat Shyti?

I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.

Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!

PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”

Kur e pa gjendjen nga ky këndvështrim, e qortoi ashpër veten dhe nuk ia fali budallallëkun që u tregua i nxituar, i telefonoi kryeprokurorit të rrethit për të mësuar përmbajtjen e bisedës mes prokuror Bardhit e ish-gazetarit të Radiodifuzionit, pa e menduar dhe stisur deri në fund planin e veprimit, të bindej për suksesin. Sepse në fakt kjo telefonatë tërthorazi e dëmtoi: përmes veprimit të nxituar ai zbuloi para kryeprokurorit të rrethit synimin hakmarrës, kur duhet të bënte të kundërtën, ta mbante sa më të fshehtë në trurin e tij, që të mos shkrepin shkëndija dyshimi në kokën e askujt.

Kryeprokurorin e nervozoi më shumë se çdo gjë tjetër, shpërfillja e kryetarit të pushtetit, ligësia e tij për ta poshtëruar nëpërmjet ndërprerjes së sinjalit, duke përplasur dorezën e telefonit. Kjo sjellje mendjemadhe prej harbuti, ia përdrodhi tejzat nervore, sepse iu duk sikur i kish thënë drejt për drejtë: “Ore koqe kandari! Mua do më hedhësh hi syve ti?! Akoma nuk e kuptove që ta dhashë përgjigjen, përmes veprimit tim: trak ta mbylla telefonin, dhe të thash në heshtje: Tani që kalova lumin, ta dhjeva kali”?!

Më tepër kryeprokurorit i vinte inat që s’po gjente dot një sajesë a sebep, t’ia vinte kufirin tek thana lalës kapadai, të cilin s’e honepste dot, kur e shihte të kapardisej si maçoku në thekër, thuajse ky çliroi Myzeqenë! Sa herë i rastiste të kundronte këtë pamje të shpifur, e mbarsur me mburrje të turpshme, i vinin zorrët tek fyti, pasi asgjëkund nuk përmendej për trimëri, e shumta mund të ketë shkrepur dy pushkë më tepër nga partizani më i fundit i batalionit!…

Meqë nuk gjeti një kleçke si t’ia nxirrte inatin e poshtërimit, iu zotua vetes, se do ta ruante vëth në vesh shpërfilljen mendjemadhe, i sigurt se do vijë rasti i përshtatshëm, që lala t’i nënshtrohet e lëpihet, kur të dalin në shesh të palarat e ryshfeteve të majme, që ia çojnë sejmenët në shtëpi. Për të mos u dëshpëruar nga mos gjetja e mënyrës të marrjes hak, filloi të mendonte të kundërtën, se në të vërtet gjatë bashkëbisedimit telefonik pati dhe ky vete çaste kënaqësie e krenarie me qëndrimin dredharak ndaj kryetarit të pushtetit, në asnjë sekondë nuk shprehu pendesë servilizmi. Përkundrazi, ndjehej krenar që përdori më shumë zgjuarsi të hollë e finesë kodoshi dredhinë, dhe nuk e shiti vartësin.

Edhe më pas, sa herë e shkonte ndërmend dhe e rishqyrtonte bisedën telefonike me lalën hijerëndë mendjemadh, nga këndvështrime të tjerë, prapë dilte vetë i fituar. Prandaj i dukej jo normale e reale, ti zmadhonte përmasat e shpërfilljes. Së pari, biseda me kryetarin u zhvillua në linjë sekrete, askush nuk e ka dëgjuar fare, ç’i kanë thënë njeri tjetrit. (Sigurisht do pështjellohej me një siklet torturues e do vritej tmerrësisht në sedër, në qoftë se shpërfillja e kryetarit të pushtetit ndaj tij, do shpalosej në mjedis publik, apo në një konferencë. Pasi në këto raste të pa sigurta, përmasat e fyerjes dhe nervozizmit fryhen e shumëfishohen, si ujërat e lumenjve gjatë rrebesheve, dhe rritet ndjeshëm temperatura e sedrës për të vënë në vend me çdo kusht, dinjitetin e nëpërkëmbur.

