Si po ndryshon tregu i telefonisë celulare

Ulja e numrit të operatorëve po jep efektet e para në rritjen e kostove të komunikimit celular për shqiptarët. Shpenzimi mesatar për shërbimet celulare u rrit për të tretin vit radhazi, ndërsa edhe shifrat krahasuese të ITU për treguesit e nivelit të shpenzimeve në raport me të ardhurat për frymë janë rritur. Të dy operatorët celularë në vend përmirësuan rezultatin financiar vitin e kaluar.

 

Ersuin Shehu

Shqiptarët po përballen me rritje të kostos së shërbimeve celulare. Sipas të dhënave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), treguesit e nivelit të shpenzimeve në raport me të ardhurat për frymë për katër nga pesë shportat e ITU-së për aksesin dhe përdorimin shërbimeve të rrjetit fiks dhe celular për Shqipërinë rezultojnë me rritje në vitin 2023 në krahasim me vitin 2022.

Ato janë gjithashtu në nivel më të lartë se mesatarja botërore për vitin 2023.

Për shembull, shporta celulare me konsum mujor të ulët (70 minuta + 20 SMS + 500 MB) në Shqipëri vitin e kaluar kushtonte sa 1.59% e të ardhurave mujore bruto për frymë, nga 1.45% që kishte qenë një vit më parë. Mesatarja botërore e këtij treguesi është sa 1.35% e të ardhurave bruto për frymë.

Ndërsa shporta celulare me konsum mujor të lartë (140 minuta + 70 SMS + 2 GB) vitin e kaluar kushtonte sa 2.07% e të ardhurave mujore bruto për frymë, nga 1.45% që kishte qenë një vit më parë. Mesatarja botërore e këtij treguesi është sa 2% e të ardhurave bruto për frymë.

Duke komentuar këto shifra, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare evidenton se gjatë vitit 2023, është vënë re se dy operatorët celularë kanë bërë ndryshime në tarifa, ose sasitë e njësive (minuta, SMS apo GB) të përfshira në paketat e përdorura nga ITU për krahasim.

Këto ndryshime kanë rezultuar, ndër të tjera, në zvogëlimin e njësive (minuta, SMS apo MB) të përfshira në paketat 30-ditore me parapagim me çmim 600 lekë të prezantuar në periudhën e pandemisë Covid-19 në vitin 2021 nga operatorët celularë, dhe të përdorura nga ITU në periudhën 2021-2022 si referencë për shportat celulare me konsum të ulët.

Tregu i telefonisë celulare në Shqipëri është rikthyer tashmë në të njëjtën strukturë të vitit 2008, me vetëm dy operatorë në treg. Hyrja në treg e operatorit të tretë Eagle Mobile (Albtelecom) dhe më pas të operatorit të katërt, Plus Communication, solli rritje të konkurrencës dhe ulje të ndjeshme të tarifave të komunikimit.

Por, këta dy operatorë nuk arritën asnjëherë të ishin fitimprurës.

Në vitet e fundit, edhe dy operatorët më të mëdhenj celularë kanë raportuar një performancë negative. Këto rezultate mund të shpjegohen me rënien e të ardhurave nga terminimi, nevoja e lartë për investime, shpenzimet e konsiderueshme të amortizimit, por ndoshta edhe me një “luftë” çmimesh dhe konkurrencë të ashpër për klientë.

Megjithatë, ulja e numrit të operatorëve në vetëm dy të tillë duket se po e ndryshon tablonë e tregut. Në këto kushte, operatorët po shtrenjtojnë çmimet, në përpjekje për të përmirësuar gjendjen e llogarive të tyre dhe për të mbështetur investimet e pritshme në licencat dhe teknologjinë 5G.

 

Shpenzimi mesatar për shërbimet celulare u rrit për të tretin vit radhazi në 2023

Çdo përdorues shpenzoi vitin e kaluar mesatarisht më shumë se 7900 lekë për shërbime të komunikimeve celulare. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për këto shërbime u rrit me rreth 16% krahasuar me një vit më parë.

Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celularë (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë. Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit për të tretin vit radhazi.

Gjithashtu, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për çdo minutë thirrje celulare vitin e kaluar u rrit në 4.78 lekë për minutë, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë.

Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.

Ulja e numrit të operatorëve celularë në vend ka filluar që të ndikojë në shtrenjtimin e paketave të komunikimit.

Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit me parapagesë me 100-200 lekë në dy vitet e fundit, por ndërkohë kanë ulur edhe njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë.

Ndërkohë, të dy operatorët celularë, në kushtet e përgjithshme të kontratës, kanë përcaktuar të drejtën e tyre për të indeksuar çdo vit çmimin e paketës me inflacionin mesatar vjetor, sipas shifrës së publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për vitin paraardhës.

