Nga Senad Nikshiqi
Atë Aleksandër Petani, ish- drejtues i Kishës Ortodokse në Shkodër për 25 vite me radhë, në këtë vigjilje Pashkësh rrëfen për News24 zhvillimet të Kishës Ortodokse në Shqipëri, që nga epoka e rënies së kishës, kur objektet e kultit u shkatërruan nga regjimi komunist, deri te përpjekjet e ringritjes së institucionit kishtar gjatë viteve ‘90-të.
Për tri dekada me radhë, që prej vitit 1962 kur Kisha Ortodokse në Shkodër u rrënua plotësisht, deri në vitet 1990 historia e besimeve fetare në kryeqendrën kulturore të vendit, Shkodër zhvillohej paralelisht, ku të krishterët dhe myslimanët përkrahnin njëri-tjetrin në rimëkëmbjen e objekteve të kultit dhe garantimin e vijimësisë së besimeve fetare, pavarësisht rrethanave historiko-politike tejet të vështira. Pas prishjes së Kishës Ortodokse nga regjimi komunist Atë Aleksandri mundi të sigurojë emrat e personave që nënshkruan vendimin për shkatërrimin e saj, duke bërë të mundur negociatat me ta, prej nga ku zbuloi se ikonat e shenjta gjendeshin në shtëpinë e Luigj Gurakuqit.
Gjatë trazirave në fillim të viteve ‘90 ishte e nevojshme që Kisha Ortodokse në Shqipëri të kishte një drejtues. Atë Aleksandri rrëfen se i dërguan kërkesë Patriarkanës në Kostandinopojë për dërgimin e një kryepeshkopi, që të riorganizonte pushtetin kishtar ne vend. Pas kërkesës nga Shqipëria, Patriarkana e Kostandinopojës dërgoi me mision kishtar në Shqipëri Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Në kujtimin e ditës së ardhjes së Janullatosit në Shqipëri, Atë Aleksandri rrëfen të papriturën e asaj dite, kryepeshkopi ortodoks u prit në Rinas nga frati françeskan, Atë Zef Pllumi.
Rimëkëmbja e objektit të kultit në Shkodër kërkoi përpjekje të mëdha, duke nisur që nga blerja e truallit ku do të ndërtohej kisha e deri te ruajtja e saj nga sulmet e bandave famëkeqe të Shkodrës. Mes gjithë vështirësive, ndasitë mes klerikëve të krishterë, ortodoksë e katolikë nuk ekzistonin. Atë Aleksandri tregon se i kërkoi kishës françeskane që Meshën e Shenjtë kryepeshkopi Janullats për besimtarët ortodoksë në Shkodër ta mbante në kishën katolike, gjë e cila u pranua me dashamirësi prej tyre. Në këtë vigjilje Pashkësh, Atë Aleksandri ka një mesazh për të gjithë qytetarët të keishterë e myslimanë, të mos largohen nga Zoti dhe t’i rrisin fëmijët me dashurinë për Të. Më tej Atë Aleksandri pohon se Imzot Massafra në një drekë të organizuar në Shkodër i kërkoi kryepeshkopit Janullatos ndërtimin e kishës ortodokse./ BalkanWeb.com