Sa herë ndodhin fërkime, kërleshje e mospërputhje mendimi e qëndrimi mes dy titullarëve të rëndësishëm, në pjatat e peshores vihen vlerat e ndërsjella të secilit, për të analizuar pasojat, që shkaktohen nga prishja e ekuilibrit. Para së gjithash, kryeprokurori donte të saktësonte interesat e tij, sidomos në ç’pikë i leverdis ta ketë mirë me kryetarin e pushtetit. (Me këtë kishte parasysh leverdinë ekonomike dhe demografike, ku grupohen shpërngulja e farefisit të tij nga fshatrat e thellë malore në qytet: pasaportizimi dhe sistemimi në punë shtetërore).

Për sa i përket anës vetjake profesionale, forcimit apo dobësimit i pozitave në detyrën e ngarkuar si kryeprokuror i rrethit, ndikimin e kryetarit të pushtetit e shumëzonte me zero pa pikë ngurrimi, e quante pothuaj të papërfillshëm për faktin se sipas të dhënave të sigurta, ky s’kishte njohje të afërt apo miqësi me Kryeprokurorin e Republikës, e as me ndonjë anëtar të Byrosë Politike, të cilët me ndërhyrjen e të plotfuqishmit, përdorin shpesh hakmarrje të përbindshme, kur dikush nuk përmbush synimet dhe porositë e tyre).

Ndërkaq edhe prokuror Bardhi, me karakter e natyrë të kundërt me atë të shefit të tij, vriste mendjen të gjente cili spiun i brendshëm kish njoftuar kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, për ardhjen në zyrën e tij të ish-gazetarit të Radiodifuzionit, dhe po kaq e rëndësishme, pse interesohet kaq shumë kryetari i pushtetit për këtë takim. Sepse vetë fakti që ky i telefonoi kryeprokurorit për të marrë të dhëna rreth takimit, nuk tregonte thjeshtë kureshtje. Pandehma të çonte drejt sajesës të një kurthi te ngritur enkas, për të penguar e frenuar gjatë dy viteve, përmbushjen e planeve të sekretarit të parë.

Me ndërhyrjen cinike kënaqej dhe ligësia e tij ndaj ish- gazetarit, duke patur parasysh punën sfilitëse në bujqësi, plus ndëshkimet e tmerrshme kur s’plotësohet norma ditore. Ndjeu keqardhje që s’më ndihmonte dot të dilja nga ky qerthull i mundimshëm, kur juridikisht kishte një mbështetje të fortë kundërshtie, se ngritja ushtar e një te internuari përbën veprim të kundërligjshme.

Duke e parë gjendjen nga ky këndvështrim, u bë kureshtar të dinte çfarë i ka thënë shefi i tij kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, për bisedën e zhvilluar, pa praninë e një të treti dhe pa mbajtur proces-verbal. Por më shumë i bëri përshtypje që kryeprokurori lozi rolin e të paditurit, nuk e thirri në zyrën e tij ta pyeste, pse u tor muhabeti mes tij dhe ish gazetarit kaq i gjatë!

Në vend të interesimit për këtë çështje, Kryeprokurori trupmadh, me kokë të shogët e vështrim krenar, hapi derën dhe i tha se ndjen nevojën të pijë një kafe në klubin më të afërt, i vetmi ilaç që ia kthjellon mendjen pas leximit të dosjeve voluminoze, prandaj nëse dëshiron, mund t’i bëjë shoqëri.

Prokuror Bardhi ngriti vështrimin mbi portretin e shefit, për të nuhatur për ç’qëllim erdhi, dhe ashtu siç qe ulur, ia kundërshtoi ftesën, duke i thënë se tani gjendej në pikën më kulmore të dosjes, nuk mund të shkëputej në këtë çast, sepse i ndërpritej rrjedha e arsyetimit.

