Si përfundoi Italia nga kumbarët e plehrave

L’Espresso

Kur lindi Francesco dukej se gjithçka shkonte mirë, por nga duart e mamisë dërgohet menjëherë në inkubator. Nëna as nuk e ka parë. Fëmijës i mungon një veshkë, zemra është tepër e dëmtuar. Por nëse e shikon, i vogli duket shumë mirë dhe i lumtur. Drejtori i spitalit takon babain e fëmijës dhe i thotë: “Këtë javë ky është fëmija i tretë që lind me çrregullime të shumëfishta” dhe duket i shqetësuar nga fakti që rritja e numrit të këtyre lindjeve me probleme po kthehej në diçka normale.
Kur dëgjon këto fjalë duhet të të ngjethet mishi. Kjo “diçka normale” është kthyer vërtet një normalitet për këtë zonë, shifrat e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në lidhje me Campanian janë të pabesueshme dhe flasin me rritje të jashtëzakonshme të patologjive të kancerit. Stomaku, mushkëritë, zemra, sëmundje 12 për qind më të shpeshta se mesatarja kombëtare. Më të prekurat janë femrat.
Jepet edhe një tjetër e dhënë që tmerron. 80 për qind më shumë çrregullimeve embrionale krahasuar me mesataren kombëtare. Nënat mallkojnë veten që e kanë ngjizur fëmijën e tyre në këtë tokë, do të donim mos ta kishim bërë kurrë. Historia e plehrave mund të kryhet përmes biografive të panumërta të kancerit, përmes terrorit të bujqërve që aty ku mbjellin farën, vjelin vetëm mbeturia. Napoli dhe Campania mbushen në mënyrë ciklike me plehra. Megjithatë, askush nuk e kupton se çfarë fshihet pas, përveç paaftësisë kronike politike për të trajtuar problemin.
Nuk ka pasur asnjë moment në të cilin plehrat të jenë zhdukur dhe siç është dëgjuar në një përgjim telefonik sipërmarrësi i plehrave të klanit Fabbrocino: “Biznes, biznes, biznes!”. Kjo është e vetmja e vërtetë për të dhe për këdo tjetër që është përlyer me këtë çështje gjatë 20 viteve të fundit. Gjatë viteve 1990, Nunzio Perrella ish-pjesëtar i klanit Puccinelli, një bandë e njohur për trafikun e kokainës, qe i pari që i bëri bisht hetimeve dhe kur vendosi të pendohej, gjëja e parë që i tha Prokurorisë ishte: “Zotërinj, plehrat janë flori!”.
Kështu nisi të flasë për një biznes aq fitimprurës sa mund të linte në hije edhe kokainën. Gjykatësit nuk i besuan, menduan se donte vetëm të fshihte narkotrafikun, por Perrella filloi të fliste për “princat” e vërtetë të plehrave, Casalesët. Francesco ‘Sandokan’ Schiavone, Francesco Bidognetti “Bullafiqi i Mesnatës”, të cilët së bashku me Torre di Mondragone dhe Mallardo di Giugliano përfaqësonin boshtin sipërmarrës më të pushtetshëm të Italisë për mbledhjen dhe depozitimin e plehrave të zakonshme dhe ato speciale.
Një rrjet i vërtetë landfillesh, progash nëntokësore, kamionësh, financimesh publike dhe marrëdhëniesh ndërmjet firmave private që drejtohet nga një borgjezi sipërmarrësish të aftë për të kushtëzuar shëndetin dhe jetën e miliona njerëzve dhe për të faturuar kapitale jashtëzakonisht të lartë, duke influencuar administratën politike dhe financimet publike.
Ministri i vërtetë i plehrave të gamorrës është Antonio Iovine, i ashtuquajtur “O’Ninno”, ose ndryshe “çunaku”. Kjo nofkë i është vënë për shkak të pamjes së tij fëminore që kishte kur u bë pjesë dhe shumë shpejt drejtues i grupit kriminal. Antonio Iovine kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të manovruar në Romë, por edhe jashtë Italisë. Çdo vendim në lidhje me plehrat kalonte nga ai. I vetmi i gjithëpushtetshëm ishte ai.
Vendimi për të trafikuar plehra ofronte rreziqet më të vogla të mundshme të natyrës penale, sepse krimet që lidhen me mbledhjen, transportin dhe depozitimin e jashtëligjshëm të plehrave shpeshherë parashkruhen. Plehrat janë malli. Malli i ngordhur vlen më shumë se malli i gjallë. Siç ndodh me agjencitë funerale, klani e di shumë mirë se për këtë biznes nuk do të ketë kurrë krizë. Plehrat dhe të vdekurit nuk mbarojnë kurrë dhe janë baza perfekte për një biznes fitimprurës. Mekanizmi i trafikimit të plehrave ofron fitim në çdo hallkë. Klanet që kanë kamionët, buldozerët dhe landfillet fitojnë gjatë mbledhjes, fitojnë kur depozitojnë në landfille. Nga ky fitim kanë përfituar edhe shumica e firmave italiane gjatë viteve të fundit, pasi landfillet janë mbushur, gropat po ashtu, çdo hapësirë e mundshme është përdorur dhe plehrat e Napolit nuk janë më plehrat e Napolit.
