Si po organizohet PD me emigrantët në Londër

Naim HASANI

Ditën e dielë 22  janar 2017 u zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e degës së Partisë Demokratike në Londër, nën kujdesin e veçantë të liderit të Partisë Demokratike të Shqipërisë zotit Lulzim Basha. Puna për riorganizimin e degës së PD ka filluar që nga nëntori i vitit 2015, kur u ngrit një grup i posaçëm pune për organizimin e zgjedhjeve për kryetarin e degës në Londër.
Pas një pune 14 mujore dhe orientimit dhe përkujdesjes së veçantë të selisë qendrore të PD në Tiranë, të dielën u kurorëzua me sukses procesi e zgjedhjes së kryetarit të Degës së PD-së Londër. Fryma perëndimore që ka sjellë lideri i Partisë Demokratike është reflektuar gjerë në këto zgjedhje.
Shumë anëtarë të Partisë Demokratike ju drejtuan qendrës së votimit dhe kanë pritur në rradhë për orë të tëra në entuziazëm të paparë, për të hedhur votën e tyre në mënyrën më demokratike, siç ndodh gjithmonë në Britani, tempullin e demokracisë.
Gara për postin e kryetarit të PD ka qenë e gjatë dhe kam takuar shumë demokratë ose jo, të cilët jetojnë në Britani dhe në çdo rast na kanë përgëzuar PD për iniciativën e marrë për ngritjen dhe funksionimin e strukturave të saj në diasporë.
Unë e kam ndjerë veten mjaft të privilegjuar për kandidimin tim në emër të Partisë Demokratike, si forca e vetme me orientim të plotë europian, progresist dhe gjithpërfshirës.
Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë perfekte. Përshëndetjet e rastit nga unë dhe kandidati rival zoti Naim Hajdarmataj dhe shtrëngimi i duarve para nisjes së procesit të votimit në prezencën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike zoti Arben Ristani, i cili mbajti fjalën përshëndetëse, procesi mjaft i qetë i votimit, atmosfera e festës dhe vëllazërimit ku mbështetësit e të dy kandidatëve bisedonin me njëri-tjetrin dhe prisnin me durim në rradhë për të votuar, votimi individual dhe i pavarur i çdo anëtari që hidhte fletën e votimit me mjaft kënaqesi dhe pa asnjë lloj presioni, padyshim ishin arsyeja kryesore pse ky proces mund të quhet me plot gojë, një ndër proceset zgjedhore më demokratike, edhe pse i mbajtuar në diasporë.
Numërimi i votave ka përfunduar në kohë reale dhe me konsensusin e të gjithë anëtarëve të Komisionit Zgjedhor, të përbërë nga të dy palët kundërshtare është bërë shpallja e rezultatit nga zoti Arben Ristani.
Ndjehem mjaft i prvilegjuar që pas një procesi të tillë shumë transparent dhe të regjistruar në kamera televizive në çdo moment, unë u shpalla fitues i këtyre zgjedhjeve dhe Kryetar i Degës së Partisë Demokratike në Londër.
Ky proces historik që e nge lart emrin dhe vlerat e Partisë Demokratike, pranimi i rezulatit nga kundërshtari dhe urimi për fitoren, besoj se ishin veprime mjaft demokratike dhe qytetare që rradhë ndodhin në politikën shqiptare.
Procesi zgjedhor ishte padyshim një leksion demokracie që vjen nga shqiptarët e Britanisë. Ajo që është shumë domethënëse është fakti se pas festimeve të rastit për këtë proces unik dhe historik, të gjithë votuesit vazhduan jetën normale ditën tjetër, duke shkuar në punët e përditshme, siç ndodh gjithmonë këtu në Britani.
Partia Demokratike dhe lideri i saj zoti Lulzim Basha, i cili ka ndjekur hap pas hapi të gjithë procesin parazgjedhor dhe ka përshëndetur demokratët në ditën e votimit, kanë kaluar një provë të suksesshme të hapjes dhe gjithpërfshirjes dhe kanë dëshmuar se angazhimi është maksimal për t’u përgatitur dhe dalë fitues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të zhvillohen në Shqipëri.
Falënderoj zotin Lulzim Basha për gjithë kontributin e tij personal dhe të drejtpërdrejtë në ngritjen e degës së Partisë Demokratike në Londër dhe për rolin e tij udhërrëfyes dhe inspirues.
Patjetër, që ky proces nuk mund të ishte i suksesshëm pa punën e përditshme dhe të palodhshme të Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike të Shqipërisë zoti Eno Bozdo. Përkushtimi i tij në zbatim të orientimeve të liderit të Partisë Demokratike dhe rrjedha që mori ky proces, si rezultat i punës së tij të pamohueshme ka qenë unik dhe meriton vlerësimin maksimal dhe mirënjohjen e të gjithë Partisë Demokratike në Shqipëri e më gjerë.
E them me bindje se orientimi i qartë i zotit Basha dhe aftësia menazhuese e zotit Bozdo kanë qenë arsyeja kryesore e suksesit kaq unikal në zgjedhjet e organizuara në Londër të dielën e kaluar, duke përfshirë këtu edhe kontributin si katalizues i procesit të votimit nga zoti Arben Ristani.
Këto zgjedhje kanë pasur një jehonë të gjerë mes shqiptarëve në Britani dhe unë kam marrë falënderime dhe përgëzime të shumta me rastin e zgjedhjes time si Kryetar i Partisë Demokratike në Londër, mes të cilëve edhe kryetari i Partisë Socialiste, Dega Londër dhe eksponentë të tjerë të së djathtës e së majtës shqiptare, ku theksi kryesor është vënë tek procesi transparent dhe historik i votimit dhe zgjedhjes së Kryetarit të degës së PD.
Unë kam punuar dhe vazhdoj të punoj për një kohë të gjatë, duke përfaqësuar interesat e shqiptarëve në Britani, si avokat i Gjykatës Supreme të Anglisë dhe Wellsit, i specializuar në çështjet e azilit dhe emigracionit dhe të së drejtës publike dhe vlerësimi i demokratëve të Londrës më bën të ndjehem krenar që do të vazhdoj tju shërbej atyre dhe gjithë komunitetit shqiptar në Britani edhe në nivel politik.
Këtë sukses dua ta ndaj edhe me mikun tim të nderuar, ish-ambasadorin e Shqipërisë në Britani zotin Mal Berisha, të cilin e falënderoj për mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm deri në fund të procesit.
Falënderoj miqtë e mi të cilët më kanë mbështetur hapur gjatë kandidimit tim dhe në veçanti Lutfi Vata, Artur Alia dhe Fatmir Terziu, të cilët vazhdimisht kanë ndarë me mua emocionet e kësaj gare dhe më kanë nxitur gjatë gjithë procesit, në një fushatë elektorale të emancipuar dhe thellësisht qytetare.
Dua të përshëndes drejtpërdrejtë rivalin tim në këto zgjedhje zoti Naim Hajdaramtaj për qytetarinë e treguar në vlerësimin e këtyre zgjedhjeve dhe urimin për fitore, e shtrëngimin e duarve në fund të procesit të votimit, çka ishte një sinjal i qartë edhe për gjithë politikën shqiptare, se mund të garohet e të pranohet rezultati demokratik, larg konfliktualitetit dhe me kulturë qytetare.
Falenderoj komisionerët për punën e tyre korrekte dhe integritetin e treguar gjatë procesit të votimit dhe në veçanti Kryetarin e Komisionit të Votimit zotin Shkëlzen Rrustemaj për organizimin dhe korrektësinë e treguar edhe për nxjerrjen e rezultatit në kohë reale.

Exit mobile version