Si po gënjen qeveria për investimet e huaja

Një tjetër goditje ka ardhur për performancën e investimeve të huaja në Shqipëri. Ndonëse në vlerë absolute ato ishin ndër më të lartat në rajon, në rreth 900 milionë euro në vitin 2015, nuk kanë ndikuar aspak në hapjen e vendeve të punës.
Një raport i fundit i IBM Institute for Business Value, botuar pak ditë më parë, rendit Maqedoninë dhe Serbinë si dy vendet e para në botë përsa i përket vendeve të punës të krijuara nga investimet e huaja për milion banorë. Në listë është dhe Bosnje-Hercegovina, ndërsa Shqipëria mungon.
“E vogël është e mrekullueshme”, thuhet në raport. “E matur në mënyrë relative me madhësinë e popullsisë, Maqedonia kryeson sërish listën, e ndjekur nga Serbia. Të dy këto vende të Ballkanit kanë parë investime të rëndësishme hyrëse në fushën e aktiviteteve përpunuese. Duke u pozicionuar fuqimisht në sektorë të tillë si transporti dhe pajisjet elektrike, ato ofrojnë avantazhe të larta krahasuese në krahasim me konkurrentët e Europës Lindore dhe Qendrore. Me zona urbane, si Beogradi, që ofron mundësi të rëndësishme përsa i përket kostove, rajoni mund të shohë më shumë investime”, thuhet në raport.
Raporti thekson se performanca e fortë e Ballkanit Perëndimor është e përforcuar më tej nga renditja në 20-she e Bosnje-Hercegovinës, investimet hyrëse të së cilës u dyfishuan në vitin 2015. Vendi përjetoi investime të reja domethënëse në prodhim në makineritë industriale dhe pajisje, si dhe në sektorin e ushqimeve dhe pijeve. Në vitet e fundit, thotë raporti, vende të tjera të vogla në Europë, Azi dhe Amerikën Latine e kanë pozicionuar vetveten në vende me eficencë përsa i përket kostos që u shërbejnë tregjeve të mëdha.

Në Shqipëri, investime të larta në vlerë që nuk hapin vende pune
Shqipëria karakterizohet nga investime të larta të huaja në vlerë absolute, por që sjellin realisht pak efekt në ekonomi. Më 2015-n, rreth 40% e tyre vinin nga sektori i hidrokarbureve, që kishin të bënin kryesisht me hapjen e puseve të reja, pa efekt direkt në punësim, rritjen e kapitalit të bankave (edhe ky pa efekt direkt në punësim) dhe në telekomunikacione, kryesisht marrjen e licencave 3G. Të vetmet investime që po gjenerojnë vende pune janë HEC-i i Devollit dhe punimet për gazsjellësin TAP. Gjithsesi dhe për këtë të fundit, një pjesë e madhe e nënkontraktorëve (përveç kompanive të rrugëve) janë të huaja, që i sjellin punonjësit me vete.
Shqipërisë po i mungojnë investimet e qëndrueshme në industrinë përpunuese e prodhuese, siç po ndodh me rajonin, që po krijon vende pune për shembull, në industrinë mbështetëse të prodhimit të makinave.
Sipas të dhënave nga AIDA, gjatë këtij viti kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri 67 investitorë të huaj, por burimet nga Ministria e Ekonomisë bëjnë me dije se vetëm 2 prej këtyre pretendimeve janë realizuar, një në miniera dhe një në tregtinë me shumicë. 10 nga investitorët kanë shprehur interes për sektorin e energjetikës, 9 në sektorin e prodhimit, 8 në atë të konsulencës, 6 në automobilistikë, 5 në shërbime, 5 në turizëm, 4 në infrastrukturë, 3 në bujqësi, 3 në ndërtim, 3 në miniera, tre në tregtinë me shumicë, 2 në shërbime financiare, 2 në pasuritë e patundshme, 1 në shërbimet aeroportuale, 1 në arsim, 1 në teknologjinë e infomacionit dhe 1 në tregtinë me pakicë.
Investimet e huaja ishin 152 milionë euro në tremujorin e parë 2015, nga 261 milionë euro në janar-mars 2015 dhe 222 milionë euro në 3-mujorin e parë 2014, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, duke qenë tepër të varura nga shpenzimet kapitale të kompanive hidrokarbure.
Për gjithë vitin 2015, investimet e huaja në Shqipëri arritën në 871 milionë euro duke u rritur me vetëm 7.1% në raport me 2014-n dhe duke qenë 5.7% më të ulëta në raport me 2013-n.

Exit mobile version