Kryeprokurori mbylli derën dhe u largua duke fërshëllyer, i kënaqur që vartësi s’e shoqëroi, pasi në të vërtete bezdisej kur pinte kafen me të, për shkak të karaktereve krejt të kundërt: prokuror Bardhi e niste dhe e mbaronte bisedën me ligjet, ndërsa shefit qejfli i pëlqenin më shume muhabetet me femrat kuçka, që futin në gracka burra me “koqe dashi e demi”.

Por pavarësisht anës formale të ftesës, prokuror Bardhi e nuhati ku rrihte qëllimi i shefit: ta njoftonte tërthorazi se ishte në dijeni të plotë, çfarë ka llafosur me ish-gazetarin e internuar, edhe pse nuk ndodhej aty i pranishëm. Këtë e shprehu qartësisht nëpërmjet vështrimit tinëzar e djallëzor, ku dukshëm gëlonin ligësia dhe krenaria mburracak, mjetet e tij të përhershme që i përdorte vazhdimisht, për të krijuar trysninë e tmerrit gjatë seancave gjyqësore, pasi pa to ndjehej i zhvlerësuar, nuk i jepte vetes pamjen e prokurorit hijerënde, i kundërt me portretin disi të habitur e të hutuar të vartësit “zemërbutë”, i cili në asnjë rast s’e ngrinte zërin dhe nuk nxehej, madje as kur të pandehurit dredhonin në rrëfimin e tyre!

Pikërisht kur prokuror Bardhi u bë gati të niste leximin e dosjes voluminoze aty ku e ndërpreu, (për sabotimin në dy kantiere ndërtimi, ku fajësoheshin si të pandehur një inxhinier e disa teknike dashakeqës, drejtues dhe zbatues të projektit, të cilët kishin përdorur për shtyllat mbajtëse, shufra hekuri me trashësi jo të përshtatshme), e ngacmoi prapë mendimi pse kryeprokurori nuk u tregua kureshtar, dhe nuk e thirri në zyrën e tij për t’i tërhequr vërejtje, që ndenji kaq gjatë me ish-gazetarin e internuar, harxhoi gjithë atë kohë për llafollogji boshe, kur ngarkesa e punës s’e linte të mbushej me frymë!

(Si komunist me parime ideale, këtij nuk mund t’i shkonte mëndja tek e fshehta misterioze, që gjendej gjithnjë e pranishme diku në mjedisin e kthinës së tij, për ta përgjuar tinëzisht me aparatura të sofistikuara, e vendosur në një qoshe të padukshme, me urdhër të drejtuesit të organit të akuzës!).

Megjithatë, nëpërmjet nuhatjes profesionale, arrinte të kuptonte që në institucionin e tyre ndërthuren sajesa të çuditshme, nën yshtjen e urdhëresave telefonike e gojore nga lart, ndaj faktikisht këtij deri tani, nuk i kishin besuar asnjëherë shqyrtimin apo analizën e një dosje me çështje të karakterit fund e krye politik, (por kryesisht i jepnin ato të sabotimit ekonomik, apo veprime ordinere: vjedhje, rrahje, sharje, prishje të qetësisë publike, “fyerje” të zyrtarëve të mesëm nga disa çapaçule).

Duke krahasuar ndërhyrjen e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, për të thirrur ushtar ish-gazetarin e internuar, me pretekstin e kalimit te moshës limit, (me sajesat e tmerrshme që kurdiseshin kundër disa intelektualëve të padëshiruar), i dukej veprim me peshë të lehtë dhe fare i thjeshte, kur urdhrat e fshehtë të bëjnë gjëmën, të zhdukin pa nam e nishan nga faqja e dheut, të damkosin si armik i popullit, e të tretin si kripa në ujë.

