Si po rikthehet Elvis Roshi me pesë emra dhe dy parti në qendër të vëmendjes

Elvis Roshi, ish-kryebashkiaku me pesë emra i Kavajës, rikthehet në qendër të vëmendjes. Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ai deklaroi publikisht se do të mbështeste Partinë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, nën siglën e së cilës garonte majit kushëriri i tij.

Dje, emri i tij ishte thuajse në të gjitha mediat në vend. SPAK iu drejtua Gjykatës së Posaçme dhe mori leje për sekuestrimin e celularit të ish-kryebashkiakut, pasi kishte dyshime të forta se ai ishte përfshirë në aktivitetin kriminal të shitblerjes së votës.

Nga hetimet e para rezultonte se pas takimit me Roshin, një gruaje i ishte sekuestruar një listë me emra zgjedhësish. Por, siç konfirmojnë burime, janë zbuluar edhe prova të tjera që ngrejnë dyshime se jemi përpara një krimi zgjedhor. Krahas Roshit, u sekuestruan edhe tre celularë të tjerë, lidhje të afërta të ish-kryebashkiakut, si dhe u kontrolluan disa ambiente. Përgjatë dy javëve të fundit, në kuadër të hetimeve për krim zgjedhor, SPAK ka sekuestruar dhjetëra telefona. Por emri i Roshit, sigurisht, tërheq vëmendje për shkak edhe të të kaluarës së tij.

Por si nisi historia e ish-kryetarit të bashkisë së Kavajës? Ish socialistit që arriti t’i rrëmbente votat bastionit të demokratëve për të drejtuar si kryebashkiak Kavajën.

Për vite me radhë, ai ishte ndoshta kryebashkiaku më i përfolur në vend. Së pari, për shkak të historisë së ish-gruas së tij, Griseldës, e cila inskenoi një shtatzëni të rreme. Në fund, pasi kaluan nëntë muaj, ajo denoncoi se ishte rrëmbyer nga persona të maskuar dhe i kishin hequr foshnjën.Ngjarja e qershorit 2011, kur Roshi sapo ishte zgjedhur kryebashkiak, ngriti në këmbë Policinë e Shtetit dhe shokoi opinionin publik, ndërsa politika u vu në lëvizje dhe alarmoi të gjitha përfaqësitë diplomatike.

Asokohe, Erion Veliaj i shkruante selive diplomatike në Tiranë dhe jo vetëm:

“Një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën.” Në fund, ngjarja rezultoi të ishte një sajesë e ish-bashkëshortes së Elvis Roshit.

Ky i fundit, pas këtij momenti tronditës, u duk se nisi një jetë normale, por shpejt telashe të reja do të shfaqeshin në horizont.

Pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, kryebashkiaku u vu në qendër të akuzave të opozitës, pasi kishte fshehur rekordet kriminale jashtë vendit. Kryebashkiaku rezultonte të kishte përdorur pesë emra dhe përpjekjet e Edi Ramës për të relativizuar çështjen nuk dhanë rezultat, pasi u zbuluan jo një, por disa dosje kriminale të Elvis Roshit. Ai rezultonte i dënuar për akuzën e përdhunimit, ngjarje e ndodhur në Itali në 1995, dhe ishte dëbuar në 1993 nga Zvicra. Në 1997 rezultonte të ishte arrestuar po në Zvicër dhe se kishte përdorur pesë emra të ndryshëm.

Roshi ishte vënë edhe në shënjestër të DEA-s amerikane për dyshimet për trafik droge. Pasi la politikën, Roshi sërish u përball me organet e hetimit, pasi u referua në prokurori për abuzime financiare me detyrën. Pas kësaj, siç ndodh rëndom, Edi Rama e braktisi të preferuarin e tij që i dha fitoren në bastionin e demokratëve. Për disa kohë Roshi qëndroi në hije të politikës për t’u rishfaqur disa muaj më parë. Lënia mënjanë nga ana e Edi Ramës duket se nuk u prit mirë nga Roshi. Që zgjodhi këtë herë t’i jepte një dorë kushëririt të tij që garonte me siglën e PD-së. Ndryshe nga shokët e tij brenda PS-së që kanë zgjedhur të rrinë “urtë” kur marrin goditje nga partia, Elvis Roshi zgjodhi të përballet me ish-shefin e tij në fushëbetejën e zgjedhjeve parlamentare të një jave më parë.

Dhe, në fakt, nuk duket të jetë i pakënaqur nga rezultati për sa kohë Kavaja arriti të sigurojë një numër rekord votash për PD-në, edhe pse kjo e fundit dështoi të kishte të njëjtin rezultat në qarqet e tjera.

Sa për Elvis Roshin, angazhimi në zgjedhjet e 11 majit, por edhe shumë bëma të tjera, të çojnë logjikshëm në përfundimin se në finale është një personazh me shumë dritëhije dhe probleme me drejtësinë. Sigurisht, ai dhe të ngjashëm me të do të duhej të qëndronin larg proceseve zgjedhore. Por, siç ndodh rëndom në fushata elektorale, politika të majtë e të djathtë, pavarësisht retorikës së fushatës, i thërret në ndihmë këta personazhe për të mbushur thesin me vota, duke dëmtuar kështu standardin e zgjedhjeve, që në respekt të qytetarëve duhet të jetë një proces jashtë personazheve si Elvis Roshi me 5 emra dhe 2 parti. I gatshëm të mbushë thesin e votave në këmbim të favoreve politike dhe për të shfajësuar veten para drejtësisë.

Exit mobile version