Rama-Nikolla kanë hartuar një skemë të mirëfilltë manipulimi në lidhje me rezultatet e maturantëve duke u hequr atyre qëllimisht të drejtën e ndjekjes së studimeve të larta në universitetet publike duke i orientuar ato qëllimisht drejt universiteteve private. Tashmë që faza e parë e shpalljes së rezultateve është mbyllur dhe ka nisur faza e dytë, Rama-Nikolla po ndjek të njëjtën praktikë duke i’u bllokuar maturantëve të drejtën e regjistrimit përmes manipulimit të rezultateve. Ish-kryeministri Berisha ka publikuar dje denoncimin e një maturanti, i cili dëshmon se si po vijon manipulimi i rezultateve të maturantëve edhe me fazën e dytë. Ai e ilustron denoncimin e tij me një shembull, sipas të cilit një maturant i rankuar i pari në listën e Universitetit të Mjekësisë nuk shpallet fituesi në asnjë nga 3 degët e përzgjedhura.
“Mirëdita zoti Berisha, ju dërgoj këto foto si një provë e fortë e dështimit të plotë të të ashtuquajturës Reformë në Drejtësi. Shihet qartë që individi me këtë barkod nuk shpallet fituesi në asnjë nga 3 degët e përzgjedhura, por çuditërisht ai është i pari në listën e rankuar të Universitetit të Mjekësisë. Si është e mundur diçka e tillë apo është ndonjë keqkuptim i radhës? Ju lutem ruani anonimatin” thuhet nw denoncimin e publikuar nga Berisha.
Pak ditë më parë, ish kryeministri Berisha publikoi një tjetër denoncim të një maturanteje, anëtare e FRESSH e cila dëshmonte se si ishte mashtruar nga Tahiri në lidhje me regjistrimin në Universitetin e Mjekësisë. Për këtë rast, Berisha i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë me përparësi denoncimin e rëndë të maturantes.
“I nderuar z. Sali Berisha. Je i vetmi shpëtim dhe shpresë, po të dërgoj një shqetësim pasi jam i bindur se duhet t’ja dërgosh Prokurorisë. Unë jam anëtare e FRESSH dhe një mike e ngushtë e Saimirit ose siç i thua ti Sajme qorri, po ky legen burrë, pasi më premtoi se sivjet do të më rregullonte në mjekësi, ku edhe pashë në numrin 156 numrin tim tani që dje nuk e shoh dhe se është ndryshuar. Po të them një të vërtetë në mjekësi nuk ka emra, por kode dhe aty janë falso, kanë paguar euro dhe kanë fituar mikeshat si puna ime po Sajme qorri më shiti, më thotë ik tek farmacia, po unë s’e kam problem të iki për 3ooo euro te farmacia, por më do yzmeqare të përjetshme te farmacia e babës, plehrës Bashkim, kështu që ngre problem lista te mjekësia është falso. Ti e dëgjove edhe rektorin, komunistin Arben Gjata që deklaroi se futen me 10 dhe nëse kalojnë vitin e parë me 5. Kjo është e vërteta ndaç në Parlament ndaç në Prokurori futu kod për kod dhe do të shohesh ça monstra gjen aty. Ju lutem anonim, jo nga ushtari Saje qorri, por gjeneralët janë të tmerrshëm!” thuhej në denoncim. Ndërkohë, Partia Demokratike do të nisë një aksion ligjor në mbështetje të maturantëve, duke ofruar asistencë të plotë juridike për çdo ankesë të maturantëve të depozituar pranë selisë së PD. PD fton çdo maturant, të cilit i duhet ndihmë ligjore të paraqesë ankesën e tij pranë selisë së PD me dokumentacionin përkatës.
Padrejtësia vazhdon, 20 mijë maturantë të braktisur pas fazës së parë
Partia Demokratike denoncoi dje manipulimet në fazën e dytë të procesit të regjistrimeve të maturantëve në universitetet publike.
“Pas 20 ditëve terrori psikologjik dhe padrejtësish, rreth 20 mijë maturantë janë sot edhe një herë të braktisur nga Edi Rama.
Pas përfundimit të fazës së parë, mijëra maturantë me rezultate të shkëlqyera janë në pritje të tepricave, sepse kështu iu tek një ditë Edi Ramës dhe Linditës së tij. Të tradhtuar, të lënduar, të nëpërkëmbur, edhe pse për 3 vite studiuan dhe shumë prej tyre morën rezultatet maksimale, me mesatare mbi 9. Do të aplikojnë përsëri në raundin e dytë, u thotë qeveria, me 10 preferenca të tjera, që t’i mashtrojë përsëri nga e para. Fakti që në raundin e parë u regjistruan vetëm 23% e maturantëve, dëshmon se modeli ka dështuar, ministria ka dështuar, Rama ka dështuar” tha Boçi. Ai theksoi se nuk ka as meritë, as ekselencë e as preferencë dhe se rregullat e ndryshuara në fund të procesit të maturës, hodhën në erë çdo investim të maturantëve dhe familjeve të tyre. “Qeveria shkeli me këmbë dhe vazhdon të shkelë mbi mundin, djersën, investimin dhe talentin e maturantëve. Maturantët sot nuk duan thjesht një diplomë apo një të drejtë studimi çfarëdo. Ata kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, ashtu siç e kanë projektuar vetë. Dikujt që ka ëndërruar të bëhet jurist apo mjek dhe ka punuar e ka marrë rezultatet maksimale në 3 vitet e gjimnazit, nuk mundet t’i thotë sot qeveria mos u mërzit se ka kuota tek gjeografia apo puna sociale. Kjo ndërhyrje brutale dhe shkatërrimtare e qeverisë është e papranueshme”tha deputeti demokrat. Ai u shpreh se Partia Demokratike kërkon dhe një herë me forcë rikthimin e meritës dhe të preferencës. “Ne jemi në krah të maturantëve dhe të gatshëm të japim të gjithë mbështetjen tonë për çdo rast padrejtësie. Ne i bëjmë thirrje dhe i inkurajojmë maturantët të rezistojnë e të kërkojnë deri në fund të drejtën e tyre. Ajo është e drejta e tyre e merituar, e fituar me mund e talent dhe nuk mund të nëpërkëmbet e as të tjetërsohet nga asnjë qeveri” u shpreh Boçi.