Ndërsa në dukuritë natyrore, pas ngricave të acartë, shfaqet moti me diell, në jetën njerëzore ndodh e kundërta: pas kthesës së mbarë befasuese, kurdisen prapaskena të mbrapshta me gracka të fshehta. “Por mund të ndodhte shumë më keq se kaq”, – mërmëriti prokuror Bardhi: – “Mund të nxitnin dy dëshmitarë të rremë, të cilët i kemi me bollëk, për ta futur ish-gazetarin e internuar në labirintet e kodit penal, të nenit të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, që të heq lirinë për dhjetë vjet, dhe familjen e tij e rikthejnë përsëri në kasollen e lopës!

Nuk e përdorën këtë kurth vetëm nga frika e zbulimit, pasi duke patur mbrojtjen e drejtpërdrejtë të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, askujt nuk ia mban ta sulmojë as hapur e as tërthorazi ish-gazetarin, për faktin se gjatë këtyre viteve, ka ndenjur krejtësisht i vetmuar, nuk ka hyrë në asnjë klub apo mjedis publik…! Megjithatë, kjo s’do të thotë se kanë hequr dorë nga mendimi i lig, për t’i përgatitur grackën e kurthit.

Pikërisht në ushtri, paraqiten terreni dhe kushtet e përshtatshme të kurdisen kësi marifetesh ngaqë në kolektiv ushtarak, ka përbërje heterogjene, veçanërisht në repartet e punës gjenden me shumicë shpifarak të gatshëm të përrallisin çdolloj proçke, për të fituar një liri-dalje, ndërkaq prokurorët ushtarakë udhëhiqen më lehtë e më shpejtë se ne civilët, nga bindje të verbra ndaj eprorëve. Prandaj mundësitë e arrestimit, janë veprime fare të thjeshta për t’u kryer.

Parë nga ky këndvështrim, ka mundësi që synimi kryesor i thirrjes ushtar, t’i shërbejë këtij qëllimi, ndoshta shihet si marrëveshje e fshehtë mes kryetarit të pushtetit dhe një funksionari në Tiranë, po i njëjti person që ka ndikuar për syrgjynosjen e familjes në kasollen e lopës, nën yshtjen e ligësisë të krijojë përshtypjen në masën fshatare e qytetare, si dhe tek nëpunësit, se kemi të bëjmë me një person shumë të rrezikshëm, ndaj trajtohet kaq egërsisht!

Mendoj nuk jam i gabuar të hamendësoj se ngritja e kurthit kundër tij, ka nisur prej çastit kur në Lidhjen e Shkrimtarëve filloi të qarkullojë dorëshkrimi i romanit satirik ‘Madam Doktoresha’. Unë nuk di ndonjë rast tjetër që në letërsinë tonë, një shkrimtar ka shkruar roman në moshën njëzet e një vjeç. Pikërisht ky fakt nuk e përjashton mundësinë që zanafilla e dashakeqësisë, ta ketë burimin në Lidhjen e Shkrimtarëve, nga ambiciozët me shpirtligësi të skëterrshme, të cilët kurrsesi nuk lejojnë të zbehet sadopak shkëlqimi i famës së tyre, dhe prandaj janë të gatshëm të përdorin ndikimin e famës tek funksionarët e fuqishëm për ta gremisur rivalin në humnerën e harresës, siç dhe ndodhi realisht.

Pikërisht këta i ka goditur si gur rrufeje, lajmi tronditës i rikthimit nga jeta e skëterrshme në kasollen e lopës, në një rrjedhe normale, i shkrimtarit të persekutuar, dhe me shpejtësi kanë nxituar të kurdisin mekanizmin frenues, të mos ardhjes në Tiranë. Por tashmë ndryshon taktika hakmarrëse: tërë synimi i tyre fokusohet tek rrjedha e kohës së lirë, e vetmja mënyrë që këtij t’i hiqet krejtësisht mundësia të shkruajë, krahas përpjekjeve satanike për t’ia vështirësuar jetën…”!

