Si po përgatitet Rusia për presidencën Trump

Pavel Koshkin, Russia Direct

Presidenca e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara ka qenë një burim i pashtershëm debati për komunitetin rus të ekspertëve, i cili vazhdon të theksojë paparashikueshmërinë e fenomenit Trump. Vetëm dy javë më parë, kur Shtetet e Bashkuara përgatiteshin për inaugurimin e famshëm të presidentit të zgjedhur, Moska ishte duke mbajtur shënime. Mediat ruse janë duke i kushtuar presidencës së Trumpit të njëjtën vëmendje që i kushtuan aneksimit të Krimesë apo përshkallëzimit të konfliktit ushtarak në Ukrainën Lindore.
Gjatë javës që parapriu inaugurimin, ekspertët rusë kishin kryer një sërë diskutimesh dhe kishin nxjerrë raporte për presidencën e Trumpit dhe impaktin që ai do të kishte në marrëdhëniet ruso-amerikane. Në të njëjtën kohë, populli rus duket se ka shpresa të mëdha tek e ardhmja që do të sjellë lideri i ri amerikan, por deri në ç’pikë mund të themi se këto pritshmëri të mëdha janë të justifikuara dhe realiste?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, një sërë ekspertësh rusë të politikës së jashtme dhe të brendshme kanë radhitur avantazhet dhe disavantazhet që do të sjellë ky ndryshim i madh në lidershipin amerikan. Një event diskutimi është mbajtur më 18 janar në Klubin e Diskutimeve Valdai dhe një tjetër më 20 janar në qendrën mediatike të Moskës. Të gjithë ekspertët duket se janë dakord që presidenca e Trumpit ngre shumë pikëpyetje dhe krijon si sfida, ashtu edhe mundësi të panumërta. Administrata Trump duket me pak fjalë si një eksperiment i madh me rezultate të pasigurta dhe me implikime që do të shtrihen në të gjithë botën.

Të kuptosh fenomenin Trump
Edhe pse katër vitet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara priten të jenë tërësisht të paparashikueshme, zgjedhja e Donald Trumpit si president mbart një logjikë të pastër dhe është rezultati i një sërë faktorësh që duhet të analizohen së bashku. Rritja e jashtëzakonshme e pabarazisë në Shtetet e Bashkuara, diferencat e theksuara politike brenda establishmentit amerikan, zhgënjimi masiv i popullsisë me elitën e vendit, dështimi i demokratëve për të tërhequr 3 milionë vota më tepër, nënvlerësimi i fenomenit Trump dhe mbivlerësimi i popullaritetit të Partisë Demokratike – të gjithë janë faktorë që ndikuan në fitoren e jashtëzakonshme të biznesmenit amerikan.
Sipas ekspertëve, presidenca e Trumpit është në fakt një simptomë e krizës politike që duhet të zgjidhet sa më shpejt, duke pasur parasysh shtrirjen e jashtëzakonshme të influencës që kanë Shtetet e Bashkuara nëpër botë. Robert Legvold, profesor i Universitetit Columbia, e ka përshkruar “intensifikimin e polarizimit” të politikës amerikane si sfidën më të madhe të shekullit 19.
Ky polarizim shoqërohet gjithashtu edhe nga mosfunksionimi i thellë i qeverisë së mëparshme dhe krizës institucionale. Donald Trump është rezultati i dështimit të plotë të presidencës së Barack Obamës, sipas Maxim Suchkov, një ekspert në Këshillin rus të Çështjeve Ndërkombëtare (RIAC).

