Më 18 tetor, “BIRN” u njoftua për një anomali të vërejtur në portalin e Ministrisë së Arsimit ku maturantët aplikojnë për t’u regjistruar në universitetet publike ose private.
Një printscreen i dërguar në redaksi nga një ekspert i arsimit të lartë, paraqet mundësitë që aplikanti ka për të zgjedhur për regjistrim. Të gjitha universitetet publike rezultojnë me të kuqe, që do të thotë se nuk ka mundësi regjistrimi në atë fazë, ndërsa tri universitete private regjistronin me të gjelbër dhe kishin mbi 2 mijë kuota bosh në secilën degë.
Pamja që shihte aplikanti ndryshoi dy ditë më pas, ku nuk kishte më 2 mijë kuota të lira, por shumë më pak, por megjithatë universitetet private rezultonin përsëri se kishin më shumë kuota të lira nga sa kishin të shënuara kuota totale.
Lëvizja Për Universitetin, një grup të rinjsh aktivistë që kundërshtojnë reformën e arsimit të lartë të ndërmarra nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama, gjithashtu e denoncoi anomalinë në faqen e vet në Facebook, si dhe mblodhi printscreen të kuotave të universiteteve private, siç shfaqeshin në datën 20 tetor.
Një ditë më vonë, kuotat e universiteteve private u fshinë nga kjo faqe dhe tashmë ky portal nuk shfaq asnjë rezultat për kuotat në total dhe ato të lira te universitetet private.
Duke i konsideruar anomalitë e shifrave të kuotave në faqen zyrtare të aplikimit një favorizim të hapur të universiteteve private, Lëvizja Për Universitetin i tha “BIRN” se nëse mospërputhja e kuotave totale dhe të lira do të ishte një gabim në sistem, atëherë ai nuk do të shfaqej vetëm te universitetet private.
“Anomalia i sjell përfitime universiteteve private në dy aspekte. Së pari, universitetet private mund të regjistrojnë më shumë studentë nga sa kanë kuota të miratuara nga MAS dhe së dyti, duke shtuar kuotat totale lajmërimi se kanë rezultuar fitues në universitete private u shkon më shumë maturantëve”, deklaroi për “BIRN” Për Universitetin.
“Ndërsa në publik studentët presin radhën për t’u regjistruar, sistemi u ka ofruar mundësi privatëve të përshpejtojnë procesin e regjistrimit”, shtoi lëvizja.
Ndërkohë, kuotat e universiteteve publike vijojnë të mbeten bosh në një përqindje të konsiderueshme.
Pyetur nga “BIRN”, Ministria e Arsimit dhe e Sportit mohoi që kuotat e lira të jenë më të mëdha se ato totale në universitetet private dhe sqaroi se procesi i monitorimit për kuotat e tyre, i ka kaluar sekretarive të instituteve të Arsimit të Lartë private.
“Nuk është e saktë të thuhet që kuotat e lira janë më të mëdha se ato totale me IAL tek privati”, tha Ministria e Arsimit.
“Respektimi i kuotave të lira në proces monitorohet dhe është përgjegjësi primare e vetë sekretarive të IAL-ve, pas kalimit tek MAS. Urdhri numër 486, datë 6.10.2016 ka vendosur pranë çdo sekretarie monitorim të procesit”, deklaroi të martën për “BIRN” Ministria e Arsimit.
“Për të shmangur çdo keqinterpretim përkundrejt institucioneve të prekura, ne e kemi hequr këtë informacion nga faqja e uebsajti, i cili është një portal regjistrimi, jo portal kontrolli”, shtoi MAS duke iu përgjigjur pyetjes se për çfarë arsyeje, kuotat e privatëve u zhdukën pas publikimit të faktit nga Lëvizja Për Universitetin në Facebook.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), Arjan Xhelaj tha për mediat se portali nuk ishte konceptuar për universitetet private.
“Kur keni parë kuotat dje që u janë dukur më shumë sesa kuotat e aplikimit, ajo ka qenë thjesht diferenca ndërmjet numrit të aplikantëve që kanë aplikuar për një degë në një program të caktuar minus numrin e të regjistruarve. Sepse universitetet private kanë pasur një metodologji tjetër të përzgjedhjes së studentëve, ku u kanë dhënë mundësi të gjithë aplikantëve të bëjnë një konkurs, të shikohet mesatarja”, tha Xhelaj për median.
Sistemi në vetvete nuk ka bërë renditje apo pikësim, sistemi vetëm ka koordinuar klasifikimet që kanë bërë vetë universitetet, pra ka marrë ato databaza që kanë pasur vetë universitetet”, shtoi ai.