Pas këtij meditimi të gjatë, e ndjeu veten të lodhur dhe iu largua dëshira për të lexuar. Donte të pinte një kafe shqeto, që t’i ftillohen mendimet, e pastaj t’i shtrohet punës. Por nuk do shkonte në lokalin më të afërt, pasi aty mund të takonte kryeprokurorin, i cili kur ta shihte të vetmuar, do xhindosej nga fyerja dhe poshtërimi, që nuk ia pranoi ftesën. Prandaj për të mos dalë në qendër të qytetit, ku reshperojnë shumë kalimtarë, mori rrugën e Degës së Brendshme. Dhe kur mbërriti në kryqëzim me xhadenë kryesore, befas ndërroi mendim, i lindi dëshira të bëj shëtitje deri tek varrezat e reja të dëshmorëve, ku ka më pak kalimtare, dhe të mbushen mushkëritë me ajër të pastër.

Në përgjithësi kjo pjesë e rrugës, nga ura e përroit deri tek varrezat e reja të dëshmorëve, me plantacionin e agrumeve në krahun e djathtë, shërbente si shëtitore e vetme për çiftet e rinj dhe disa të vetmuar, të cilët i largohen zhurmës për të kthjelluar mendimet. Por krejt ndryshe nga ecja e ngadaltë, që kërkon shëtitja, prokuror Bardhi nuk e uli fare ritmin e nxituar, duke i krijuar përshtypjen çdo kalimtari, se ky vetëm kështu di t’i hedh hapat. Prandaj sa herë i rastis të marrë pjesë në një kortezh të përmortshëm, ndjen bezdisjen më të sikletshme nga sforcimi për të ndjekur ritualin e detyruar të ecjes së zvargur.

Ata që nuk e njohin, kur e shohin duke ecur me ritmin e nxituar, pandehin se i ka ndodhur një ngjarje e pakëndshme, ndaj për të mbërritur sa më shpejt në vendin e caktuar, u jep këmbëve energji të dyfishtë, gjë që e çorodit e ia mpin vëmendjen, aq sa nuk i vë re kalimtarë që i shkojnë pranë dhe e përshëndetin. Çdokush që e sheh me duar të futura në xhepat e pardesysë dhe kurriz të epuar përpara, krijon përshtypjen sikur këtë njeri e vë në lëvizje një forcë shtytëse krejt e veçantë, ndryshe nga ajo që ndodh me të tjerët. E kundërta ndodh kur takon dikë, me të cilin ia ka ënda të shkëmbejë mendime: në çast pajiset me një dëshirë të pashtershme, për të derdhur vrullshëm vargëzime arsyetimesh, pa i lënë kohë tjetrit të kthejë përgjigje!

Ndoshta kjo nuk ka qenë mënyra natyrale e të folurit, por iu shfaq kur nisi ushtrimin e profesionit të prokurorit, dhe ditë pas dite ky zakon u trash, mori përmasat e vesit, duke e zhvendosur përfundimisht natyrën e tij vetjake. Aty ku fillon hapësira e lulishtes para ngrehinave shtetërore një kat, dhe në krahun e djathtë degëzon rruga e shtruar me çakëll, për të shkuar tek furrat e bukës, për pak sa nuk u përplasa me prokuror Bardhin, sepse atë çast po shikoja poshtë, e kisha ngërthyer vëmendjen mbi “urën” e vogël lidhëse, mes bordurës së lulishtes dhe xhadesë, që ndahej me një kanal të ngushtë, dhe nuk vura re.

– “Për ku kështu me kaq nxitim”? – e pyeta unë, duke harruar që kjo ishte e ecura e tij.

– “Sa mirë që të takova!…- tha ai. – Ke kohë të lire dhe dëshirë të bëjmë bashkë një shëtitje? Apo vjehrra të ka ngarkuar me detyrë të caktuar”?… – shtoi me buzëqeshje.

– “Me gjithë qejf! Por me një kusht: ta zvogëlosh tre herë ritmin e të ecurit”, – ja ktheva unë.

– “Edhe pse kusht i rëndë për mua, zotohem ta përmbush”, – tha ai duke më futur krahun.