Trump dhe fusha e eksperimentit
Sot, pushteti dhe influenca janë duke u spostuar drejt liderëve që i përkasin sektorëve të ushtrisë dhe industrisë. Fitorja e Donald Trumpit është një shenjë e qartë i këtij trendi, sipas Andrei Bezrukov, një profesor i Institutit Shtetëror të Rusisë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Universiteti MGIMO), i cili prezantoi edhe raportin e titulluar “Donald Trump: Profili profesional i presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara” gjatë eventit të diskutimeve në Valdai.
Në fakt, gjatë fushatës së tij parazgjedhore, atëherë presidenti i ardhshëm amerikan i përfaqësonte të dy këto elita – ushtrinë dhe industrinë – përmes sloganit të tij “Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore”. Në të kundërt, kandidatja demokrate Hillary Clinton kishte zgjedhur të përfaqësonte katër elita të tjera – Wall Street-in, mediat, akademinë dhe establishmentin amerikan.
Drejtuesi i Qendrës Carnegie në Moskë, Ditri Trenin i përshkruan anëtarët e ekipit të Trumpit si negociatorë “seriozë” të gatshëm për të ndjekur pa pushim qëllimet e tyre dhe për të arritur kompromise të kënaqshme, të drejtuar nga kategoritë e thjeshta të interesave kombëtare dhe ato të biznesit. Ai theksoi gjithashtu se ekipi i Donald Trumpit përfshin përfaqësi të qendrave këshillimore dhe të akademisë, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë në presidencat e paraardhësve të Trumpit.
Të gjitha këto tregojnë se Trump është duke u sjellë si një antikonformist klasik. Ai shkatërroi konsensusin në Washington dhe sfidoi hapur nocionet klasike të sjelljes korrekt politike, e cila ekzistonte më parë në jetën politike amerikane dhe solli në axhendën e tij problemet e vërteta, ato që shumë politikanë të tjerë kishin frikë t’i ngrinin. Ai solli në vëmendjen e të gjithëve shumë pyetje të sikletshme që diplomatët ishin përpjekur t’i shmangnin përmes heshtjes dhe i kamuflonin në axhendat e tyre sekondare. Specifikisht, presidenti Trump ngriti problemin e identitetit amerikan dhe theksoi një rol të ri që Amerika duhet të luajë brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare.
Fenomeni Trump buroi nga vetë fakti se debatet publike mbi çështjet më të sikletshme dhe temat tabu ishin mbajtur prej kohësh të fshehura nga axhenda e qeverisë amerikane apo ishin shtypur nga nocioni i “sjelljes korrekte politike”, thotë Ivan Safranchuk, një profesor i Universitetit MGIMO gjatë diskutimeve në Valdai.
Ka shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara që kanë të njëjtin mentalitetit të presidentit Trump. Safranchuk thotë se këta persona e kanë mbështetur Trumpin për shkak se ishin mësuar me standarde të larta të jetesës amerikane. Të ndodhur përballë sfidave të rënda ekonomike, ata filluan të ndiheshin gjithmonë e më të pasigurt për të ardhmen e tyre. Pasiguria ndihej kudo me rritjen e papunësisë, rënien e të ardhurave për pjesën më të madhe të popullsisë, sfidat e kujdesit shëndetësor dhe mundësitë e zvogëluara për të pasur një edukim të lartë dhe për të qenë konkurrues në tregun e punës.
“Trump riformatoi dialogun politik të Shteteve të Bashkuara”, thotë Bezrukov. Në fakt, e ktheu të gjithë këtë kritikë të ashpër ndaj elitës politike në favorin e tij, duke arritur një fitore të jashtëzakonshme të zgjedhjeve presidenciale. Çdo politikan tjetër do të kishte pasur tepër të vështirë, për të mos të pamundur, të transformonte këtë sjellje skandaloze politike në një triumf. Donald Trump fitoi, pjesërisht falë faktit se ai është “një fenomen i kulturës pop”, sipas Andrei Sushentsov, drejtuesi i Grupit Këshillimor të Politikës së Jashtme dhe autor i raportit të Valdait.
“Fitorja e Donald Trumpit është një rast unik”, tha ai, duke shtuar se më në fund Amerika ka një president që nuk i detyrohet asgjë lobistëve, establishmentit apo grupeve të ndryshme financiare për fitoren e tij të jashtëzakonshme. Kjo i jep lirinë aq të nevojshme për të vepruar gjatë mandatit të tij, duke e kthyer kështu presidencën në një “fushë eksperimenti”.
Legvold argumenton se Shtetet e Bashkuara dhe bota do të kenë mundësi ta kuptojnë natyrën e administratës së Trumpit pas disa muajsh. Deri tani, përveç çështjes së shumëdebatuar të urdhrit ekzekutiv kundër emigrantëve, të gjithë janë të fokusuar për t’ju përgjigjur disa pyetjeve thelbësore: Sa kapital politik do të shpenzojë ekipi i Trumpit në politikën e brendshme? Si do të ndryshojë politika e jashtme – a do të tërhiqet Trump nga dominanca globale e Shteteve të Bashkuara apo do të përpiqet të ruajë lidershipin global? Këto janë pyetjet që janë duke munduar komunitetin e ekspertëve në Shtetet e Bashkuara, thotë Legvold.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në mjedisin aktual gjeopolitik, në mes të lëvizjeve agresive dhe imponuese të Rusisë në fushën e politikës së jashtme në Ukrainë, Kinë dhe rajonin e Azisë dhe Paqësorit. Deri tani, deklaratat dhe zotimet e Trumpit e kanë lënë Ukrainën të shqetësuar, Kinën të frustruar dhe Rusinë të trazuar, por të mbushur me shpresë, vazhdon Legvold. Pyetja më e rëndësishme është: A ka gjetur ekipi i Trumpit strategjinë e duhur për t’u pajtuar me aktorët e tjerë globalë, përfshirë këtu edhe Rusinë?