Emergjencat janë momenti ideal për të fituar sa më shumë. Kur akumulohen qese plehrash, qytetarët fillojnë të irritohen, hidhet benzinë nëpër koshat e plehrave për t’i djegur televizionet nxjerrin koshat e tejmbushur me plehra që derdhen nga të gjitha anët, pikërisht atëherë lind më shumë nevoja për t’i hequr menjëherë dhe për të shmangur epidemi të rënda. Emergjencat janë koha kur nuk pyetet më se ku do të depozitohen plehrat dhe si do të transportohen, vetëm të hiqen nga qyteti dhe këtu dalin në buldozerët dhe kamionët e drejtuar nga klanet mafioze.
Emergjenca nuk krijohet kurrë drejtpërdrejtë nga klanet, problemi është që politika për vite me radhë nuk ka arritur të mbyllë ciklin e plehrave. Landfillet ezaurohen sepse, ndërkohë që aty duhet të përfundonin vetëm një pjesë e vogël e plehrave, aty depozitohen të gjitha. Për aq kohë sa nuk janë krijuar fabrika djegëse, duke i dhënë garanci popullsisë për sigurinë e tyre, kur nuk është nisur fushata e mbledhjes së diferencuar dhe nuk është shpallur luftë kundër sipërmarrjeve të klaneve mafioze, atëherë nuk do të arrihet gjëkundi.
Duke mos mbyllur ciklin e plehrave u krijuan “ekosferat”, ose ndryshe lëndë të djegshme të ngurta të përftuara, duke trajtuar mbetjet e ngurta urbane, me pak fjalë janë qese gjigante plehrash të grira. Në pak vite janë grumbulluar 4,3 milionë tonelata ekosferash, një varg pafund që bashkon Giuglianon dhe Villa Liternon, duke transformuar terrenet që prekin në një konglomerat të vetëm të ushtrisë së cilindrave, shpesh të bardhë, që duken si ilaçe gjigante.
Ekosferat presin të digjen, por më pas u zbulua se nuk janë paketur sipas normave, prandaj këto ekosfera nuk do të mund të digjen më kurrë dhe mund të duhet një çerek shekulli vetëm për t’u përpjekur që të depozitohen. Pikërisht për arsyen që ekosferat nuk do të mund të digjen më kurrë, sipërmarrja e klaneve mafioze rezultoi akoma më fitimprurëse, sepse kanë dhënë me qira toka pafund, ku janë mbledhur ekosferat. Ekosferat nuk do të digjen kurrë dhe shteti do të vazhdojë të paguajë qira për tokën deri në përjetësi. Në shumicën e rasteve, këto toka janë blerë vetëm pak ditë para krijimit të ekosferave dhe me çmim më të ulët se tregu. Mekanizmi ishte shumë i thjeshtë: sapo merrej vesh se ku do të vendoseshin ekosferat, ndërmjetësit paraqiteshin tek pronarët e tokave, shpesh fermerë të vegjël dhe u blihej toka me hir a me pahir.
Mekanizmi i blerjes favorizonte më shumë të sëmurët me kancer, të cilët ndiqeshin më shumë nga ndërmjetësit, pasi ishin ata që kishin më shumë nevojë për para. E njëjta gjë vlente edhe për pronarët që kishin vajza për të martuar dhe borxhe për të shlyer. Në fshatra të shesësh tokën tek ndërmjetësit e biznesit të plehrave u kthye edhe në një formë likuidimi për fermerët që prej vitesh shikonin që të mbjellat e tyre nuk vlenin më asgjë dhe kundërmonin erë të qelbur.
Politika, kur bëhet fjalë për çështjen e plehrave duket se nuk njeh më kufi dhe partitë politike kanë të njëjtat qëndrime për fjalimet, zgjedhjet e politikat, duke mos bërë më asnjë dallim ndërmjet zgjidhjeve dhe reformave të tyre. Në Campania, kriminaliteti ka spekuluar me tregun e tokave për të ngritur në vende të paligjshme magazinimin provizor. Biznesi i tyre është vlerësuar deri në 800 milionë euro dhe kjo është fatura që sipërmarrjet e klaneve mafioze lëshojnë për mbetjet urbane në Campania, Kalabri, Siçili dhe Puglia, ndërsa fatura e menaxhimit të strukturës së emergjencës në Campania arrin deri në një miliard euro, kjo pa marrë parasysh trafikun e jashtëligjshëm të mbetjeve toksike.
Një nga kumbarët e plehrave, sipas hetimeve të Antimafias napoletane, është Cipriano Chianese, një avokat sipërmarrës i një qyteze të vogël, Parete dhe njëkohësisht feudali i zonës. Ai kishte drejtuar për shtatë vite Setrin, një shoqëri e specializuar për transportin e plehrave speciale të vendeve të huaja. Nga të gjitha anët e Evropës transferoheshin plehra në Giugliano-Villaricca, transporte të parregullt pa asnjë autorizim të vetëm nga shteti, por me autorizimin e vetëm që nevojitej, atë të gamorrës.
