Si pastrohen paratë e drogës?!

Nga Mark Berry & R.V.Gundur

Trafiku global i drogës, vlerësohet se gjeneron çdo vit të paktën 500 miliarda dollarë fitime. Droga të tilla si kokaina, metamfetamina dhe heroina, sigurojnë të ardhura të mëdha përgjatë zinxhirëve të tyre të furnizimit, nga ku rriten ose prodhohen produktet (dhe lënda e parë) – kryesisht Kolumbia dhe Bolivia, Kina, Afganistani dhe “trekëndëshi i artë” midis Mianmarit, Laosit dhe Tajlandës, dhe deri kudo ku konsumohet droga.

Fitimet në tregtinë e paligjshme të drogës janë të ndryshueshme. Pak njerëz do të fitojnë shumat që arkëtonte dikur ish-bosi i kartelit meksikan, Joaquín “El Chapo” Guzmán, i vendosur në listën e miliarderëve globalë në revistën “Forbes”. Por, ndërsa “mbretërit” e drogës janë fituesit më të mëdhenj të kësaj industrie, ata nuk zotërojnë shumicën e parave të drogës që gjenerohen në të gjithë zinxhirin global të furnizimit.

Pavarësisht magjepsjes së shpeshtë ndaj tyre, frymëzuar nga filmat, kartelet e drogës janë në thelb kompani logjistike ndërkombëtare. Ato bashkëpunojnë me shpërndarës në vende të ndryshme, të cilët ua dorëzojnë drogën shitësve rajonalë me shumicë. Këta të fundit furnizojnë shitësit me pakicë, pra tregtarët vendas që ua shesin drogë përdoruesve individualë.

Që të gjithë përgjatë zinxhirit të furnizimit marrin presën e tyre. Por shumica e njerëzve kanë të ardhura shumë më modeste se sa trafikantët milionerë. Në intervistat tona me trafikantë të drogave të paligjshme në SHBA dhe Britani, biseduam mbi punën e tyre të përditshme të trafikantëve, të ardhurat e të cilëve varionin nga paratë e xhepit, deri tek sigurimi i një jete mesatarisht të rehatshme.

Rreth 70-80 për qind e të ardhurave të përgjithshme të gjeneruara nga drogat e paligjshme ndahen mes shumë tregtarëve me shumicë dhe të tjerëve në vendet e destinacionit si Britania dhe SHBA, ku çmimi për një gram është në nivelin më të lartë.

Mënyra se si lëvizin dhe përdoren këto para për të mbështetur tregtinë e paligjshme të drogës, duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e çdo strategjie të vlefshme kundër narkotikëve. Por rrallë ndodh kështu. Njerëzit dhe organizatat përgjegjëse për pastrimin e të ardhurave nga droga, pra shndërrimin e tyre në para të pagjurmueshme që mund të shpenzohen lehtësisht, veprojnë shpesh larg vëmendjes së autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe medias.

E megjithatë, mënyrat se si pastrohen paratë e drogave të paligjshme nuk janë ndonjë mister. Teknikat përfshijnë transfertat bankare në llogaritë e shumta në parajsat fiskale, investimet në kompanitë guaskë ose depozitat në bizneset me para në dorë, dhe blerjen e monedhave të huaja ose (në një masë të vogël) të kriptomonedhave.

Përveç kësaj, përdoret shpesh transporti i drejtpërdrejtë fizik i parave të gatshme përtej kufijve kombëtarë. Metodat njihet si “transferim i parave me shumicë”. Lojtarët më të mëdhenj në industrinë e drogave të paligjshme, si kartelet ndërkombëtare, shpërndarësit kombëtarë dhe shitësit me shumicë në shkallë të gjerë, përdorin shpesh pastruesit profesionistë të parave.