 

Shpenzimi mesatar vjetor per sherbimet celulare 1139
Burimi: AKEP

 

Vodafone rrit përsëri çmimet

Vodafone Albania do të shtrenjtojë përsëri çmimin e paketave celulare me parapagesë dhe me kontratë, duke filluar nga data 1 korrik. Sipas njoftimit të kompanisë, çmimi për tre paketat kryesore me kontratë dhe me parapagesë do të rritet me 100 lekë për secilën.

Konkretisht, paketa 30-ditore me parapagesë Vodafone Easy do të riemërtohet në Vodafone Go dhe çmimi do të rritet nga 1000 lekë në 1100 lekë.

Sasia e minutave dhe mesazheve të shkruara të paketës do të qëndrojë e njëjtë, përkatësisht 300 minuta dhe 300 SMS, ndërsa sasia e internetit do të rritet nga 1 GB (gigabyte) në 2 GB.

Paketa 30-ditore me parapagesë Vodafone Advance do të riemërtohet në Vodafone Run dhe çmimi do të rritet nga 1500 lekë në 1600 lekë. Njësitë e komunikimit do të ngelen të pandryshuara në 2000 minuta, 2000 SMS dhe 10 GB internet.

Paketa 30-ditore me parapagesë Vodafone Max do të riemërtohet në Vodafone Run dhe çmimi do të rritet nga 2000 lekë në 2100 lekë. Paketa do të vazhdojë të përmbajë 2000 minuta kombëtare, 2000 SMS dhe 10 minuta ndërkombëtare, por sasia e internetit do të ulet nga 30 GB në 20 GB.

Ndryshime të ngjashme do të pësojnë edhe çmimet mujore të paketave me kontratë (paspagesë).

Paketa Vodafone Next Easy do të riemërtohet në Vodafone Next Go dhe çmimi do të rritet nga 900 lekë në 1000 lekë. Numri i minutave (300) dhe SMS-ve (300) të ngelet i njëjtë, por sasia e internetit do të rritet nga 1 GB në 3 GB.

Paketa me kontratë Vodafone Next Advance do të riemërtohet në Vodafone Next Go dhe tarifa mujore do të rritet nga 1400 lekë në 1500 lekë. Sasia e minutave (2000) dhe SMS-ve (2000) do të ngelet e njëjtë, ndërsa sasia e internetit do të rritet nga 10 GB në 15 GB.

Paketa me kontratë Vodafone Next Max do të riemërtohet në Vodafone Next Fly dhe tarifa mujore do të rritet nga 1900 lekë në 2000 lekë. Njësitë e komunikimit do të ngelen të pandryshuara në 3000 minuta kombëtare, 3000 SMS, 10 minuta ndërkombëtare dhe 30 GB internet.

Ky është viti i dytë radhazi që Vodafone Albania rrit çmimet e paketave mujore të komunikimit me parapagesë dhe kontratë. Rritja e çmimeve, në intervalin 100-200 lekë, u aplikua edhe vitin e kaluar, nga të dy operatorët, Vodafone dhe One.

Kompania tjetër, One Albania, deri tani nuk ka njoftuar rritje të çmimit të paketave për këtë vit.

Mes gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe pjesës së parë të këtij viti, të dy operatorët kanë rritur gjithashtu çmimin e kartave SIM. Nga 200 lekë që ishte më parë, një kartë SIM e One Albania tashmë kushton 300 lekë, ndërsa një kartë SIM e Vodafone Albania kushton 500 lekë.

 

Operatorët celularë, me fitim në 2023, rriten të ardhurat nga shërbimet me pakicë

Tendenca në rritje e çmimeve të paketave ka filluar të reflektohet në një përmirësim të performancës së operatorëve celularë.

Në total, dy operatorët celularë fituan 619 milionë lekë vitin e kaluar, ndërsa viti 2022 ishte mbyllur me humbje neto, në vlerën e 499 milionë lekëve.

Sipas informacionit të raportuar në AKEP, për vitin e kaluar, Vodafone Albania arriti fitim neto në vlerën e 549 milionë lekëve, ndërkohë që vitin 2022 e pati mbyllur me humbje neto prej 30 milionë lekësh.

Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë.

Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2023 me fitim neto në vlerën e 70 milionë lekëve, ndërkohë që për vitin 2022 kishte raportuar humbje prej 469 milionë lekësh.

 

Rezultati financiar i operatoreve celulare 1139
Burimi: Pasqyrat e audituara financiare, AKEP

 

Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 25.43 miliardë lekë, shifër kjo afërsisht e njëjtë me vitin 2022.