Marrëdhënia ruso-amerikane
Sushentsov dhe Bezrukov argumentojnë në raportin e tyre se administrata e Trumpit mund të shërbejë si katalizator dhe të zgjidhë shumë probleme ndërkombëtare dhe të brendshme, duke pasur parasysh të shkuarën e karrierës së Trumpit dhe reputacionit të tij si negociator brilant. Ata mendojnë se presidenti amerikan do të shtyhet nga interesat pragmatike, jo nga ideologjia, gjë që krijon mundësi për Rusinë që të gjejë një rrugë të përbashkët me Washingtonin. Megjithatë, duhet parë nëse Trump arrin ta përkthejë përvojën e tij eficente të biznesit në një presidencë të suksesshme dhe marrëdhënie të mira me Kremlinin, thotë Sushentsov.
Në fakt, gjatë konferencës së tij për shtyp, Trump ka pranuar se do të përpiqet të shkojë mirë me presidentin rus, Vladimir Putin. Megjithatë, nëse dy liderët nuk arrijnë të vendosin një bazë të qëndrueshme mirëkuptimi ndërmjet tyre, Trump ka sinjalizuar se do të tregohet akoma më i ashpër se Clinton, nëse ajo do të kishte qenë presidente.
Shumica e ekspertëve rusë, përfshirë edhe Trenin dhe kolegun e tij Alexei Arbatov, kreu i Qendrës së Programit të Mospërhapjes Bërthamore, besojnë se administrata e Trumpit do të negociojë me Rusinë nga një pozicion si lider i superfuqisë së vetme botërore, nga një pozicion force. “Ndërkohë që demokratët dëshironin të kënaqnin botën duke kontribuar në zgjidhjen e problemeve globale, republikanët duan të kënaqin Amerikën, duke e shfrytëzuar botën si aset”, thotë Arbatov, duke thënë se një qasje e tillë mund të shkaktojë tensione me Rusinë.
“Rusisë do t’i duhet të përgjigjet nga një pozicion më i dobët dhe të mos humbë, sepse është më e dobët ekonomikisht dhe politikisht se Shtetet e Bashkuara”, shton Trenin. Megjithatë, shenja e mirë është që administrata e Trumpit të paktën ka një koncept ndërmend për mënyrën se si Amerika duhet të trajtojë rolin e Rusisë në botën moderne. Nëse ky koncept i shkon për shtat edhe Kremlinit, Trump mund t’i normalizojë lehtësisht marrëdhëniet me Rusinë, thotë Sushentsov.
Në të kundërt, askush nuk guxon të parashikojë pasojat. Edhe nëse Putini dhe Trumpi mund të kenë këndvështrime të ngjashme, kjo nuk do të thotë se kimia personale ndërmjet tyre do të përkthehet në marrëdhënie më të mira, paralajmëron Sushentsov. Nëse përqendrohemi në marrëdhëniet personale ndërmjet dy liderëve, mund të rrezikojmë të tregohemi politikisht naivë. Është tepër e rëndësishme që të ekzistojë mirëkuptimi jo vetëm ndërmjet dy liderëve, por edhe ndërmjet grupeve të tjera, strukturave dhe agjencive.
Në të kundërt, marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të shkojnë më tej si një miqësi e perceptuar ndërmjet Putinit dhe Trumpit. Diçka e tillë është e rrezikshme, duke qenë se miqësitë ndërmjet liderëve mund të ndryshojnë brenda natës si pasojë e eventeve të ndryshme globale që mund të zhvillohen. Sushentsov argumenton se Kremlini nuk duhet të befasohet nëse Trump ndryshon tonin e tij favorizues kundrejt Putinit dhe ndjek një retorikë më të egër, duke sinjalizuar se nevojiten gjëra të dhëna në këmbim të përmirësimit të marrëdhënieve. Në mes të kësaj situate të paparashikueshme, Moska dhe Washingtoni duhet të lehtësojnë tensionet ndërmjet tyre dhe të mos lejojnë që politika të frenojë bashkëpunimin e tyre të mundshëm në Arktik dhe fusha të tjera.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakUashingtoni kundër Berlinit
Artikulli tjetër“Reuters”: Një emërim i ri konfirmon që Papa po ndërhyn tek “Kalorësit e Maltës”