Presion mbi maturantët
Sa herë që një maturant hyn te faqja e aplikimit duke përdorur kodin unik të identifikimit të tij si aplikant, një mesazh kërcënues i del përpara.
Mesazhi shkruante: “KUJDES: Nëse ju nuk regjistroheni nga data 25.10.2016 deri më 26.10.2016 në programet me ngjyrën e gjelbërt në të cilat jeni shpallur fitues, atëherë do të humbisni përfundimisht të drejtën për t’u regjistruar në ato degë”.
Problemi është se, ndonëse universitetet publike kanë ende shumë kuota të lira, në shumicën e rasteve aplikantëve u del me ngjyrë të gjelbër vetëm mundësia e regjistrimit në universitetet private.
Shkaku për këtë është se, ndërsa sistemi mbart kritere të shumta pranimi te universitetet publike, te aplikantët që rezultuan fitues te universitetet private seksioni “llogaritja e pikëve” rezulton pa asnjë kriter aplikimi; përveç pagesës së parave.
Aktualisht, Ministria e Arsimit thotë se sistemi nuk po i favorizon privatët, të cilët ankohen se janë dëmtuar po aq shumë nga eksperimenti i këtij viti me aplikimet në universitet.
“Deri më sot nuk kemi asnjë IAL private që të ketë plotësuar kuotat e shpallura”, tha Ministria e Arsimit.
Gjithsesi, një kontroll në seksionin e statistikave të portalit të aplikimit, tregon se shumë universitete private i kanë mbushur kuotat e shpallura si “të lira” në fazën e parë, ndërkohë që në universitetet publike, një pjesë e mirë e kuotave mbeten të paplotësuara.
Një shkrim i mëparshëm i “BIRN” bazuar në statistikat e aplikimeve, më 20 tetor, dita e parë e shkollës, mbi 40 për qind e kuotave të universiteteve publike vijonin të ishin bosh. Më 25 tetor, 5163 kuota ose 23 për qind e të gjitha kuotave të universiteteve publike mbeteshin të paplotësuara.
Qeveria shqiptare e ndryshoi ligjin për arsimin e lartë vitin e kaluar duke krijuar një platformë të përbashkët për universitetet publike dhe ato private, me supozimin që në vitet e ardhshme, universitetet private do të mund të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit.
Paralelisht me këtë, qeveria ndryshoi këtë vit sistemin e përzgjedhjes së maturantëve që kërkojnë të ndjekin studime universitare duke hequr sistemin e mëparshëm të njohur si “meritë-preferencë” dhe duke vendosur një sistem të ri, në të cilin, universitetet përcaktojnë kriteret e pranimit, ndërsa maturantët aplikojnë në deri dhjetë degë.
Sipas sistemit të ri, maturantët me mesatare nga 9.8 deri në 10.15 shpallen fitues deri në dhjetë degë njëkohësisht, ndërsa studentët e tjerë nën këtë mesatare duhet të presin fazë pas faze lirimin e kuotave pas përzgjedhjes së të parëve.
Ndonëse në fillim të procesit ministria deklaroi se regjistrimet do të përfundonin me dy faza, procesi është zvarritur në gjashtë faza dhe shumë nënraunde derisa kuotat të zihen.
I prezantuar si një sistem i suksesshëm që favorizon më të mirë, sistemi i këtij viti kritikohet gjithashtu për kaosin dhe panikun që shkaktoi të maturantët.
Mijëra maturantë me mesatare të larta rezultuan humbës në universitetet publike, duke ngritur kështu dyshime dhe akuza se skema është bërë për t’i shtyrë ata të regjistroheshin në universitetet private.
Të përballur me kaosin, një pjesë e maturantëve organizuan protesta në shtator 2016 dhe kërkuan rikthimin e sistemit të vjetër. Studentët u ankuan se në shumë raste qenë penalizuar nga fakti i thjeshtë që kriteret e përcaktuara nga universitetet publike për vlerësimin e lëndëve me zgjedhje në shkurt të këtij viti, qenë të ndryshme nga kriteret që Ministria e Arsimit pati lajmëruar në fillim të vitit shkollor.
Kjo do të thotë se ndërsa nxënësit, sipas rekomandimeve të ministrisë, mësuan një lëndë të caktuar me shpresë se kjo lëndë do t’i rriste shanset për të kapur më shumë pikë në degën e tyre të parapëlqyer, ata në shtator mësuan se në fakt, kjo lëndë qe konsideruar e barasvlefshme me lëndë të tjera më të thjeshta ose nuk merrej fare parasysh nga universiteti i caktuar.
Lëvizja Për Universitetin ka përsëritur përmes një videoje më 22 tetor kërkesën për dorëheqjen e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ndërsa theksoi se skema ka dështuar.