 

Volumi i tregut te sherbimeve celulare 1139
Burimi: AKEP

 

Detajimi i segmenteve të të ardhurave nga AKEP tregon se të ardhurat nga shërbimet e ofruara me shumicë për vitin 2023 kanë pësuar rënie të konsiderueshme, ndërkohë që të ardhurat e gjeneruara nga shërbimet me pakicë kanë vijuar rritjen.

Kështu, të ardhurat me pakicë janë rritur për të dytin vit radhazi dhe kanë arritur nivelin e 20 miliardë lekëve, ndërsa të ardhurat me shumicë (kryesisht nga terminimi i thirrjeve) kanë pësuar rënie për të dytin vit radhazi, duke zbritur në më pak se 5 miliardë lekë.

Rënia e të ardhurave nga terminimi i thirrjeve vlerësohet të jetë në një masë të madhe efekt i zhvendosjes së shërbimeve të thirrjeve dhe mesazheve drejt aplikacioneve OTT të mbështetura te interneti (të llojit të WhatsApp)

Vlerësohet se të ardhurat me shumicë të operatorëve mund të kenë ndier edhe një efekt negativ nga kursi i këmbimit, në segmentin e të ardhurave prej terminimit ndërkombëtar.

Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, Vodafone Albania ka thelluar dominimin e vet, me rreth 56% të totalit të tregut.

Në vitin e parë pas shkrirjes mes dy ish-operatorëve ONE Telecommuniactions dhe ALBtelecom, operatori i ri, One Albania, ka humbur terren, duke zbritur në 44% të tregut sipas xhiros, nga 48% që kishte qenë pjesa e përbashkët e dy operatorëve përpara bashkimit, në 2022.

Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë, ose kartave SIM në fund të vitit 2023, arriti në rreth 3.8 milionë, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri posedon rreth 1.4 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja europiane prej 1.23 karta SIM pёr banorё.

Megjithatë, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.6 milionë, në rënie vjetore me 7.1%.

Rënia e numrit të kartave SIM aktive mund të jetë pjesërisht e lidhur me shkrirjen e ALBtelecom Mobile me operatorin e ri, One Albania. Por, ky mund të jetë edhe një tregues i mëtejshëm i tendencave negative demografike të vendit.

Një faktor tjetër që vlerësohet të ketë pasur ndikim negativ në vitet e fundit është edhe heqja e tarifave roaming me vendet e rajonit.

Duke qenë se Shqipëria ka një bilanc neto pozitiv në hyrje-daljet e turistëve të huaj me vendet e rajonit (hyjnë më shumë turistë të huaj sesa dalin shqiptarë), heqja e roaming ka ndikuar negativisht të ardhurat e operatorëve shqiptarë.

Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, Vodafone Albania ka thelluar dominimin e vet, me rreth 56% të totalit të tregut.

Në vitin e parë, pas shkrirjes mes dy ish-operatorëve ONE Telecommunications dhe ALBtelecom, operatori i ri, One Albania, ka humbur terren, duke zbritur në 44% të tregut sipas xhiros, nga 48% që kishte qenë pjesa e përbashkët e dy operatorëve përpara bashkimit, në 2022.

 

Telekomunikacion tregu celular 5G 2 1139

 

Komunikimi po zhvendoset brenda internetit

Edhe viti 2023 tregoi thellim të tendencës së orientimit të shërbimeve celulare drejt internetit.

Sasia totale e thirrjeve telefonike të gjeneruara nga përdoruesit celularë gjatë vitit 2023 ishte rreth 4.3 miliardë minuta, e cila përbën një rënie me 14% në krahasim me vitin 2022.

Volumi mesatar mujor i thirrjeve për përdorues ka shënuar rënie me rreth 14%, duke arritur në 268 minuta gjithsej thirrje hyrëse dhe dalëse.

Rënie edhe më të madhe kanë pësuar mesazhet e shkruara, që kanë zbritur në mesatarisht 13 në muaj për çdo përdorues, në rënie me 25% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, volumi i konsumit mesatar mujor të internetit është rritur me përafërsisht 5%, duke arritur në rreth 7.64 GB në muaj.

Sipas AKEP, ecuria e treguesve të mësipërm është e lidhur sidomos me rritjen e përdorimit të shërbimeve të komunikimit (SMS, zanore dhe video) nëpërmjet aplikacioneve OTT. Tashmë, shumë përdorues i kanë zëvendësuar telefonatat apo mesazhet me mesazhe, thirrje dhe videothirrje në WhatsApp apo aplikacione të ngjashme.

Kjo mund të kuptohet edhe duke parë ecurinë e trafikut me shumicë në rrjetet celulare. Sasia totale e thirrjeve hyrëse të terminuara në vitin 2023 ishte rreth 1.75 miliardë minuta, që përbën rënie me 23% në krahasim me vitin paraardhës.