Disa prej këtyre të fundit, kanë zyrtarisht punë me reputacion në sektorin financiar. Në një nga rastet e fundit, rregullatorët financiarë amerikanë gjobitën TD Bank me 3 miliardë dollarë – një dënim rekord për një bankë – për lejimin e pastrimit të miliona dollarëve të karteleve të drogës.

Gjatë 6 viteve të fundit, më shumë se 90 për qind e transaksioneve të bankës, kaluan të pa monitoruara, duke i dhënë mundësi “3 rrjeteve të pastrimit të parave, të transferonin kolektivisht më shumë se 670 milionë dollarë amerikanë përmes llogarive të TD Bank”.

Disa rrjete të pastrimit të parave, janë po aq globale sa edhe zinxhirët e furnizimit me drogë që u shërbejnë. Në qershor 2024, një hetim shumëvjeçar i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, zbuloi bashkëpunëtorë me banim në Los Anxhelos të kartelit meksikan të drogës Sinaloa.

Ata akuzohen për pastrim të parave përmes një rrjeti bankar kinez. Sipas kreut të hetimit penal të IRS, Guy Ficco: “Trafikantët e drogës, gjenerojnë shuma të mëdha parash përmes operacioneve të tyre të paligjshme. Ky rast, është një shembull kryesor i pastruesve kinezë të parave që punojnë me trafikantët e drogës për të legjitimuar fitimet e krijuara nga aktiviteti i tyre”.

Sipas Departamentit të Drejtësisë “shumë shtetas të pasur kinezë” që u është ndaluar transferimi i shumave të mëdha në SHBA nga kufizimet e qeverisë kineze për largimin e kapitalit, kërkojnë alternativa joformale ndaj sistemit bankar të zakonshëm. Dhe këtu përfshihen edhe skemave për pastrimin e parave të paligjshme të drogës.

Kjo funksionon pak a shumë kështu: Investitori me bazë në Kinë, kontakton një individ që ka dollarë amerikanë në dispozicion për të shitur në Shtetet e Bashkuara. Ky shitës ofron informacion për një llogari bankare në Kinë, me udhëzimet që investitori të depozitojë monedhën kineze (renminbi) në atë llogari. Pasi pronari i llogarisë sheh depozitën, një shumë ekuivalente e dollarëve amerikanë i lëshohet blerësit në Shtetet e Bashkuara.

Këto marrëveshje nuk janë unike për kinezët. Marrëveshje të ngjashme, ndodhin në të gjithë botën, përfshirë skemat për të shfrytëzuar shkëmbimin e pezos në tregun e zi dhe sistemin ndërkombëtar të transferimit të parave Hawala.

Pastruesit profesionistë të parave, janë duke krijuar dhe shfrytëzuar dobësitë në sistemin financiar global. Një korrupsion i tillë, lejon që transaksionet e dyshimta të ndodhin pa kontrollet apo mbikëqyrjen e duhur. Kjo redukton jo vetëm transparencën në sistemin financiar, por e dobëson besimin e publikut tek ai.

Midis viteve 1998-2009, shpërndarësit më të famshëm të drogës në historinë e SHBA-së, Margarito Flores Jr dhe vëllai i tij binjak Pedro, shpërndanë kokainë, heroinë dhe metamfetamina me vlerë miliarda dollarë për klientët e tyre në SHBA dhe Kanada.

Ata punuan për Guzmán dhe Ismeal Zambadaalo, si dhe vëllezërit meksikanë Beltrán Leyva, karteli i të cilëve mbante mbiemrin e tyre. Sot, Margarito Flores Jr është një i penduar, dhe trajnon agjentët e anti-drogës në mbarë SHBA-në. Në një intervistë për ne, ai tha: ”Nëse do të mblidhnim të gjitha paratë që dërguam në Meksikë gjatë dekadës që shitëm drogë, ndoshta do të ishin më shumë se 3.5 miliardë dollarë”.