I akuzuar nga prokurorët antimafia, Raffaele Marino, Alessandro Milita dhe Giuseppe Narducci për bashkëpunim me gamorrën në aktiviteve kriminale, kjo është e vetmja akuzë formale e lëshuar nga autoritetet e Napolit. Në qendër të hetimit qëndron menaxhimi i dy landfilleve abuzive në pronësi të Resit dhe të përvetësuar nga Komisariati i shtetit për kohën e emergjencës së vitit 2003. Chianese, sipas akuzës është një nga ata sipërmarrësit e aftë për të shfrytëzuar emergjencat shtetërore dhe kështu arriti që me aktivitetin e Resit të përfitonte dhe t’i faturonte komisariatit të jashtëzakonshëm një import prej 35 milionë eurosh për një periudhë të shkurtër nga viti 2001 në vitin 2003.
Impiantet e përdorura nga Chianese duket të ishin mbyllur me kohë. Por në fakt, ato ishin kthyer në miniera në kohën e emergjencës. Falë miqësisë me disa eksponentë të klanit Casalesi, kanë treguar atëherë bashkëpunëtorët e drejtësisë, Chianese ka përftuar me çmime qesharake toka dhe fabrika me vlerë të lartë, duke përfituar edhe mbështetjen e nevojshme politike në vitin 1994 dhe punonte i pashqetësuar në depozitimin e plehrave për territorin e mbikëqyrur nga klani.
Emergjenca e atëhershme, kur qyteti ishte i tejmbushur me plehra, koshat e rrëzuar nga pesha e madhe dhe kishte protesta popullore, politikanët nën presionin e zgjedhjeve gjetën një zgjidhje tek Resit në Tre Ponti. Chianese, sipas akuzave, nuk ndihmonte vetëm Campanën që t’i gjente vend plehrave, por edhe zonën ushtarake të Casalesit, ku ofronte edhe depozitimin, nga makinat në dispozicion për të kryer vrasje e deri tek zyrat për mbledhjet e bosëve të klanit.
Historia e Chianese ndërlikohet me një hetim të pabesueshëm, Adelphi, një hetim i vjetër i vitit 1993 që tregonte se masoneria kishte nevojë kontakti me Campanian dhe Casalesit, sepse u duhej gjetur me urgjencë sipërmarrësve të qendrës-veriore një mënyrë për të kursyer në procesin e depozitimit të plehrave. Në hetim të padendehurit kryesorë ishin Licio Gelli, nipi i bosit Francesco Bidognetti dhe Gaetano Cerci.
Masonët e lozhave toskane, së bashku me bosët casalesë dhe sipërmarrësit bënin biznese prej miliarda lirash. Në lidhje me ngjarjen e Chianese, antimafia e Napolit shprehet: “Hetimet gjyqësore kanë bërë të mundur të vërtetojnë se, menaxhimi i ciklit të plehrave është kthyer në mall shkëmbimi ndërmjet aferave kriminale dhe aferave në dukje të ligjshme, me ndihmën e sektorit politik. Është një industri që vë në lëvizje qindra miliona euro çdo vit dhe që vazhdon akoma të ofrojë fitime të jashtëzakonshme me rrezik minimal të përndjekjes penale. Për këtë arsye, aktiviteti kryhet në pozicione të ndryshme pune si: nivele të larta shtetërore, përmes detyrave profesionale dhe konsulencave me punësim të drejtpërdrejtë si dhe në të gjitha hallkat e nivelet të lartë dhe të ulët të gamorrës”.
Një tjetër bashkëpunëtor i drejtësisë, Gianfranco Mancaniello, tregon për një mbledhje ndërmjet bosëve që kishin marrë ofertën e disa sipërmarrësve të verilindjes “për të zgjidhur” problemin e disa tonelatave me mbetje toksike. Kështu, bosi fillon të mendojë se në sa landfille dhe nën cilin tapet toke mund të groposë helmin, një ndihmës i tij i kujton: “Por kështu mund të ndotim akuiferet”, dhe bosi, pa u menduar gjatë i përgjigjet: “Po ne ç’na intereson?! Ne pijmë ujë mineral!”. Historia e plehrave është historia e aferave, bosëve mafiozë, sipërmarrësve të aftë për të mos u frenuar para asgjëje, të politikës së terrorizuar, të revoltës kur kamionëve, të fëmijëve që lindin të deformuar, të heshtjes së blerë dhe të një Italie të tërë që i shkarkon plehrat në jug dhe përsëri në jug shkon për të marrë të mbjellat.
Tragjedia e vërtetë është që përmes mekanizmit të plehrave nuk kanë helmuar vetëm tokën, nuk kanë përhapur vetëm kancerin në mijëra e mijëra njerëz, nuk kanë zbehur vetëm bukurinë e tokave, përdhunuar të mbjellat e përpirë male, nuk kanë shtrydhur vetëm para nga çdo qenie e gjallë apo e ngordhur. Tragjedia e vërtetë është që plehrat kanë helmuar edhe të ardhmen!

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version