Terminimi i thirrjeve kombëtare shënoi

rënie me 8.1% për thirrjet nga rrjetet fikse dhe rënie me 23.9% për thirrjet nga rrjetet e tjera celulare. Terminimi i thirrjeve hyrëse ndërkombëtare pësoi rënie me 15.5% krahasuar me vitin 2022.

 

Perdorimi mesatar i internetit nga rrjetet celulare per perdorues 1139
Burimi: AKEP

 

Investimet në rënie të ndjeshme

Investimet e operatorëve të komunikimeve elektronike pësuan rënie vitin e kaluar.

Mbështetur në të dhënat e AKEP, gjatë vitit 2023, sipërmarrësit e shërbimeve celulare kanë investuar rreth 1.8 miliardë lekë, të cilat kanë pasur fokus kryesor përmirësimin e ofrimit të shërbimeve broadband nga këto rrjete. Megjithatë, vlera e investimeve në segmentin celular ka pësuar rënie të ndjeshme, me 55% më pak krahasuar me një vit më parë.

Konkretisht për vitin 2023, Vodafone Albania ka investuar në total rreth 854 milionë lekë, ndërsa One Albania ka investuar në total rreth 976 milionë lekë.

Rënia e investimeve gjatë vitit të kaluar mund të shpjegohet me tkurrjen e volumit të tregut dhe me uljen e numrit të operatorëve të telefonisë celulare, nga tre në dy të tillë, pas bashkimit mes Albtelecom dhe ONE.

 

Numri i përdoruesve të shërbimeve celulare, në rënie të mëtejshme në tremujorin e parë

Numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare pësoi rënie të ndjeshme në tremujorin e këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në fund të muajit mars, numri i përdoruesve aktivë të këtyre shërbimeve arriti në 2.52 milionë, në rënie me 3.5% krahasuar me fundin e vitit 2023 dhe me 8.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënie madje shënon edhe numri i përdoruesve të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare. Numri i përdoruesve zbriti në 2.02 milionë, me rënie prej 2.8% nga fillimi i vitit dhe 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia e numrit të përdoruesve aktivë mund të shpjegohet me një sërë faktorësh. Tendencat demografike negative dhe tkurrja e popullsisë mund të shpjegojnë në një horizont krahasimi më afatgjatë rënien e numrit të përdoruesve aktivë. Për shembull, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, numri i përdoruesve aktivë ka rënë me më shumë se 27%.

Megjithatë, nga ana tjetër, përkohësisht ky efekt duhet të jetë kompensuar nga rritja e fortë e turizmit hyrës. Turistët e huaj në përgjithësi përdorin karta SIM shqiptare gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Gjatë tremujorit III 2023, numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare shënoi rritje të fortë nga 2.19 milionë në 2.56 milionë.

Por, në tremujorin IV 2023, numri i abonentëve aktivë shënoi menjëherë një rënie të fortë në 2.08 milionë, çka lë të kuptohet se turizmi ka një ndikim të konsiderueshëm në numrin e përdoruesve aktivë të telefonisë celulare.

Megjithatë, duke parë rritjen vjetore të numrit të turistëve të huaj që raportojnë statistikat zyrtare, rënia e numrit të përdoruesve aktivë me bazë vjetore duket e vështirë për t’u shpjeguar.

Një prej shkaqeve të tjera mund të jetë amortizimi gradual i efektit të bashkimit mes operatorëve One dhe Albtelecom.

Nga ana tjetër, shifrat e konsumit të shërbimeve celulare vazhdojnë të tregojnë një tendencë afatgjatë të përqendrimit të këtyre shërbimeve tek internet dhe rënien e shërbimeve të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara.

Për tremujorin e parë të vitit, trafiku i të dhënave (internetit) u rrit me 25.1% krahasuar me një vit më parë, ndërsa përdorimi mesatar mujor i të dhënave për përdorues u rrit me 31.8%.

Nga ana tjetër, totali i thirrjeve telefonike dalëse ra me 2%, ndërsa numri i mesazheve të shkruara u tkurr me 6.3%. Këto shifra tregojnë se edhe komunikimi po zhvendoset gjithnjë e më shumë te aplikacionet OTT, të bazuara te interneti.

 

Lexoni edhe:
Këtë vit pritet 5G

 


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor

Artikulli paraprakE rëndë në Gjermani/ 39-vjeçari shqiptar vdes në spital, u gjet i dhunuar në mes të rrugës! Dyshimet për ngjarjen
Artikulli tjetërFinalja/ Spanja e Anglia: dy botë të kundërta përballë