Miliardat që dërguan në Meksikë u përdorën nga Guzmán, Zambada dhe vëllezërit Beltrán Levya jo vetëm për të zgjeruar bizneset e tyre të drogës, por për të korruptuar figura të fuqishme si ish-Ministri i Brendshëm i Meksikës, Genaro García Luna. Ai u dënua me gati 40 vjet burg në tetor 2024, pasi u shpall fajtor për marrjen e miliona dollarëve ryshfet nga karteli Sinaloa, si dhe mundësimin e trafikimit të mbi 1 milion kg kokainë në SHBA.

Flores thotë: “Është e rëndësishme të kuptohet se korrupsioni ndikon tek njerëzit në të gjitha nivelet e qeverisjes. Shpërblimet tona përfshinin policinë lokale dhe njerëz të tjerë në komunitet, deri tek njerëzit me pozicione më të larta në qeveri. Shumë nga ato para, financuan më pas konfliktet e dhunshme midis karteleve”.

Edhe pse ka pasur një vëmendje më të madhe ndaj parave të karteleve që pastrohen përmes bizneseve dhe bankave të profilit të lartë, si Wachovia dhe HSBC, Flores thekson se “paratë e përfshira në trafikun e drogës, janë shumë më tepër nga sa mund ta perceptojnë njerëzit”.

Arsyeja kryesore, është vështirësia e madhe për të gjurmuar rrjedhën e parave përmes kamionëve, varkave, avionëve dhe madje edhe dronëve. “Është një ide e gabuar se të gjithë ata që fitojnë shumë para me drogë ose biznese të tjera të paligjshme, bëjnë përpjekje për të pastruar paratë e tyre. Unë dhe im vëlla, mbajtëm shumë nga paratë që fituam. Ne e dinim se qeveria në fund mund të na zbulonte”, shton Flores.

Në studimin tonë mbi strategjitë e pastrimit të parave të përdorura nga njerëz të përfshirë në trafikun e drogës në Britani dhe SHBA, zbuluam se trafikantët e rrugës nuk përdorin zakonisht skema të sofistikuara të pastrimit të parave. Përkundrazi, ata i shpenzojnë paratë e tyre për ushqim dhe shpenzime të tjera të jetesës së përditshme.

Shpenzimi i parave në shuma të vogla, të fituara përmes aktiviteteve të paligjshme, mbetet një vepër penale, edhe pse rrallë ndiqet penalisht. Ndaj këto aktivitete të përditshme, që futin paratë e drogave të paligjshme në ekonominë e ligjshme nuk llogariten siç duhet.

Bizneset e ligjshme janë një mjet i zakonshëm – dhe shpesh i vështirë për t’u zbuluar – për të pastruar paratë e drogës. Baret, klubet, palestrat dhe sallonet e flokëve, thonjve dhe solarit mund të krijohen lehtësisht me paratë e drogës. Këtyre u shtohen kompanitë e ndërtimit dhe restorantet.

Disa trafikantë, përdorin praktika pastrimi brenda punëve të tyre të ligjshme. Për shembull elektricistët ose hidraulikët, mund të pastrojnë para duke gjeneruar fatura për punë të rreme, dhe më pas duke i raportuar të ardhurat në deklaratat e tyre tatimore. Nga ana tjetër, shumë trafikantë nisin të hapin biznese të ligjshme për të dalë nga tregtia e paligjshme e drogës.

Për sa kohë ekziston kërkesa për droga të paligjshme, industria do të vazhdojë, dhe të ardhurat që ajo gjeneron do të pastrohen. Ne besojmë se për të frenuar trafikun e drogës, strategjitë e qeverive duhet të shkojnë përtej kapjes të drogës dhe të fokusohen shumë më tepër në kapjen e parave.

Shënim: Mark Berry, lektor i kriminologjisë në Universitetin Burnmauth, Angli. R.V.Gundur, lektor në Universitetin e Skocisë Perëndimore./ Përshtatur nga “The Conversation”

Exit mobile version