– “Drejt nga puna po vjen? Me siguri mbingarkesa të ka detyruar të shkëputesh nga dosjet…”?!

– “Kemi punë mjaft të lodhshme dhe stresuese! – tha prokuror Bardhi. – Natyra e kësaj pune, na privon nga shumë të drejta. Para së gjithash, detyra e akuzës na kufizon shoqërinë: nuk bisedoj dot në një mjedis publik, dhe nuk mund të pi kafe me atë, që mua më pëlqen. Sepse gjithnjë futet si pykë në mes, hija e ashpër e detyrës. Ja ku e kemi shembullin konkret: kush na shikon ne të dy duke shëtitur, të kapur për krahu, i duket sikur unë po bëj mëkatin më të madh, ngaqë ciniket e shohin luftën klasore të Diktaturës së Proletariatit, vetëm me lente të errëta.

Sipas tyre, ne të dy i përkasim dy kampeve kundërshtare, duhet të vendosemi në llogore të ndryshme, ndaj lidhjet shoqërore e miqësore mes nesh, s’mund të ekzistojnë! Edhe pse këto mendësi e marrëdhënie kaq të mbrapshta, nuk mund t’i quash ndryshe, veçse paradokse të tmerrshme, realisht ndodhin shpesh në jetën tonë të përditshme! Këto dukuri brejtëse, e pengojnë ecjen përpara të shoqërisë. Por më shumë se të gjithë, pasojat e ndarjeve klasore, i përjetojnë fajtoret pa faj!

Shkrimtarët, si pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, gjenden përpara dyzimit të realitetit me metodën e të shkruarit, i cili u shkakton çoroditje me mospërputhjen, dhe pikërisht këtu nis lufta e ashpër klasore e realizmit socialist, bëhet ndarja e dy grupimeve, vihen në shënjestër të talentuarit nga elita, përcaktohen kushtet cilët do mbahen ne Lidhjen e Shkrimtareve, cilët do flaken, e cilët do syrgjynosen e burgosen! Sigurisht këto mendime ia them vetes time, askujt tjetri. Ti je i pari që i dëgjon nga goja ime. Si dashamirës i letërsisë, kohën e lirë ia përkushtoj leximit artistik, dhe tani ndjej kënaqësi që bisedoj e shkëmbej mendime me një shkrimtar.

Ndërkaq, pikërisht pasojë e këtij paradoksi, shumica e shoqërisë të sheh me prizmin klasor, u del para syve nofka e shpifur, ‘i deklasuar’, në vend që të nderojnë talentin! Ka një koncept të gabuar e të shtrembëruar për intelektualin. Përdoret aq shpesh nëpër fjalime, termi intelektual, sa krijohet përshtypja se me kalimin e viteve, pothuaj gjysma e popullsisë tonë janë intelektualë, vetëm pse kanë mbaruar studimet e larta në institute dy e, tre vjeçar, apo në universitet! Kur në të vërtetë, që të jesh intelektual, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duhet të kesh krahas talentit e kulturës, edhe vullnet e aftësi t’i pasqyrosh dukuritë e jetës në krijimtarinë vetjake.

Sipas meje, intelektualët ndahen në dy kategori: krijuesit e studiuesit. Dhe mes tyre ndodhen interpretuesit. Ne të tjerët, që kemi mbaruar studimet e larta dhe punojmë në fusha të ndryshme, jemi thjeshtë profesionistë, jo intelektualë. Por me kalimin e kohës, disa nga ne, ata që kanë vullnet këmbëngulës dhe synime për të thelluar njohuritë në drejtime të reja, i vihen punës kërkimore studimore.

Kjo duhet përgëzuar. Por jo të shndërrohet në mani të sëmurë, dëshira për t’u bërë domosdoshmërisht i njohur. Këtë mani më të theksuar, e kanë historianët, të cilët vihen në garë, për të fituar ‘Doktoraturën’ dhe titullin ‘Profesor’”! Memorie.al

Exit mobile version